Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Telekomit për huamarrje 15 milionë euro për projekte investive në këtë ndërmarrje.
Vendimi është marrë në mbledhjen e së enjtes, ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se fuqizimi i ndërmarrjeve publike dhe rikthimi i tyre drejt profitabilitetit përmes mirëmenaxhimit dhe investimeve kapitale, është prioritet i Qeverisë.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ministria ka shqyrtuar kërkesën e Telekomit e cila fillimisht ka qenë 20 milionë euro.
Por sipas tij, meqenëse vitin e kaluar kanë aprovuar pjesën e parë prej 5 milionë euro për të filluar investimet, tani është radha që të vihet në dispozicion edhe pjesa e dytë prej 15 milionë eurove dhe të kompletohet i tërë plani investiv.
“Kjo kredi do të shërbejë për investime në pajisje dhe sisteme telekomunikuese si dhe në përmirësimin e shërbimeve nga Telekomi”, ka thënë ai duke shtuar se Telekomi ka pasur nevojë për këtë kredi shtesë. /Telegrafi/