Bursat europiane tentojnë rimëkëmbjen

Shumica e bursave europiane po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin të tjerë katalizatorë që mund të mbështesin tregjet. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rritje të lehtë me 0.2%, ndërsa sektori minerar kryeson humbjet, në rënie me 0.8%.

Ndërkohë, tregtimi i firmave me kapital të vogël në London Stock Exchange është pezulluar në mëngjesin e sotëm, ndërsa operatori i bursës, LSEG tha se ishte një incident, por pa dhënë detaje të tjera.

Sektori i telekomunikacionit ka njohur luhatjet më të mëdha, me Ericsson që ka fituar rreth mbi 8% të vlerës, pas marrëveshjes së arritur me AT&T për të ndërtuar një rrjet të madh telekomunikacioni duke përdorur teknologjinë ORAN. Në anën tjetër, aksionet e Nokia ranë me rreth 7% duke prekur nivelin më të ulët që nga nëntori i vitit 2020.

Reklama e sponzorizuar

Shpenzimet e AT&T mund të arrijnë deri në 14 miliardë dollarë, gjatë një kontrate 5-vjeçare me Ericsson, thanë kompanitë të hënën. Ericsson do të prodhojë pajisjet 5G në fabrikën e saj në Lewisville, Teksas.

Ndërkohë, perspektiva për uljen e normave të interesit nga bankat qendrore e rriti indeksin S&P 500 në nivelin më të lartë për vitin 2023, ndërsa Dow Jones realizoi fitimet më të mëdha mujore që nga tetori i vitit 2022. Vrulli në rritje vijoi, pavarësisht përpjekjeve të shefit të Rezervës Federale, Jerome Powell, për të zbutur pritshmëritë e tregut për uljen e normave të interesit, i cili argumentoi se është e parakohshme të arrihet në përfundimin se rritja e interesave ka përfunduar./Scan tv/