Pranvera me ndikim në çmimet e perimeve të stinës në tregjet e Kosovës

Në tregun kryesor të gjelbër të Prishtinës, të martën, kishte shumë më shumë perime se para dy-tre javësh. Dominonin specat djegës dhe padjegës, domatet, trangujt, lakrat, patatet. Çmimet, sado që ende janë të larta për konsumatorët, këtyre ditëve sikur janë “qetësuar” paksa.

Buletini Ekonomik

Muaji i parë i pranverës ka rritur ndjeshëm asortimentin e perimeve dhe sasinë e tyre në tregjet e gjelbra të kryeqytetit. Këtyre ditëve ka më shumë perime të freskëta, më shumë lloje dhe më shumë cilësi të tyre, pavarësisht se perimet në tregjet tona ende dominohen nga importi. Kanë nisur të vijnë në sasi të pakta edhe ndonjë perim nga fermerët e vendit, si qepët e reja, trangujt dhe lakrat e sivjetshme. Gjithsesi, prurjet më të shumta të prodhimeve bujqësore në tregjet tona të gjelbra kanë ndikuar, sado pak dhe simbolikisht, në uljen e çmimeve te disa perime dhe, në shumë raste, në stopimin e ngritjes së mëtejshme të çmimeve te disa produkte të tjera.

Reklama e sponzorizuar

Në tregun kryesor të gjelbër të Prishtinës, të martën, kishte shumë më shumë perime se para dy-tre javësh. Dominonin specat djegës dhe padjegës, domatet, trangujt, lakrat, patatet. Kishte në disa tezga mjaftueshëm edhe spinaq të freskët, qepë të reja të lidhura tre-katër krerë, fasule të cilësisë së ndryshme, të kategorizuara edhe me çmime të ndryshme, karrota si gjithnjë. Të martën, në tregun e gjelbër kryesor të kryeqytetit dominonin edhe rasatet e ndryshme të perimeve, si ato të specave, domateve, pjeprave etj.

Duhet konstatuar se çmimet në këtë treg, por edhe në tregjet e tjera të gjelbra të Prishtinës, sado që ende janë të larta për konsumatorët e rëndomtë, për ata me mundësi më të pakta financiare, këtyre ditëve sikur janë “qetësuar” paksa. Ka edhe ulje simbolike të çmimeve të ndonjë produkti, por kryesisht çmimet janë ndalur dhe pak a shumë janë ato të javëve të fundit.

Domatet, ato të ashtuquajturat rozë, të cilësisë së pëlqyeshme, të martën kishin çmimin 1,8 euro për një kilogram, ndërsa domatet e rëndomta kushtonin 1,5 euro. Te specat vërehet ulje e çmimit krahasuar me ditët dhe javët e kaluara. Një kilogram i specave të padjegës, i cilësisë mesatare, tregtohej me 1,2-1,5 euro, ndërsa çmimi i një kilogrami të specave djegës, të cilësisë së pranueshme, ishte 2-2,5 euro. Edhe domatet, edhe specat në tregjet e kryeqytetit janë nga importi, nga Shqipëria, Turqia, Greqia. Trangujt tash e sa kohë kanë standardizuar çmimin 1 euro dhe janë në pamje të jashtme shumë cilësorë, qoftë ata të fermerëve vendorë, qoftë trangujt që vijnë nga importi. Qepët e reja kishin çmimin 4-5 deri në 7-8 tuba 1 euro, ndërsa hudhra e re, po kështu e lidhur, kushtonte dyfishin e qepëve. Patatet tregtoheshin me 80 centë kilogrami, ndërsa lakra e re 1 euro një kilogram.

Fasulja të martën tregtohej nga 3 e 4 euro deri në 6-7 euro për një kilogram, ndërsa një kilogram i spinaqit të freskët tregtohej me çmimin 1-1,5 euro. Ndërkohë, rasatet e domateve kushtonin 50 centë për një fije rasati, ndërsa i specave 2,5 euro i një numri fidanësh të lidhura.

Nga pemët në tregjet e gjelbra të kryeqytetit vazhdon të dominojë banania me çmimin kryesisht 1,5 euro kilogrami dhe, në raste, edhe nën këtë çmim, si dhe mollët që tregtohen me 1,2 euro për një kilogram. Dredhzat, ato të vendit, po kështu, ditët e fundit imponohen te blerësit edhe me cilësi, pamje joshëse, por edhe me çmim të pranueshëm. Paketimi standard i dredhzave në pako plastike, që përafërsisht peshon diku te 400-500 gramë, të martën kushtonte 1 euro. /Buletini Ekonomik/