Borxhi publik i Kosovës arrin në 1.82 miliardë euro në vitin 2025

Borxhi publik i Kosovës ka arritur në 1.82 miliardë euro në fund të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 4.5 për qind krahasuar me një vit më parë, sipas Raportit Vjetor për 2025-ën të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Megjithatë, pavarësisht rritjes në vlerë nominale, pesha e borxhit publik ndaj Bruto Produktit Vendor (BPV) ka shënuar ulje.

Sipas BQK-së, raporti i borxhit publik ndaj BPV-së ka rënë në 16.4 për qind, nga 16.8 për qind sa ishte në fund të vitit 2024.

BQK vlerëson se rritja e likuiditetit të Qeverisë ka ndikuar në strukturën e borxhit publik. Si rezultat, borxhi i brendshëm publik gjatë 2025-ës ka shënuar një rënie të lehtë prej 0.1 për qind, duke arritur në 961.1 milionë euro.

Ndryshe, Kosova në pesë-gjashtë vjetët e fundit, vazhdimisht është shquar me borxh të ulët publik, edhe në krahasim me BPV-në, por edhe me shtetet e ranjonit dhe të botës.

Sipas shifrave konkrete, më 2018, bie fjala Kosova kishte nivelin e borxhit publik 17,04 për qind të BPV-së, më 2019 ishte 17, 63 për qind, më 2020 – 22,44 për qind, më 2021 – 21,53 për qind, më 2022 – 19,91 për qind dhe në fund të gjashtëmujorit të parë të 2023-tës – 17,30 për qind të BPV-së.

Në anën tjetër, borxhi i jashtëm publik është rritur me 10.3 për qind, duke arritur në 854.6 milionë euro. Ky nivel përfaqëson 47.1 për qind të borxhit të përgjithshëm publik të Kosovës. /Buletini Ekonomik/