Çka tregojnë të dhënat diskutabile dhe shifrat e ndryshme të investimeve të huaja në Kosovë?

Po të krahasohen shifrat konkrete të investimeve të huaja direkte në Kosovë me ato në Shqipëri, e radhitur pas nesh sipas një rangliste të BB-së, IHD-të në vendin tonë dalin të jenë përgjysmë më pak. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar investimet e huaja direkte atje arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë dhe në vlerën më të lartë të shënuar ndonjëherë, ndërsa në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, investimet e huaja direkte vitin e kaluar kanë arritur në 778.2 milionë euro, që i bie rreth përgjysmë më pak se sa në Shqipëri. Në Kosovë është e diskutueshme edhe cilësia e IHD-ve, ku dominojnë absolutisht blerja e patundshmërive dhe e banesave nga mërgata jonë.

Buletini Ekonomik

Të dhëna krahasuese të Bankës Botërore për vitin e kaluar (2022), e rangojnë Kosovën goxha lartë ndër vendet e rajonit sa i përket investimeve të huaja direkte. Sipas BB-së, investimet e huaja në Kosovë vitin e kaluar ishin 8,6 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose vendi ynë renditet i dyti në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas Malit të Zi.

Për vitin e kaluar, Mali i Zi thithi investime të huaja direkte në masën e 14.3% të PBB-së, me diferencë të konsiderueshme nga vendet e tjera të rajonit. Pas Kosovës, renditet Shqipëria me 7.6% të PBB-së. Në krahasimin me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, si e treta në këtë listë, lë pas Maqedoninë e Veriut, ku flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte vitin e kaluar përbënin 6.4% të PBB-së dhe Bosnje-Hercegovinën, me 2.6% të PBB-së. Dhe në të parë kështu, këto shifra janë imponuese dhe pa u thelluar shumë dhe pa ndonjë analizë më të thellë, duket se Kosova po qëndruaka mirë, madje shumë mirë sa i përket investimeve të huaja. Por, në fakt, gjendja reale dhe në vlerë absolute e investimeve të huaja direkte gjatë viteve të fundit në Kosovë, edhe gjatë vitit të kaluar është thuaja se dëshpëruese, me investime të huaja që nuk lënë edhe aq gjurmë në zhvillimet ekonomike të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Por, llogaritjet e investimeve të huaja sipas metodologjisë së BB-së (vlera e tyre në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto), kur dihet se PBB-ja në Kosovë është ndjeshëm më e ulët në Kosovë se sa në të gjitha shtetet e rajonit veç e veç, e nxjerrin Kosovën të ranguar më lartë sa i përket investimeve të huaja, ndërsa të dhënat reale, numrat e vërtetë të parasë që si IHD kanë ardhur në Kosovë, tregojnë dëshpërimisht ngecje dhe rënie të investimeve të huaja në republikën tonë.

Sipas të dhënave të disa asociacioneve ndërkombëtare finanaciare, për vitin 2022 Kosova është renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Shqipëria ishte renditur e 90-ta – mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë me 17,383 dollarë. Sipas kësaj renditjeje, Mali i Zi kryesonte në rajon si vendi më i pasur me PBB-në më të lartë për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse, duke u ranguar në vend të 69-të në botë me 24,878 dollarë. Më pas vjen Serbia dhe Maqedonia e Veriut të renditura në vend të 72, respektivisht në të 78-tin. Ndërsa, Bosnje Hercegovina në këtë renditje qëndron në vend të 88-të me 17,471 dollarë për frymë.

Tregues të tjerë dhe shifrat konkrete të investimeve të huaja e pasqyrojnë gjendjen reale të IHD-vë në vendin tonë. Kështu, kur i sheh dhe i prekë shifrat reale, e sheh që Kosova është e parafundit me investime në Ballkan krahasuar me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë.

“Investimet e Huaja Direkte vitin e kaluar kanë arritur në 778.2 milionë euro”, është shifër e dalë nga Raporti i fundit i BQK-së, por e proklamuar në disa raste edhe nga zyrtarë të lartë aktual.

Kjo shifër, sipas BQK-së, i bie të jetë diku rreth 85 për qind, më shumë se në vitin 2021. Ndërkohë, sipas raportit “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë TM2 2023” të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), investimet e huaja direkte në periudhën prill-qershor 2023 rezultojnë të kenë shënuar rënie prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 184.4 milionë euro.

Ndërsa, po të krahasohen shifrat konkrete të investimeve të huaja direkte në Kosovë me ato në Shqipëri, e radhitur pas nesh, sipas ranglistës së BB-së, IHD-të në vendin tonë dalin të jenë gati për gjysmë më pak. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar investimet e huaja direkte arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë dhe në vlerën më të lartë të shënuar ndonjëherë, ndërsa në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, Investimet e Huaja Direkte vitin e kaluar kanë arritur në 778.2 milionë euro, që i bie rreth përgjysmë më pak se sa në Shqipëri.

Edhe me këto shifra investimesh të huaja, sipas asociacioneve të ndryshme të vendit, që kalkulojnë tregues të zhvillimeve ekonomike, ndër ta edhe të investimeve, Kosova renditet e parafundit në Ballkanin Perëndimor për investime të huaja, duke theksuar se krizat politike që ndodhin përbrenda vendit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në investimet në Kosovë. Mirëpo, kur të kihet parasysh e vërteta se të dhënat për investimet e huaja direkte (IHD-të), kryesisht rezultojnë si rrjedhojë e investimeve të diasporës sonë në patundshmëri, respektivisht në blerjen e banesave nga mërgata kosovare dhe aty-këtu ndonjë toke (sipas BQK-së sektori i patundshmërisë mbulon 60.0 për qind e përgjithshme të IHD-ve apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023), atëherë, për shkak të cilësisë së këtyre investimeve, ato bëhen edhe më tutje të diskutueshme.

E”dhe më 2022, sikundër edhe në shumë vite të tjera të pasluftës, sektori i patundshmërisë ka vazhduar të mbetet më atraktivi dhe më i rëndësishmi për investime të huaja dhe përbën 67.3 deri në 70 për qind të gjithsej IHD-ve”, thuhet mes tjerash në raportin e BQK-së.

Blerja e banesave, shtëpive e tokave përbën 68 për qind nga gjithsej 389 milionë eurot e investimeve nga jashtë në vitin e kaluar.

Pavarësisht se sipas raportit të BQK-së – rritja e vlerës së investimeve të huaja direkte në patundshmëri vlerësohet se është ndikuar nga rritja e çmimeve në këtë sektor, sipas ekspertëve dhe njohësve të investimeve të mërgatës sonë, diaspora, po vazhdon të investojë paranë e tyre në blerjen e pasurive të paluajtshme, në shumicën absolute të rasteve, të banesave, mbase me të vetmin ndryshim evident dhe që është orientimi i blerjes së banesave në qendrat e afërtat me kryeqytetin.

Thjesht, Kosova ka varësi të madhe nga paratë e mërgatës sonë që tashmë numërkishit s’është më e pakët në Gjermani, Zvicër, Itali dhe Austri, shtete këto ku kosovarët kryesisht jetojnë në numër më të madh, dhe nga paratë e mërgatës sonë të shtrirë gjithandej në shtetet të tjera te Europës dhe përtej saj.

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, Kosova përballet me një mesatare emigrimi prej 23,933 personash në vit, apo 1.3 për qind e popullatës së përgjithshme, ndërsas kjo mërgatë, sivjet deri në tetor të 2023-tës solli në Kosovë 1, 19 miliardë euro. Këto janë shumë para.

Por, ato nuk duhet të investohen vetëm në paluajtshmëri dhe në banesa. Shqetësimin për mungesë investimesh të huaja direkte, ose investime fare të pakta si dhe për ngecje evidente të investimeve kapitale në Kosovë, e ka shprehur kohë më parë edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), nëpërmjet publikimit të raportit “Klima e Investimeve 2023”, dhe në të cilën përmenden edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosova. Në raport thuhet se Kosova është një nga vendet më të varfëra të Evropës, dhe se përkundër se ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, ka dështuar për shkak të ndikimit të politikës dhe korrupsionit.

“Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte (IHD), por ky potencial është i kufizuar nga dështimi i saj për të adresuar disa çështje serioze strukturore, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global, ndërhyrja politike në ekonomi, korrupsioni, furnizim jo i besueshëm me energji, një sektor i madh informal, vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore, dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë mangësitë në zbatimin e kontratave”, thuhet në raport.

DASh-i thotë se Investimet e Huaja Direkte (IHD) mbeten të kufizuara në Kosovë ndërsa theksohet se remitancat nga diaspora (që përfaqësojnë 16 për qind të PBB-së në 2021) vazhdojnë të jenë shtytësi kryesor ekonomik i vendit, duke nënvizuar nevojën që Kosova të diversifikojë burimet e rritjes ekonomike,por, edhe e dhëna se “pavarësisht sfidave, Kosova ka tërhequr një numër investitorësh të rëndësishëm, duke përfshirë disa firma ndërkombëtare dhe ekskluzivitete amerikane.

Sektorët e tjerë me kontribut në rritjen vjetore të IHD-ve, por që janë ndjeshëm nën hijen e patundshmërive, sipas raportit të BQK-së, ishin sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, si dhe sektori i ndërtimtarisë. Ndërkohë, dihet se investimet në patundshmëri (në blerjen e banesave dhe të lokaleve), qoftë edhe me paranë e ardhur nga jashtë, nuk e kanë efektin as të përafërt të zhvillimit ekonomik, të gjenerimit të kapitalit, të krijimit të vendeve të punës dhe të rritjes reale të zhvillimit ekonomik. Prandaj, po të analizohen më detajisht investimet e huaja direkte në Kosovë, nuk dalin të jenë edhe aq rezultative dhe të efektshme, megjithë shifrat goxha të larta të apostrofuara. Shi për këtë, dalin të jenë diskutabile këto shifra për investime të huaja.

Kosova edhe më tutje po ngec ekonomikisht, po stagnon edhe në realizimin e investimeve kapitale, edhe në tërheqjen e parasë nga investitorë të jashtëm. Prandaj, shpërfaqen publikisht edhe shqetësimet e DASH-it, asociacioneve ekonomike brenda për brenda Kosovës dhe të zyrtarëve e njohësve të rrethanave të zhvillimeve në fushën e investimeve. /Buletini Ekonomik/