Hulumtimi i gazetës britanike “The Guardian” shpalos sesi presidenca amerikane e mjegullon kufirin që ndan politikën dhe pasurimin e familjes amerikane në pushtet dhe njerëzve të rrethit të saj.
Në një rrugicë me grafite në Sarajevë, një shteg të çon pranë një kopshti të dendur me një derë të vogël të bardhë. Përtej saj ndodhet zyra e regjistruar e një kompanie që është gati të marrë kontrata prej më shumë se 1 miliard dollarësh.
“AAFS Infrastructure and Energy” është afër që të sigurojë një koncesion që ta ndërtojë dhe ta operojë një tubacion përgjatë Ballkanit që ta lejojë bartjen e gazit fosil të transportuar nga SHBA-ja që t’i zëvendësojë furnizimet që sillen nga Rusia. “Ky mund të jetë projekti më i rëndësishëm i infrastrukturës ndonjëherë në Bosnjë-Hercegovinë”- thotë një nga zyrtarët më të lartë të vendit, i cili, si të tjerët, kërkon të mbetet anonim për të folur për negociatat e ndjeshme.
Kompania nuk ka asnjë të dhënë që të provohet diçka të lidhur me projekte të ngjashme. Çka janë lidhjet personale me Donald Trumpin?
Një nga përfaqësuesit e AAFS-së është një avokat Uashingtoni i cili ka punuar për familjen Trump në rastet politike. Tjetri është vëllai i ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit. Të dy ishin pjesë e fushatës që është shumë e rëndësishme për Trumpin: përpjekja për përmbysjen e humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Një hulumtim i gazetës “The Guardian”, bazuar në intervista me zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë boshnjakë e amerikanë, dokumente që kanë rrjedhë dhe dokumente të korporatave, ka analizuar kompaninë e panjohur që i është përvjelë luftës globale për supremaci në energji. Hulumtimi ofron pasqyrë të asaj sesi po ndryshojnë marrëdhëniet ndërkombëtare në kohën e një presidence që davarit kufirin midis politikës qeveritare dhe pasurimit të familjes në pushtet e të njerëzve të rrethit të saj.
“Ka një logjikë në botën tonë aktuale, që njerëz të lidhur me administratën të përfshihen në projekte a investime të mëdha ekonomike”- thotë një ish-zyrtar i lartë amerikan në rajon. “Është e pakëndshme, por shumë nga politikat e vendit tim janë të pakëndshme këto ditë”.
Në ish-Jugosllavi, rreziqet janë më të larta sesa thjesht se kush mund të pasurohet. Ndërhyrja e SHBA-së mund të cenojë marrëveshjen e paqes që e ndërmjetësoi më 1995 për t’i dhënë fund luftës që vrau 100 mijë persona, shumë prej të cilëve civilë myslimanë boshnjakë të masakruar nga paramilitarët serbë. Një brez më vonë, udhëheqësit etnikë të Bosnjës ende po manovrojnë për avantazh.
Zyrtarët amerikanë nuk u kanë lënë asnjë fije dyshimi liderëve të Bosnjës për çfarë dëshiron administrata Trump: miratimin e tubacionit të AAFS-së.
Lidhjet e AAFS-së me MAGA-n
Kur gazeta “The Guardian” troket në adresën e AAFS në Sarajevë, një grua tregon prej dritares së katit të sipërm se përfaqësuesi i saj vendas do të kthehet së shpejti. Amer Bekan ia beh disa minuta më vonë. Burrë trupmadh i moshës së mesme, Bekani thotë se zyra e AAFS-së do të zhvendoset në një ndërtesë të madhe me 100 punëtorë.
CV-ja e Bekanit në internet e prezanton si “investitor dhe sipërmarrës me përvojë të gjerë”. Ai ka provuar edhe politikën. Pasi doli i fundit me 116 vota në garën për kryetar i komunës së Sarajevës qendrore më 2016, fushata e 2020-s rezultoi me akuzat ndaj tij për abuzim të zgjedhjeve për hesape personale. Ai i ka hedhur poshtë kauzat.
Bekan regjistroi kompaninë boshnjake me emrin AAFS më 2021. Ai nisi të korrte sukses vetëm pasi vjet do të sillte partnerët amerikanë. As ai dhe as ata nuk do duan të tregojnë si ia dolën mbanë.
AAFS-ja e Bekanit tani është në pronësi të një kompanie amerikane me të njëjtin emër që u regjistrua në nëntor. Me seli në zonë turistike pranë Lumit Potomac, adresa që AAFS-ja tregon për zyrën e saj në Uashington ndodhet midis një restoranti libanez dhe një kafeneje irlandeze. Reklama e paraqet si mjedisi i punës i “Binnall Law Group”.
Jesse Binnall është avokati kryesor që lufton për kauzën e MAGA-s. Ai ishte këshilltar në fushatën e vitit 2016 që Trumpin e çoi në Shtëpinë e Bardhë. Më 2020, ishte zëri kryesor që minoi fitoren e Joe Bidenit. Ai do të deklaronte: “Donald Trump fitoi… pasi të jepni llogari për kurdisjet dhe parregullsitë që ndodhën”. Ai mbrojti Trump dhe djalin e tij të madh, Donald Trump Jr, kundër një padie që mundohej t’i mbante përgjegjës kur protestuesit u përpoqën ta përmbysnin rezultatin duke sulmuar ndërtesën e Kapitolit.
Qysh prej kthimit të Trumpit në pushtet vjet, Binnall ka siguruar ujdi prej 1.25 milion dollarësh nga Departamenti i Drejtësisë për Michael Flynnin, i cili ishte për një kohë të shkurtër këshilltar i sigurisë kombëtare në mandatin e parë të presidentit. Pavarësisht se pranoi se kishte gënjyer FBI-në për kontaktet e fshehta me Rusinë, Flynn pretendoi se u ndoq gabimisht penalisht.
Binnall do të njoftohej njashtu me vëllain e Flynnit, Joe, sipërmarrës në fushën e kujdesit shëndetësor. Ata ishin bashkë në fushatën për diskreditimin e fitores së Bidenit. Flynn shërbeu si president i një prej makinerive më të financuara të lëvizjes, “Projektit Amerikan”. Dhe ai ishte këshilltar në fushatat presidenciale të Trumpit më 2020 e 2024.
Shtëpia e Bardhë i ka referuar pyetjet te Departamentit të Shtetit, që deklaroi: “Tubacioni i gazit ‘Southern Interconnection’ (Ndërlidhja Jugore), i cili ka qenë prioritet (i qeverisë amerikane) në tri administratat e fundit, do të zgjerojë dhe diversifikojë sektorin e energjisë së Bosnjë-Hercegovinës, duke i dhënë BeH-së kontroll më të madh mbi furnizimin e saj me energji duke siguruar qasje në gaz natyror të bazuar në treg dhe duke zvogëluar varësinë nga një burim i vetëm, jo i besueshëm”.
Kualifikimet e Flynn dhe Binnall për një sipërmarrje infrastrukturore në Ballkan nuk kanë rënë përnjëherë në sy. Por qyshse u bashkuan, projekti ka marrë mbështetjen e plotë të administratës Trump.
Pa proces tenderimi konkurrues
Diskutimet fillestare të Binnallit, Flynnit dhe Bekanit me zyrtarët boshnjakë vjeshtën e kaluar ishin rreth një rinovimi prej 300 milionë dollarësh të dy aeroporteve. Më pas, zyrtarët boshnjakë sugjeruan që ata të merrnin përsipër një projekt shumë më të rëndësishëm: tubacionin “Southern Interconnection”.
SHBA-ja e ka mbështetur prej kohësh planin për lidhjen e Bosnjës me një terminal gazi në bregdetin e Kroacisë, gjë që do të zvogëlonte ndikimin e Vladimir Putinit në Europën Jugore. Gjatë kohës së Bidenit, mendohej që kompania shtetërore boshnjake e gazit ta drejtonte projektin. Por interesat konkurruese të fraksioneve etnike të Bosnjës shkaktuan një mal vonesash.
Përderisa disa zyrtarë boshnjakë ishin të kujdesshëm që t’ua dorëzonin projektin interesave të huaja private, të tjerë e panë rekrutimin e një kompanie të lidhur me Trumpin si mundësi për zhbllokimin e projektit.
Koha po mbaronte. Bosnja është kandidate për anëtarësim në BE dhe Brukseli ka caktuar një afat deri në shtator 2027 për ndaljen e blerjes së gazit nga Rusia, burimi i krejt furnizimit të Bosnjës.
Disa figura të larta boshnjake llogaritën se komisionimi i një kompanie amerikane mund të ndihmonte jo vetëm sigurinë e energjisë, por edhe sigurinë në një rajon ku lufta është kujtim i gjallë. Siç më së miri e përthekon Bekan: “Qeveria amerikane mbron investimet e saj”.
Megjithatë, disa analistë druajnë se Bosnja rrezikon të ndërrojë një provokues me një tjetër. Askush nuk duket se dëshiron të rrezikojë ta zemërojë Trumpin, edhe nëse kjo do të thotë t’ia varë krejt shpresat për një arterie të re energjetike jetësore një sipërmarrjeje pa kapacitete për ta demonstruar se mund ta realizojë në terren.
Kur pyetët se cilët janë aksionarët e AAFS-së, Bekan thotë se Binnall dhe Flynn, si dhe të tjerë që ai nuk pranon t’ua tregojë emrat. Ai sugjeron se financimi mund të vijë nga “fondet e investimeve në Shtetet e Bashkuara”, por thekson se nuk mund të japë më shumë informacion.
Binnall thotë: “Ne jemi ekipi i duhur për këtë punë. Asnjë grup tjetër nuk kombinon praninë në terren në Bosnjë me mbështetje të fortë në Amerikë. Dhe jemi të emocionuar që të bëjmë hapin sepse besojmë se Bosnjë-Hercegovina është e ardhmja”.
Një propozim konfidencial i AAFS-së që e ka siguruar “The Guardiani” thotë se tubacioni do të kushtojë 300 milionë euro me 900 milionë euro të tjera për tri termocentrale, me financim që nuk buron nga shteti boshnjak, por nga kapitali dhe borxhi. Propozimi nuk specifikon se çfarë fitimesh presin për veten e tyre Flynn, Binnall dhe personat e tjerë të përfshirë.
Legjislacioni i ri boshnjak i miratuar në mars ka përcaktuar që AAFS-ja duhet të jetë kontraktori i tubacionit. Nuk ka pasur asnjë tender konkurrues, mënyra e zakonshme për t’u siguruar që kontratat t’i jepet një ofertuesi kompetent me çmim të drejtë.
Organizata joqeveritare, “Transparency International”, ka deklaruar: “Krijimi i një praktike të tillë në një vend me një nga nivelet më të larta të korrupsionit në Europë do të rezultonte me pasoja katastrofike në zbatimin e projekteve strategjikisht të rëndësishme, siç është tubacioni i gazit ‘Southern Interconnection’”.
Disa ditë më vonë, siç zbuloi gazeta “The Guardian”, ambasadori i BE-së u dërgoi liderëve të Bosnjës një paralajmërim privatisht se duhet të konsultohen me Brukselin për çdo ndryshim në politikën e energjisë që “të shmangin humbjen e mundësive për integrim të mëtejshëm, si dhe mundësive financiare”.
SHBA-ja është e palëkundur. “Ky partneritet forcon pavarësinë energjetike dhe i jep fund varësisë nga gazi rus”- postoi në X në prill Ambasada amerikane në Sarajevë. “Ka nisur një epokë e re për sigurinë energjetike në Ballkanin Perëndimor”.
Megjithatë, asnjë epokë e re nuk do të fillojë derisa të ndërtohet “Sputhern Interconnection”. Që kjo të jetësohet, administratës Trump do t’i duhet miqësia e njeriut që dëshiron ta ndajë vendin pikë e pesë.
Ultranacionalisti që dëshiron të prishë Marrëveshjen e Paqes
Milorad Dodik, lideri ultranacionalist i serbëve të Bosnjës, deri vonë trajtohej si politikan i izoluar nga Uashingtoni.
Administrata e Bidenit akuzonte Dodikun për abuzim me detyrën zyrtare me qëllim “të grumbullimit të pasuri personale përmes mitos, ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit” dhe shtoi sanksionet kundër tij dhe familjes së tij. “Retorika e tij përçarëse etno-nacionaliste pasqyron përpjekjet e tij për të … shmangur vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive”- thuhej në një deklaratë e Thesarit amerikan. Dodik i ka quajtur “gënjeshtra” sanksionet.
Kur Trump u rikthye në presidencë, Dodik nisi një fushatë multimiliondollarëshe lobimi për kultivimin e mbështetjes së administratës Trump dhe për heqjen e sanksioneve. Lobistët i cilësuan nacionalistët serbë të Dodikut si aleatë të Trump kundër Islamit. Njëri prej tyre ishte Michael Flynn, i cili fitoi 100 mijë dollarë për një muaj pune.
Administrata Trump në tetor pa asnjë shpjegim hoqi sanksionet. Donald Trump Jr, kujdestari i perandorisë së biznesit familjar, zbarkoi më 07.04.2026 në Banjallukë, qytetin kryesor në gjysmën serbe të Bosnjës, për një aktivitet organizuar për nder të tij.
I biri i Dodikut, Igori, i ofroi Trump Jr pritje të ngrohtë. “Prania juaj flet shumë”- do të thoshte ai. “Ne varemi nga ju dhe mbështetemi tek ju. Në këmbim, ju, Amerika dhe administrata republikane e udhëhequr nga babai juaj do të keni një aleat të besueshëm, të sinqertë dhe të krishterë në këtë pjesë të botës”.
Michael Murphy, ish-ambasador i SHBA-së në Bosnjë, thotë se Dodiku po fiton favore në rrethet e Trumpit ndërsa rreket të prishë Marrëveshjen e Paqes të vitit 1995, duke e shpallur të pavarur rajonin serb. “Ai dëshiron që ata t’ia përqafojnë agjendën më të gjerë. Me qëllim që ta realizojë këtë, ai nuk mund ta prishë projektin për gazsjellësin”. Ata që e përqafojnë atë, shton ai, po “luajnë me zjarrin”.
Sipas marrëveshjes së ndarjes së pushtetit në Bosnjë, serbët mund ta përdorin veton ndaj gazsjellësit. Dodiku, i cili mbetet lideri i tyre pavarësisht se hoqi dorë nga detyra zyrtare, ka çdo arsye për ta bërë këtë. Sikur se Victor Orani, i mposhtur së fundmi në Hungari, Dodiku është aleat i Putinit. Tubacioni ekzistues i Bosnjës jo vetëm që sjell gazin rus, duke zgjeruar ndikimin e Putinit në Ballkan, por njashtu kalon nëpër territorin e serbëve, duke u dhënë atyre kontroll mbi furnizimet me energji.
Por një politikan i lartë serb i Bosnjës thotë: “E pashë vetë këtë: Amerikanët këtu kanë një përparësi numër një dhe ky është tubacioni. Ata janë shumë, shumë të interesuar për këtë. Dodikut, si të gjithëve të tjerëve, iu tha: Mos luani me projektin”.
Trump Jr nuk e përmendi tubacionin ose AAFS-në gjatë eventit për nder të tij. Ama lavdëroi përfitimet e blerjes së gazit amerikan. “Kjo është diçka e qartë”, ka deklaruar ai. “Mund të zgjidhni kaq shumë probleme, si nga ana e biznesit ashtu edhe, sinqerisht, gjeopolitikisht, me këtë çështje të vetme. Mendoj se është alamet mundësie”.
Më 21.04.2026, pak kohë pas vizitës së Trump Jr., Dodik sinjalizoi se nuk do ta pengonte planin e Binnallit dhe Flynnit. Kjo e bën pothuajse punë të kryer marrjen e kontrollit nga bashkëpunëtorët e Trump të projektit kyç energjetik europian./The Guardian/









