Çmimet e ngritura vazhdimisht kanë bërë që qytetarë të shumtë ta ndryshojnë mënyrën e jetesës, të ndryshojnë konsumin e produkteve ushqimore dhe t’i përshtaten deri në kufijtë e të mundshmes rrethanave të krijuara në buxhetet e tyre familjare si pasojë e çmimeve vazhdimisht të ngritura. Çka thonë qytetarët?
Buletini Ekonomik
Ngritja e egër e çmimeve edhe në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti ka vazhduar suksesivisht, nga muaji në muaj, madje edhe nga java në javë. Në muaj të caktuar kanë ndodhur ngritje enorme çmimesh, sidomos të produkteve ushqimore, atyre elementare dhe të domosdoshme për të jetuar normalisht.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shënoi rritje vjetore prej 6.8 për qind në muajin maj të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po sipas ASK-së, rritja vjetore e çmimeve u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i transportit me 14.1 për qind, strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 13.2 për qind, si dhe pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve me 5.6 për qind.
Ndikim në rritjen e inflacionit, gjithsesi patën edhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5.3 për qind, ushqimet dhe pijet joalkoolike me 5.1 për qind, shëndetësia me 4.1 për qind, etj.
Si rrjedhojë e ngritjes suksesive të çmimeve në këtë periudhë të trajtuar nga ASK-ja, inflacioni në muajin prill 2026 kishte arritur në 7.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë njohësit e ecurive të çmimeve në vend i bëjnë të diskutueshme të dhënat e ASK-së, dhe sipas tyre ngritja e çmimeve, sidomos e produkteve elementare ushqimore në muaj të caktuar, ka qenë ndjeshëm më e madhe se sa shifrat e bëra publike nga ASK-ja.
Sipas tyre, shumë produkte ushqimore në këta muaj janë ngritur ndjeshëm dhe shumë më shumë se sa përqindjet e paraqitura nga ASK-ja, si bie fjala, mishi i të gjitha llojeve (edhe i lopës, i viçit, por edhe i shpezëve) dhe produktet që kanë për bazë këtë produkt, që tani thuaja kanë çmim përgjysmë më të lartë se sa vitin e kaluar. Dhe këto çmime të ngritura, kanë ç’ekuilibruar goxha shumë mirëqenien e kosovarëve, por edhe kanë bërë që qytetarë të shumtë ta ndryshojnë mënyrën e jetesës, të ndryshojnë konsumin e produkteve ushqimore dhe t’i përshtaten deri në kufijtë e të mundshmes rrethanave të krijuara në buxhetet e tyre familjare si pasojë e çmimeve vazhdimisht të ngritura.
“Çmimet e larta të shumë produkteve ushqimore më kanë kushtëzuar ndryshimin e konsumimit të disa produkteve ushqimore. Kam nis të konsumojë produkte ushqimore më pak të kushtueshme si perime të stinës, djathra më të lira, më shumë vezë, ndërsa kam reduktuar maksimalisht në tryezën time mishin dhe produktet që vijnë nga ky ushqim, sado që nuk e kam të lehtë ta bëjë përshtatjen e mënyrës së re të të ushqyerit edhe timin, sidomos të familjes”, thotë për Buletinin Ekonomik, T.N., një prishtinas me të ardhura mbi mesataren kosovare, i cili deri sivjet ia ka dalë të përballojë mirë me të ardhurat e tija dhe të familjes nevojat e furnizimit me produkte të nevojshme ushqimore.
T.N. ka njohuri për tregun kosovar dhe lëvizjet e çmimeve, ndaj bën përpjekje maksimale që zëvendësimi i produkteve ushqimore me çmime të larta me produkte më të përballueshme të mos ndikojë ndjeshëm në standardin e deritanishëm të jetesës.
“Tani, në muajt e verës, do ta kemi goxha më të lehtë të kompenzojmë produktet e shtrenjta në tryezat familjare. Perimet cilësore të llojllojshme të stinës dhe që kanë çmime të pranueshme për më shumë qytetarë do të jenë domosdo ndihmesë për të përballuar valët e shtrenjtimit të disa produkteve të tjera”, ndërhynë në bisedë pensionisti prishtinas, që shoqëronte parafolësin.
Ai thotë se domatja e mirë, speci cilësor, karrotat dhe spinaqi, që herë pas herë vien edhe nga kopshtet e Kosovës, do të jenë padyshim njëfarë lehtësimi për të tejkaluar pasojat e çmimeve të ngritura të produkteve të tjera.
Të dy bashkëbiseduesit e Buletini Ekonomik thonë se qershori ka rritur ndjeshëm asortimentin e perimeve dhe sasinë e tyre në tregjet e gjelbra të kryeqytetit. Këtyre ditëve ka më shumë perime të freskëta, më shumë lloje dhe më shumë cilësi të tyre, pavarësisht se perimet në tregjet tona ende dominohen nga importi. Mirëpo, tashmë kanë nis të vijnë në sasi imponuese edhe perime të prodhuara nga fermerët e vendit, si qepët e reja, trangujt dhe lakrat e sivjetshme, spinaqi, karrotat. Gjithsesi, prurjet më të shumta të prodhimeve bujqësore në tregjet tona të gjelbra kanë ndikuar, sado pak në uljen e çmimeve te disa perime dhe në shumë raste stopimin e ngritjes së mëtejshme të çmimeve te disa produkte të tjera. /Buletini Ekonomik/