Për shumë njerëz, negocimi është i sikletshëm. Por një shprehje e vjetër është e vërtetë – nuk do ta merrni atë që nuk kërkoni.
Si shumica e gjërave, negociatat bëhen më të lehta me kalimin e kohës.
Dhe lajmi i mirë është se, edhe nëse nuk merrni gjithçka që kërkoni, shanset janë që të merrni disa. Në fakt, sipas një sondazhi të fundit, 83% e njerëzve që negociuan pagën e tyre kur pranuan një punë të re thonë se kanë marrë paga më të larta.
Negocimi duhet të jetë një bisedë, jo një luftë për pushtetin
Hapi i parë për të kërkuar çfarëdolloj gjëje (një rritje page, ngritje në detyrë, punë në distancë, më shumë fleksibilitet, një rol i ri, etj.) është t’i qaseni bisedës si një bashkëpunim dhe jo si një luftë për pushtet.
Shprehje si “Do të më pëlqente të kuptoja se cilat janë mundësitë për t’iu afruar kësaj page” hapin biseda, në vend që të mbyllen thjesht me një “po” ose “jo”.
Dhe nëse merrni si përgjigje një “jo”, përpiquni të vendosni pritshmëri në një afat të caktuar, për të marrë një “po”, duke rënë dakord për standardet që mund t’i arrini dhe t’i kontrolloni përsëri brenda tre deri në gjashtë muaj.
Pjesa e parë e përgatitjes – Kërkimi
Kërkimi është i rëndësishëm kur flitet për të negociuar pagën në një punë të re, apo kur shpresoni për një rritje page në punën aktuale.
Hapi i parë është të zbuloni se sa variojnë pagat në treg për këtë pozicion pune, duke përdorur faqe si salary.com, payscale.com dhe Bureau of Labor Statistics (Byroja e Statistikave të Punës).
Përpiquni të shihni se sa fitojnë njerëzit në pozicione të ngjashme në sektorin tuaj (mos harroni të merrni parasysh pozicionin dhe kohëzgjatjen e përvojës).
Nëse bëhet fjalë për një punë të re, mund të jetë i dobishëm të kuptoni se prej sa kohësh kompania po përpiqet të punësojë dikë në këtë vend të lirë dhe se sa persona mund të kenë punuar më parë në këtë rol.
Kjo mund t’ju japë një ide të emergjencës së punësimit dhe avantazhit që mund të përfitoni.
Pjesa e dytë e përgatitjes – Dokumentimi
Dokumentimi është i rëndësishëm kur kërkoni diçka në punën aktuale. Nëse kompania juaj u kërkon punonjësve të kthehen në zyrë dhe ju dëshironi të punoni nga shtëpia, përpiquni të kuptoni se çfarë shpresojnë të arrijnë drejtuesit me rikthimin e punonjësve në zyrë.
Nëse drejtuesi juaj është i shqetësuar në lidhje me produktivitetin, shpjegojini se në ç’mënyrë rendimenti juaj ka mbetur i pandryshuar apo nëse është përmirësuar gjatë periudhës që keni punuar nga shtëpia dhe tregojeni me të dhëna konkrete.
Por nëse ai dëshiron të nxisë më shumë bashkëpunimin, duhet të prezantojë një plan që parashikon kontrollin e kolegëve. Në çdo rast, jini të gatshëm të bëni kompromise. Mund të jetë e vështirë të arrini një përjashtim për një rregull që zbatohet për gjithë punonjësit, por një kompromis i formës së një orari hibrid mund të jetë një mundësi.
Kërcënimi se do të jepni dorëheqjen nëse nuk arrini atë që doni (apo të thoni se keni një ofertë tjetër pune), ka të ngjarë jo vetëm t’ju kthehet mbrapsht, por gjithashtu mund të lërë një shije hidhur në marrëdhënien tuaj të punës. /monitor.al/
/ Fast Company