Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka njoftuar se hapur sot thirrjen për aplikim në kuadër të Programit të Pagesave Direkte 2026, duke ftuar fermerët dhe subjektet e interesuara që të aplikojnë për subvencionet shtetërore.
Sipas njoftimit të ministrisë, aplikimi ka nisur më 22 qershor dhe do të zgjasë deri më 21 korrik 2026, në orën 16:00, ndërsa aplikimet duhet të dorëzohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi.
Nga ministria thonë se programi i sivjetmë është ridizajnuar në përputhje me harmonizimin gradual me politikat e Bashkimit Evropian dhe përfshin katër shtylla kryesore të mbështetjes: Pagesën Bazë për të Ardhura, Pagesat Rishpërndarëse, Pagesat e Lidhura me Prodhimin dhe Cilësinë si dhe Eko-Skemat.
Pagesa bazë mbështet sipërfaqet e mbjella me kultura të ndryshme bujqësore, përfshirë drithërat, perimet, patatet, pemët, hardhitë e rrushit dhe kulturat e tjera. Ndërkohë, pagesat rishpërndarëse parashohin mbështetje shtesë për hektarët e parë të fermës dhe për fermerët e rinj të moshës 18 deri në 29 vjeç.
Programi përfshin gjithashtu subvencione për sektorin e blegtorisë, bletarisë, pemëtarisë, perimtarisë, vreshtarisë, si dhe për prodhimin organik përmes eko-skema të veçanta.
Ministria ka bërë të ditur se çdo ndryshim në sipërfaqet e deklaruara, numrin e kafshëve apo sasitë e prodhimit duhet të raportohet në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), ndërsa afati i fundit për njoftimin e ndryshimeve në sipërfaqe është data 30 korrik 2026.
Për personat juridikë kërkohet dokumentacion shtesë, përfshirë certifikatën e regjistrimit të biznesit, dëshminë për përmbushjen e obligimeve ndaj ATK-së, konfirmimin e xhirollogarisë bankare dhe kopjen e letërnjoftimit të pronarit. Kurse, fermerët që përfitojnë subvencione mbi 30 mijë euro obligohen të aplikojnë si biznes.
MBPZhR ka theksuar se dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda afatit të aplikimit dhe se dokumentet e paraqitura pas përfundimit të afatit nuk do të shqyrtohen. Gjithashtu, bëhet e ditur se gjatë kontrolleve në terren do të zbatohen masat ndëshkimore të parapara me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2026 në rast të konstatimit të parregullsive.









