Investimet e huaja direkte në tremujorin e dytë 2023 kanë shënuar rënie prej 12.5 për qind në Kosovë.
Sipas raportit “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë TM2 2023” të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thuhet se investimet e huaja direkte në periudhën prill-qershor 2023 rezultojnë të kenë shënuar rënie prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 184.4 milionë euro.
“Rënia IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, ndërtimtarisë dhe sektorin e xehetarisë përfshirë guroret”, thuhet në raport.
Sipas BQK-së sektori i patundshmërisë mbulon 60.0 për qind e përgjithshme të IHD-ve apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023, raporton KosovaPress.
Ndërsa, investimet e huaja direkte të rezidenteve nga Kosova në vendet tjera kanë shënuar rritje në periudhën prill-qershor 2023, duke arritur vlerën prej 53.1 milionë euro (50.7 milionë euro në prill-qershor 2022), investime të destinuara në vendet e rajonit e të orientuara kryesisht në sektorin e patundshmërisë.