Qeveria në detyrë themelon Fondin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka njoftuar se të hënën ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka themeluar Fondin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të Republikës së Kosovës.

Themelimi i Fondit të detyrueshëm shëndetësor parashihet me Ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, i cili është miratuar këtë vit para se të shpërndahej Kuvendi.

Sipas Ligjit disa nga detyrat dhe përgjegjësitë e Fondit janë të zbatojë politikat e sigurimit shëndetësor, të përcaktuara nga Ministria e shëndetësisë, të sigurojë zbatimin e këtij Ligji si dhe të propozojë nivelin ose shumat e kontributeve për t’u paguar, bashkë-pagesat, pagesat shtesë, dhe mjetet e tjera financiare për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në bazë të vlerësimit të situatës së të hyrave dhe shpenzimeve, gjatë një periudhe afatmesme për miratim në Bordin drejtues.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu në këtë mbledhje thuhet se është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 400 mijë euro për zbatimin e Marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në këtë mbledhje sipas njoftimit është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 153 mijë eurosh me qëllim të mbështetjes së realizimit të tri ngjarjeve në kuadër të “OctoberTech” – iniciativë që thuhet se bashkon ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.