Depozitat në bankat komerciale arrijnë në 6.78 miliardë euro në fund të majit 2026

Depozitat e qytetarëve dhe bizneseve në bankat komerciale të Kosovës kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), vlera e përgjithshme e depozitave në fund të muajit maj 2026 ka arritur në 6 miliardë e 782 milionë euro, duke shënuar rritje prej 0.42 për qind krahasuar me muajin prill.

Buletini Ekonomik

Të dhënat e BQK-së tregojnë se gjithsej depozitat në sistemin bankar në maj 2026 kanë arritur në 6,782,164,854 euro, kundrejt 6,753,935,530 eurove sa ishin në prill, ose rreth 28.2 milionë euro më shumë brenda një muaji.

Megjithatë, ritmi i rritjes së depozitave gjatë muajve të parë të këtij viti ka qenë i luhatshëm. Në janar 2026, depozitat kishin arritur në 6.61 miliardë euro, ndërsa në shkurt u rritën në 6.79 miliardë euro, duke shënuar rritjen më të lartë mujore prej 2.76 për qind. Në mars, depozitat pësuan rënie prej 0.73 për qind, për t’u rikthyer në rritje gjatë muajve prill dhe maj.

Krahas rritjes së depozitave, është rritur edhe niveli i rezervës së obliguar që bankat komerciale mbajnë në BQK. Në fund të majit 2026, rezerva e obliguar ka arritur në 678.2 milionë euro, ndërsa bilanci i bankave në BQK ka qenë 678.6 milionë euro.

Po ashtu, rezervat e aseteve të bankave kanë arritur në 838.7 milionë euro, ndërsa mjetet e mbajtura mbi nivelin e rezervës së obliguar kanë qenë 160.4 milionë euro.

Në baza vjetore, depozitat kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Në maj të vitit 2025, depozitat në bankat komerciale ishin 6.10 miliardë euro, ndërsa një vit më vonë kanë arritur në 6.78 miliardë euro, ose rreth 681 milionë euro më shumë.

Sipas të dhënave të BQK-së, depozitat kanë shënuar rritje pothuajse të vazhdueshme gjatë 17 muajve të fundit, duke kaluar nga 5.79 miliardë euro në janar 2025 në 6.78 miliardë euro në maj 2026, një rritje prej afërsisht 991 milionë eurosh apo mbi 17 për qind brenda kësaj periudhe. /Buletini Ekonomik/