Çka tregojnë krahasimet e ecurive të çmimeve në Kosovë dhe në Shqipëri?

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,9 për qind në muajin nëntor 2023 krahasuar me nëntorin e 2022-tës. Ndërsa, në Shqipëri, çmimet për një sërë produktesh të shportës ushqimore kanë shënuar rënie këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar sipas të dhënave të kompanive importuese.

Buletini Ekonomik

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,9% në muajin nëntor 2023, krahasuar me muajin nëntor 2022.

Reklama e sponzorizuar

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej (2,9 %) në muajin nëntor 2023 krahasuar me muajin nëntor 2022”, thuhet në raportin e ASK-së.

Kryesisht janë shënuar ngritje çmimesh të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pemët 19,4%, perimet 16,1%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 10,8 %, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 7,7%, prodhimet ushqimore 7,0%, veshjet dhe këpucët 6,0%, pijet alkoolike, duhani 5,9%, rekreacionet dhe kultura 5,3%.

Po ashtu energjia elektrike, gazi dhe lendët djegëse të tjera u rritën me 4,8%, buka dhe drithërat 3,5%, mallrat dhe shërbimet e ndryshme 2,7% dhe mishi (1,2%), dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,1 për qind në IHÇK-it.

Më saktësisht, sipas ASK-së, ngritja e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: energjia elektrike, gazi dhe lendët djegëse të tjera 2,9 %, qumështi, djathi dhe vezët 0,8 % dhe ushqimi dhe pijet joalkoolike 0,2%, dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,3 për qind në IHÇK-it.

Duhet konstatuar se këto të dhëna të ASK-së për ngritje çmimesh në nëntor, së paku për disa produkte të apostrofuara nga ASK-ja duket se janë goxha të vjetëruara, sepse çmimi i disa produkteve të shportës gjatë nëntorit në Kosovë është ngritur deri në mbi 50 për qind. Çmimi i vezëve në Kosovë, bie fjala, në nëntor është ngritur 2-3 herë dhe atë nga 2,5 euro, në 3, pastaj në 3.4 euro për të shkuar në fund të nëntorit në 3,8 euro. Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajrat dhe yndyrat (-10,3%) dhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj (-4,9%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,2 për qind në IHÇK-it.

Ndërsa, në Shqipëri, çmimet për një sërë produktesh të shportës ushqimore kanë shënuar rënie këtë vit krahasuar me vjet sipas të dhënave të kompanive importuese. Ndër produktet e shportës ushqimore me rënien më të lartë që varion nga 30 deri 34% është çmimi i vajit të lulediellit dhe sheqerit, ndërsa çmimet e shitjes për orizin, fasulen dhe drithërat janë rritur nga 1,5 deri në 15,5%.

Sipas të dhënave të kompanisë importuese dhe paketuese të mallrave ushqimore “Teuta” për periudhën tetor-nëntor 2022 çmimi mesatar i shitjes së vajit të lulediellit ishte 350 lekë (kursi i këmbimit përafërsisht një euro me 102 lekë)për litër. Për të njëjtën periudhë të këtij viti, çmimi mesatar i shitjes për vajin e lulediellit është 201 lekë për litër, duke shënuar rënie 34%.

Rënia e shitjes së vajit të lulediellit raportohet edhe nga importues të tjerë, ku sipas tyre aktualisht vaji i lulediellit po tregtohet me shumicë me çmim nën 200 lekë për litër (çmimi varion nga 150 deri 180 lekë për litër).

Ulja e çmimit të vajit të lulediellit, siç raporton Monitor, nisi nga muaji qershor 2022, periudhë në të cilën nisi të importohet vaji nga depozitat e Ukrainës drejt vendeve kufitare, pasi transporti detar ishte i bllokuar nga lufta. Në muajin korrik 2022, çmimi i vajit u ul 24% krahasuar me çmimin e shitjes pas luftës.

Rënie të çmimit ka pasur edhe për sheqerin. Çmimi mesatar i sheqerit sipas të dhënave të kompanisë Teuta për muajt tetor-nëntor 2023, arriti 100 lekë për kg nga 115 lekë për kg që ishte vjet (rënia 15%). Edhe importues të tjerë pohuan për Monitor se shitjet e çmimit të sheqerit me shumicë aktualisht janë 100 lekë për kg, nga 130 lekë për kg që u shit vjet (rënie 30%).

Ndryshimi i çmimit të sheqerit është ndikuar nga rënia e shitjes së tij në bursa dhe ndryshimi i kursit të këmbimit të dollarit, monedha me të cilin blihet sheqeri në bursa. Por, çmimi i sheqerit në Kosovë, nuk është ndikuar nga rënia e shitjes së tij në bursa dhe ndryshimi i kursit të këmbimit të dollarit, monedha me të cilin blihet sheqeri në bursa. Sepse, siç u apostrofua më lartë në këtë tekst, sipas të dhënave të ASK-së, në muajin nëntor 2023 krahasuar me muajin nëntor 2022, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat janë tregtuar me çmim të ngritur 7,7 për qind (ndërkohë në Shqipëri çmimi i sheqerit në këtë periudhë ka shënuar ulje, madje 15 për qind).

Pesha e shpenzimeve për ushqime dhe pije jooalkoolike te familjet shqiptare vijon të mbetet më e larta krahasuar me vendet europiane. Shpenzimet e shqiptarëve më 2022 për ushqime dhe pije joalkoolike zunë 39,7% të shpenzimeve të buxhetit familjar, sipas të dhënave të INSTAT. Pak a shumë, situatë e ngjashme është edhe në Kosovë sa i përket shpenzimeve për ushqime. /Buletini Ekonomik/