Ministria e Financave dhe Telekomi nënshkruajnë marrëveshje për kredi investive

Për të përkrahur ristrukturimin e brendshëm të Telekomit të Kosovës, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, së bashku me Kryeshefen e Telekomit, Burbuqe Hana, kanë nënshkruar sot marrëveshjen për transhin e dytë të kredisë investive me vlerë 15 milionë euro.

Sipas njoftimit të ministrisë, kjo marrëveshje synon të vazhdojë investimet në teknologjinë e pajisjeve dhe sistemeve telekomunikuese të Telekomit të Kosovës duke mundësuar kështu ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe cilësore për institucionet dhe qytetarët.

Reklama e sponzorizuar

Përveç kësaj, marrëveshja gjithashtu ka për qëllim të garantojë qëndrueshmërinë financiare të kësaj ndërmarrjeje me interes publik që operon në sektorin e komunikimit si një nga sektorët kyç ekonomikë.

Marrëveshja e nënshkruar sot është vetëm një nga veprimet e ndërmarra nga MFPT për të përkrahur financiarisht Telekomin e Kosovës.

“Kujtojmë se në qershor të vitit të kaluar MFPT ofroi mbështetje financiare me vlerë 7.7 milionë euro për uljen e shpenzimeve operative të kësaj ndërmarrjeje, ndërsa në dhjetor të po të njëjtit vit, MFPT aprovoi transhin e parë të kredisë investive me vlerë 5 milionë euro. Pra, në një periudhë dy vjeçare, mbështetja financiare ofruar Telekomit të Kosovës tashmë ka tejkaluar vlerën prej 27 milionë euro. Ky investim në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve nga Telekomi i Kosovës rikonfirmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për kthimin e ndërmarrjeve publike në një qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik në vend”, thuhet në njoftimin e ministrisë.