Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se, pas verifikimeve laboratorike të kryera nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, janë konstatuar një sërë parregullsish në njehsorët elektrikë të konsumatorëve që kishin paraqitur ankesa ndaj KEDS-it.
Sipas njoftimit, janë kontrolluar gjithsej 16 njehsorë elektrikë. Në 6 raste është konstatuar se njehsorët kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në 6 raste tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë. Po ashtu, në një rast është konstatuar heqja e miratimit të tipit të njehsorit elektrik, derisa 3 njehsorë të tjerë vazhdojnë të jenë në procedurë të verifikimit laboratorik.
Bazuar në këto gjetje, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh.
MINTI dhe AMK kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e funksionimit të rregullt të njehsorëve elektrikë.
Institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi apo dyshime për funksionimin jo të rregullt të njehsorëve elektrikë, të paraqesin ankesat përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose në adresën elektronike [email protected].









