Mungesa e madhe e energjisë elektrike dhe reduktimet brutale të rrymës në Kosovë edhe në këtë fillimvit, si dhe rikthimi tashmë i shumë shteteve të botës te qymyri si burim i domosdoshëm energjetik, shtrojnë nevojën e rishikimit dhe të revidimit të prioriteteve zhvillimore energjetike në Strategjinë Energjetike 2022–2031 dhe rikthimin e qymyrit si burim i domosdoshëm dhe i imponueshëm energjetik për rrethanat e Kosovës.
Mehmet Gjata
Favorizimi i skajshëm i zhvillimit të energjisë së rinovueshme dhe injorimi total i qymyrit si burim energjetik për të tejkaluar krizën energjetike dhe për të rritur sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji në vend, si për amvisëritë ashtu edhe për bizneset, edhe në dokumente zhvillimore, tani në fillim të 2026-tës, kur Kosova po përballet me mungesë të madhe të rrymës, po shihet se ka qenë i gabueshëm. Rruga drejt procesit të dekarbonizimit, ose rritja e energjisë së pastër, e parashikuar edhe në Strategjinë e Energjisë 2022–2031 me parashikime tepër ambicioze për të pasur kapacitete të energjisë së rinovueshme, duke anashkaluar praktikisht qymyrin e bollshëm “te dera e shtëpisë”, po dëshmohet tani si e dështuar dhe e gabueshme. Ç’është më keq, Kosova ka hyrë në vitin 2026 (saktësisht katër vjet qëkur kishte nisur fushata dhe një takim konsultativ i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me përfaqësues të shoqërisë civile, Akademisë së Shkencave, universiteteve dhe ekspertë të pavarur për hartimin e Strategjisë së Energjisë për vitet 2022–2031), pa asnjë kapacitet të ri të energjisë së rinovueshme dhe pa asnjë kapacitet të ri prodhues nga qymyri. Në këto vite nuk është jetësuar parashikimi për tranzicion energjetik dhe as dekarbonizimi i Kosovës, dhe vendi ka mbetur vetëm me prodhimin e termocentraleve të stërvjetëruara (vetëm në bllokun B1 gjatë vitit të kaluar janë bërë renovime më të thella dhe më të detajuara), ndërsa Kosova edhe në janarin e 2026-tës po vuan mungesën e rrymës dhe reduktime brutale të energjisë elektrike.
Pra, për dallim nga shumë shtete të tjera që pas krizës së madhe globale energjetike iu rikthyen qymyrit “të anatemuar” dhe të shpallur “të ndaluar”, Kosova vazhdoi të jetë shumë e “dëgjueshme”, e pavendosur, me shumë hezitime për t’ia kthyer vëmendjen qymyrit vetanak – rezervave të pafundta të këtij resursi – dhe për të vazhduar të mos ketë energji të bollshme për konsumin e vet, sidomos në periudhat dimërore.
Thjesht, për shkaqe të pashpjegueshme, në këtë periudhë nuk u finalizua asnjë projekt i prodhimit të rrymës, pos atij në bazë të erës që është ndërtuar me para të kompanive të jashtme në Shalë të Bajgorës dhe para viteve që po trajtohen në këtë tekst, me gjithë premtimet e shumta, vizionet goxha shpresëdhënëse dhe fjalët e mira për projekte të reja energjetike.
Duhet thënë se të gjitha qeveritë e deritashme të Republikës, pa përjashtim, u treguan të pazonja dhe miope rreth ndërtimit të një kapaciteti të ri elektroenergjetik në bazë të qymyrit, për çka Kosova ka pasur dhe vazhdon të ketë kushte ideale dhe optimale – qymyr me rezerva të pashterrshme (sipas vlerësimeve të stërpërsëritura tash e sa vjet, 13–14 miliardë tonë rezerva të qymyrit ka Kosova), dhe thuaja në sipërfaqe të tokës, që e bën shumë më të lehtë dhe më të lirë eksploatimin e tij. Për dallim nga shumë shtete të tjera që pas krizës së madhe globale energjetike iu rikthyen qymyrit “të anatemuar” dhe të shpallur “të ndaluar”, Kosova vazhdoi të jetë shumë e “dëgjueshme”, e pavendosur, me shumë hezitime për t’iu kthyer qymyrit tonë, resursit imponues dhe premtues për të ardhmen energjetike të vendit.
Thënë më drejtpërdrejt, zyrtarët dhe autoritetet e vendit tonë sikur mezi kanë pritur në këto vite ndonjë ndalesë, rezolutë restriktive dhe vendime të asociacioneve ndërkombëtare antiqymyr, ndërkohë që shtetet e botës që i kanë paraprirë fushatave kundër thëngjillit ishin të parat që pas krizës energjetike iu rikthyen këtij resursi. Buletini Ekonomik, me shembuj konkretë dhe të dhëna të shumta, ka njoftuar në shumë raste për rikthimin e vëmendjes te thëngjilli nga shumë vende të Evropës, sidomos pas krizës globale energjetike.
Me fjalë të tjera, qymyri është rikthyer sërish në përdorim të domosdoshëm kohët e fundit, sidomos te vendet e kamura, me ekonomi dhe industri potente dhe me kapital të imponueshëm, gjithandej nëpër shtete të shumta të Evropës, edhe në shtete në afërsi të vendit tonë. Ndërsa, në Kosovë, sado që ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyrit dhe sado që kjo sasi e këtij resursi natyror energjetik gjendet thuaja në sipërfaqe të tokës dhe te dera e termocentraleve të vjetëruara, mundësia e përdorimit të qymyrit si burim energjetik edhe në këtë kohë krize të madhe, pra edhe përkohësisht, është injoruar tej mase dhe është bërë e largët.
Por Kosova, e pavendosur për ta valorizuar qymyrin me rezerva të pafundta, po vazhdon të ndiejë shumë mungesën e energjisë elektrike dhe të gjitha pasojat që vijnë nga kjo mungesë, në radhë të parë duke paguar miliona euro për importin e rrymës së munguar.
Në Kosovë, pra, sado që ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyrit, mundësia e përdorimit të këtij resursi si burim energjetik edhe në këtë kohë krize të madhe akoma është fare e paqartë. Autoritetet në të shumtën e kohës heshtin, ndonjëherë edhe lansojnë ndonjë parashikim, siç ka ndodhur në këto vite dhe që po vazhdon njësoj edhe me qeverinë aktuale.
Fillimisht, me nisjen e mandatit të Qeverisë Kurti, u tha se do të rindërtohet tërësisht Kosova A, pastaj se do të ndërtohen dy blloqe të këtij termocentrali të stërvjetëruar, dhe më së fundi zyrtarët, edhe vetë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishin potencuar se objektiv i rindërtimit të Kosovës A do të jetë vetëm një nga njësitë prodhuese të saj.
Edhe në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022–2031 parashihet vetëm një njësi e A-së të rindërtohet. Rikthimi i mundshëm i qymyrit në Kosovë është ende i anatemuar pafundësisht dhe në një farë mënyre është bërë temë tabu dhe e padiskutueshme brenda institucioneve, por edhe botës elektroenergjetike të vendit.
Në vizionet zhvillimore dhe në dokumentet që përmbajnë këto vizione, qymyri si resurs i deritashëm dhe mbi 90 për qind burim energjetik i vendit është larguar thuaja tërësisht. Që në fillim të Strategjisë Energjetike 2022–2031 bëhet fare pak fjalë për qymyrin.
Ky dokument për zhvillimet e ardhshme energjetike mbështetet kryekëput në prodhimin e energjisë së rinovueshme, duke potencuar si objektiv strategjik dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme.
“Vendimi për rinovimin e njësisë së dytë të Termocentralit Kosova A do të merret më së voni në vitin 2024. Njësia (njësitë) e rinovuar(a) të termocentralit ‘Kosova A’ do të punojnë si rezervë strategjike nga viti 2028, që do të thotë se kjo (këto) njësi do të jenë të disponueshme në sezonin e ngrohjes kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, ose në raste të jashtëzakonshme si kriza e fundit energjetike. Njësitë e Kosovës A të cilat nuk janë aktualisht në përdorim (A1 dhe A2) do të dekomisionohen, ndërsa njësia e tretë operuese e këtij termocentrali do të mbyllet përgjithmonë pasi të ketë përfunduar rinovimi i njësive të tjera të linjitit”, sqarohet në Strategjinë Energjetike 2022–2031, nga ku nënkuptohet se deri më 2024 as që bëhet fjalë për investime eventuale në rindërtimin e ndonjë blloku të Kosovës A.
Dhe kjo nënkupton se në Strategjinë Energjetike as që do të bëhet fjalë për rikthim të vëmendjes te qymyri si resurs energjetik, pa të cilin Kosova realisht do ta ketë shumë të vështirë të ketë energji të mjaftueshme dimrave në vazhdim. Por tani, në këto ditë të acarta, kur Kosova po përballet me pasoja jo të pakta të mungesës së rrymës, nënkupton edhe faktin e pakontestueshëm se në këto vite, pa investime në rinovimin e disa njësive ekzistuese të termocentraleve Kosova A dhe të dy blloqeve të Kosovës B, si dhe ndërtimin e një termocentrali të ri të kapacitetit mesatar (500 megavatësh, siç parashikojnë ekspertët), Kosova nuk do të ketë rrymë të mjaftueshme të vetën as pas këtij viti.
Sepse, edhe po qe se Kosova pas 2026-tës do të kishte arritur të ketë 500 megavatë nga energjia e ripërtëritshme (500 megavatë energji të rinovueshme ishte paraparë t’i ketë Kosova deri më 2025), kjo sasi është e barabartë me prodhimin aktual të një blloku e gjysmë të Kosovës A. Dihet se fuqia e instaluar e paneleve solare dhe e centraleve në bazë të erës asnjëherë nuk mund të arrihet plotësisht dhe ato rëndom prodhojnë diku rreth gjysmës së fuqisë së instaluar, ndërsa në Kosovë edhe më pak, për shkak të mungesës së bollshme të erës dhe të diellit.
Dhe tani domosdo shtrohet pyetja: çka do të bëhet në Kosovë për ta kompensuar mungesën e energjisë në vitet në vazhdim? A do të rikthehet nga autoritetet dhe kompetentët përdorimi i qymyrit si domosdo dhe si imponim nga kriza energjetike që ka përfshirë vendin, apo do të vazhdohet me “ëndërralla” për ndërtime dhe për të pasur energji të pastër të mjaftueshme për kosovarët?
Në këtë kontekst, nuk do të ishte keq të rishikohen edhe parashikimet e vijëzuara në Strategjinë Kombëtare Energjetike 2022–2031 dhe të rikthehet realisht vëmendja te ky resurs me të cilin shquhet Kosova edhe në përmasa ndërkombëtare. Pse mos të sheshohen një herë e mirë dhe të shqyrtohen deri në detaje të gjitha opcionet e mundshme për të pasur Kosova energji të mjaftueshme elektrike?
Sidomos duhet rishqyrtuar urgjentisht Strategjia pas nënshkrimit të vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata dhe traktate ndërkombëtare, që administrata i konsideroi si “joefektive dhe të dëmshme”, ndër to edhe nga Kompakti për Energji pa Karbon, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, Forumi Ndërkombëtar i Energjisë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë e Rinovueshme, Aleanca Ndërkombëtare Diellore dhe Konventa Kornizë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike. Sepse, nëse defunksionalizohen organizatat që në këto vitet e fundit, ose më saktësisht që nga kriza e madhe globale energjetike, kanë paralajmëruar sanksione për përdoruesit e qymyrit si burim energjetik, domosdo do të krijohen mundësi jo të pakta dhe lehtësira për shtetet që kanë resurse të mëdha të qymyrit (siç është rasti me Kosovën) dhe që nga frika e sanksioneve devijuan ndjeshëm kahet e zhvillimit energjetik në dëm të qymyrit.
Ndërkohë, duket shumë real dhe i realizueshëm projekt-vizioni i Luigj Imerit, ish-kreut të Korporatës Energjetike, për “ndërtimin e një njësie të re prodhuese në vazhdim të TC Kosova B, Kosova B3, me kapacitet rreth 500 megavatësh, që paraqet zgjidhjen më ekonomike dhe më të qëndrueshme për vendin”, për mendimin e shumëkujt dhe të ekspertëve të shumtë të energjetikës në vend. Ky termocentral do të ishte zgjidhje fatlume dhe reale për të tejkaluar domosdo krizën elektroenergjetike në Kosovë. /Buletini Ekonomik/









