Këto janë 40 qytetet më të mira në botë për balancën jetë profesionale – personale

Helsinki është qyteti më i mirë në botë për ekuilibrin jetë profesionale – jetë personale.

Ky është përfundimi i studimit të ri të Kisi, që krahason të dhënat e një sërë faktorëve si “cilësia e jetës”, intensiteti i punës, mbështetja nga institucionet, barazia dhe legjislacioni për të hartuar këtë klasifikim.

Reklama e sponzorizuar

Helsinki, Mynihu dhe Olso janë tre qytetet me ekuilibrin më të mirë mes jetës profesionale dhe jetës personale. Qytetet me ekuilibrin më të keq jetë profesionale – jetë personale janë Tokio, Singapori dhe Uashington DC.
Duke përdorur të dhënat që lidhen me intensitetin e punës, mirëqenies sociale dhe cilësisë së jetës, indeksi pretendon të vlerësojë se sa të suksesshëm janë rezidentët në arritjen e këtij ekuilibri në 40 qytete të botës.

Rezultati i përgjithshëm punë – jetë personale për çdo qytet është vlerësuar duke u mbështetur në një sërë faktorësh që lidhen me sasinë e kohës që një person i kushton punës, si numrin e orëve totale, ditët e pushimeve dhe ditët e lejes pas lindjes.

Në fund, mirëqenia e punonjësve në çdo qytet është matur nëpërmjet lumturisë dhe lirisë së përgjithshme, duke u dhënë mundësinë kërkuesve të kuptojnë nëse rezidentët mund t’i gëzohen mjedisit rreth e qark pas orarit të punës.

“Pavarësisht se jetojmë në një epokë ku është bërë progres i paprecedentë në teknologji dhe në ndërlidhje, nuk kemi mundur të zgjidhim aspektin e përmirësimit të jetës sonë të përditshme, gjetjen e ekuilibrit mes punës dhe kohës së lirë, – tha CEO i Kisi, Bernhard Mehl. – Shpresojmë që ky studim të nxisë nevojën për më shumë hulumtime për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, në mënyrë që të luftojë kostot psikologjike dhe ekonomike të stresit në vendin e punës”.

Disa nga gjetjet kryesore të studimit:

-Qytetarët në Oslo punojnë më pak orë në javë, 38,9 orë, ndjekur nga Sidnej dhe Melburni.

-Punonjësit në Barcelonë marrin më shumë ditë pushimesh, 30,5, ndjekur nga Parisi dhe Mynihu.

-Koha që shpenzojnë punonjësit në Cleveland për të shkuar në punë është më e shkurtra, 22,2 minuta, ndjekur nga Las
Vegasi dhe Portland.

-Qytetet australiane kanë rezultatin më të lartë për kujdesin shëndetësor, ndjekur nga Japonia dhe Italia.

-Oslo është qyteti më i mirë për kujdesin ndaj shëndetit mendor, 68,9, ndjekur nga Zyrihu dhe Parisi.

-Helsinki është qyteti me rezultatin më të lartë në lidhje me lumturinë, 100, ndjekur nga Oslo dhe Zyrihu.

-Mynihy është qyteti me nivelin më të ulët të stresit, 15,8, ndjekur nga Sidnej dhe Hamburgu.

-Singapori ka rezultatin më të lartë për hapësirat në natyrë, 100, ndjekur nga Zyrihu dhe Hong Kongu.

-Seattle është qyteti me nivelin më të ulët të ndotjes atmosferike, 8 µg/m3, ndjekur nga Portland dhe Stokholmi.

-Zyrihu është qyteti me rezultatin më të lartë për mirëqenien dhe fitness-in, me 100 pikë, ndjekur nga Tokio dhe Otava.

-Londra ka rezultatin më të lartë për kohën e lirë, me 100, ndjekur nga Tokio dhe Nju Jorku.

Klasifikimi i plote 40 qytetet më të mira në botë për balancën jetë profesionale – jetë personale https://www.getkisi.com/work-life-balance#table 

*Mark Eltringham
Burimi: Workplaceinsight