Kryetari i Shoqatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për çmimet e larta të produkteve në vend.
Ai thotë se ankesat e qytetarëve për çmimet janë mashtrim dhe se çmimet janë nominale.
“Qytetarët kanë të drejtë për ankesat e tyre por më vjen keq ta them mirëpo ankesat e tyre janë të kota, për arsye se në këto rrethana në të cilat jemi ne, ankesa është mashtrim. Qeveria ende nuk e ka nisur mandatin që të na informojë, edukojë, arsimojë, vetëdijesojë për të qenë partner i shtetit. Ndërsa, sa i përket çmimeve, ato janë shumë më të larta se ato që janë të konstatuara si çmime nominale nga ASK. Sepse përveç çmimeve, ne kemi edhe ngritje reale të tjera që kanë të bëjnë me peshën, vëllimin, skadencën, komponentët, etj”, thotë ai.
Sipas Kaçanikut, disa çmime janë më të larta se në BE, duke shtuar se këto nuk janë çmime por janë kundërmime dhe abuzime me çmimet.
“Dhe çmimet në Kosovë kur kemi parasysh se disa janë pothuajse të njëjta me ato në Bashkimin Evropian e disa edhe më të larta, dëshmojnë se diçka nuk është në rregull, diçka kundërmon keq, ajo që kundërmon sipas meje është se brenda këtyre çmimeve që ne i paguajmë me vështirësi pasi 30 për qind e konsumatorëve në familje të varfra ka falimentuar qëndrojnë edhe shpenzimet e klientelizmit, shpenzimet e korrupsionit, shpenzimet e partive politike, të cilat po mund të marrin të ashtuquajtura donacione dhe subvencione dhe të gjitha këto ne i paguajmë si çmim. Në të vërtetë këto nuk janë çmime por janë kundërmime dhe abuzime me çmimet”, shprehet kryetari i Konsumatorit.
Ai ka shtuar se Qeveria nuk e njeh qytetarin konsumator dhe e mban atë vetëm për vota dhe për të kryer obligimet fiskale, për mbushje të buxhetit.
“Do të ishte mirë që veprimi i parë të jetë ai që i takon Qeverisë, që ta njohë qytetarin konsumator, familjen konsumatorë. Ne nuk komunikojmë ende, i kemi të gjitha së bashku por në asnjë vendim, në asnjë projekt nuk marrim pjesë siç nuk morëm pjesë p.sh në projektin e udhëzimit e administrativ për qeset plastike për mbrojtje të mjedisit. D.m.th ne nuk komunikojmë, nuk jemi pjesëtarë të këtij shteti, jemi të eksplatuar, sikur edhe qeveritë tjera edhe kjo qeveri neve na mban sa për kokrra, për vota, për kryerjen e obligimit tonë fiskal, për mbushjen e buxhetit, ndërsa për të tjerat qeveria i bën si di dhe si do vetë, por jo si kemi nevojë ne ose të paktën siç paragjykojmë ne. Pra, edhe paragjykimet tona duhet të na i dëgjojë”, deklaron Kaçaniku./Gazeta Blic/