Kosova ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën ekonomike dhe tregtare, pasi Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” tashmë gëzon njohje ndërkombëtare. Ky zhvillim vjen pas akreditimit zyrtar të Odës Ekonomike të Kosovës në Paris nga International Chamber of Commerce dhe World Chambers Federation për lëshimin e Certifikatave të Origjinës me validitet global.
Ky akreditim u mundëson bizneseve dhe prodhuesve kosovarë që produktet e tyre të certifikohen sipas standardeve të njohura ndërkombëtarisht, duke rritur mundësitë për qasje më të lehtë në tregjet e huaja dhe duke forcuar besimin e partnerëve tregtarë.
Njohja ndërkombëtare e Certifikatës së Origjinës “Made in Kosova” pritet të ndikojë pozitivisht në fuqizimin e eksporteve, rritjen e kredibilitetit të produkteve vendore, avancimin e digjitalizimit të shërbimeve tregtare dhe ofrimin e mbështetjes më të madhe për eksportuesit dhe prodhuesit kosovarë.
Me këtë hap, produktet e Kosovës fitojnë një dimension të ri në tregjet globale, duke promovuar vendin me më shumë besueshmëri, konkurrueshmëri dhe dinjitet ekonomik në arenën ndërkombëtare. /Buletini Ekonomik/









