Kosova përballet me deficit të lartë tregtar ndaj vendeve të rajonit – Shqipëria partneri më i favorshëm

Kosova po vazhdon të përballet me një deficit të lartë tregtar ndaj vendeve fqinje, ku Shqipëria mbetet partneri më i favorshëm, ndërsa me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut është shënuar rritje e ndjeshme e pabarazisë tregtare.

Sipas të dhënave të publikuara nga Oda Ekonomike e Kosovës, bazuar në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Kosova importon dukshëm më shumë sesa eksporton nga këto tre shtete, duke mbetur kryesisht treg konsumues për mallrat e rajonit.

Në rastin e Shqipërisë, pavarësisht deficitit tregtar prej 126.8 milionë eurosh, raporti mbetet më i balancuar krahasuar me vendet e tjera. Gjatë vitit 2025, Kosova ka eksportuar në Shqipëri 159.9 milionë euro mallra, ndërsa ka importuar 286.7 milionë euro, me një shkallë mbulueshmërie prej 55.8 për qind.

Reklama e sponzorizuar

“Deficiti tregtar në rënie (-126.8 milionë €), krahasuar me vitin 2024”, thuhet në të dhënat e prezantuara nga ASK.

Ndryshe paraqitet situata me Maqedoninë e Veriut, ku deficiti ka arritur në 213.3 milionë euro, duke qenë më i larti në rajon. Kosova ka eksportuar 138.5 milionë euro, ndërsa ka importuar 351.7 milionë euro mallra, me një mbulim prej vetëm 39.4 për qind.

“Deficiti tregtar me Maqedoninë e Veriut është thelluar ndjeshëm, si rezultat i rritjes së importeve dhe rënies së eksporteve”, theksohet në raport.

Edhe më problematike paraqiten shifrat me Serbinë, ku deficiti tregtar ka arritur në 173.1 milionë euro. Gjatë vitit 2025, importet nga Serbia janë rritur me 80.9 për qind, duke arritur në 234.6 milionë euro, ndërsa eksportet janë 61.5 milionë euro.

“Importi nga Serbia ka shënuar rritje të ndjeshme, duke thelluar deficitin tregtar”, thuhet në të dhënat e ASK-së.

Sipas raportit, Kosova vazhdon të ketë varësi të lartë nga importet e rajonit, duke u furnizuar kryesisht me ushqime, produkte bujqësore, minerale dhe mallra industriale.

Në total, Kosova regjistron deficit prej 126.8 milionë euro me Shqipërinë, 173.1 milionë euro me Serbinë dhe 213.3 milionë euro me Maqedoninë e Veriut, ku ky e fundit mbetet edhe partneri me pabarazinë më të lartë tregtare në vlerë absolute.