Sipërfaqet e arrës shtohen në vitet e fundit në Kosovë: Sa kushton ky frut te ne?

Në vitin 2020, me arrë në Kosovë ishin të kultivuara 1 mijë e 295 hektarë, që do të thotë se arra kishte pjesëmarrje prej 13 për qind të gjithë sipërfaqes së përgjithshme të mbjellur me pemë (10,265 hektarë). Tregtohet kryesisht në markete të ndryshme, si dhe nëpër tregje të tjera, kryesisht në tregjet e gjelbra. Arrat, sipas shitësve në Prishtinë, tregtohen të thyera (të qëruara) dhe të pathyera, ndërsa konsumohen më shumë gjatë periudhës së dimrit.

Blendrita Avdiu

Aktualisht, nëpër tregjet e Prishtinës, një kilogram i arrave të pathyera kushton 3 euro, ndërkohë një kilogram i arrave të thyera ose të qëruara kushton 10 euro.

Reklama e sponzorizuar

Arsyeja e diferencës së lartë në çmimin e tyre, sipas njërit nga shitësit në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, është se lëvozhga e arrës peshon relativisht shumë karshi frutit brenda saj. Sipas njohësve të këtij fruti, për të fituar një kilogram arra të qëruara duhet rëndom tre kilogramë të arrave të pathyera. Prandaj, gjithnjë është kaq e madhe diferenca në çmim, gjegjësisht luhatja kaq e madhe në çmim, lidhet me peshën e tyre gjatë shitjes.

Nga një vizitë e Buletinit Ekonomik në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, u pa se ka sasi të mjaftueshme të arrave për shitje. Edhe  njëri nga shitësit  në këtë treg, e pohoi praninë e dukshme të arrës në këtë treg dhe në tregjet e tjera të kryeqytetit, por edhe të vendit.

Ai preferon të flasë në kushte anonimiteti dhe thotë se personalisht arrat të cilat i shet, i ka vendore dhe se ato i blen kryesisht në rajonin e Dukagjinit, konkretisht në Pejë.

Sipas tij, arrat e pathyera konsumohen më shumë gjatë periudhës së dimrit nga familjet kosovare, ndërsa ato të qëruarat siç thotë ai, i marrin më shumë gjatë festave për gatimin e bakllavave ose edhe ëmbëlsirave të ndryshme.

Mirëpo, nga vizitat e tjera të Buletinit Ekonomik nëpër Prishtinë, u pa se në shumicën e marketeve tregtohen vetëm arrat e qëruara. Momentalisht një pako e arrave të thyera e cila peshon 70 gramë, në marketet në kryeqytet kushton 2 euro e 9 centë. Ndërsa kilogrami kushton 12 euro e 99 centë.

Menaxherja e një supermarketi në Prishtinë tha se arrat të cilat i shesin, i marrin nga furnitorët e tyre, e që ata paraprakisht i importojnë nga Turqia.

Sipas saj, ky frut ka mjaft shitje, edhe pse kërkesa nuk është edhe aq e madhe.

Në anën tjetër, një raport i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) për ‘Analizën e tregut të Arrës’ i publikuar në shtator të vitit 2021, tregon se në vitin 2016 në Kosovë ishin të mbjella 186 hektarë (ha) me arra, ndërkohë që në vitin 2017 sipërfaqet e mbjella më këtë frut rritën në 340 ha, duke vazhduar me trend të rritjes edhe në vitin 2018, me sipërfaqe prej 797 ha. Në vitin 2020, sipërfaqja e të gjitha plantacioneve të pemëve në Kosovë ishte 10,265 ha. Nga kjo sipërfaqe, me arrë ishin të kultivuara 1 mijë e 295 ha, që do të thotë se arra kishte pjesëmarrje prej 13 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të mbjella me pemë. Nisur nga të dhënat statistikore nga ky raport, zgjerimi më i madh i sipërfaqes me arra shfaqet në vitin 2020 me 1,295 ha, që paraqet rritje për 46 për qind krahasuar me vitin 2019.

Nëse analizohet në tonë, sipas raportit, prodhimtaria e arrës në vitin 2015 ishte vetëm 323 tonë, duke vazhduar me rritje në vitin 2016 me sasi të prodhimit prej 470 tonë. Rritje më të madhe të prodhimit kishte në vitin 2019 (2,028 t) dhe në vitin 2020 (2 mijë e 591 t). Normalisht, rritja e prodhimit shkon paralelisht me rritjen e sipërfaqeve sidomos në 2 vitet e fundit, përcjell Buletini Ekonomik. Por, meqenëse këto sipërfaqe kryesisht janë të mbjella kohëve të fundit dhe të njëjtat ende nuk kanë filluar të hyjnë në prodhim të plotë, përkundër rritjes së sipërfaqes sasia e prodhimit është ende e vogël.

Në këtë raport, po ashtu shpalosen të dhëna edhe për importin e këtij fruti dhe vendet nga importohet ky frut për vite.

Siç ceket në raport, vlera e importit të arrës në vitin 2017 ishte 612 mijë euro, duke vazhduar me rritje deri në vitin 2019 kur vlera e importit të arrës arriti 1.2 milionë euro në vit. Në vitin 2020 kishte rënie në vlerë në importin e arrës për 73 për qind, pasi që edhe sasia ishte shumë e vogël. Ndërsa, sa i përket sasisë, në vitin 2017, janë importua ishte 235 tonë arra, duke shënuar rritje në vitin 2019 që ishte 428 tonë. Në vitin 2020 kjo sasi është mjaft e vogël krahasuar me vitin paraprak, ku shfaqet një rënie prej 80 për qind krahasuar me vitin 2019.  Mesatarja e çmimit për njësi të importit (arra të qëruara dhe të paqëruara) në vitin 2020 ishte 4.2 euro/kg.

Ndërkohë, importi më i madh i arrës është bërë nga Ukraina me pjesëmarrje mbi 50 për qind  (përjashtuar vitin 2018). Kurse, shtetet e tjera me pjesëmarrje më të vogël në importin e arrës në Kosovë, ishin Bullgaria, Rumania, Kina dhe vendet e tjera.

Në kuadër të gjithë kësaj, raporti specifikon edhe çmimin e importit të këtij fruti arror në Kosovë. Siç shihet, mesatarja e 5 vjetve e çmimit vendor me shumicë i arrës së qëruar ishte 10.2 euro/kg, kurse mesatarja e çmimit të importit me shumicë i arrës së qëruar ishte 9.9 euro/kg. Ndërsa, mesatarja e 5 vjetve e çmimit të importit të arrave të qëruara vendore me pakicë ishte 11.6 euro/kg, përderisa çmimi i importit me pakicë ishte 11.2 euro/kg, gjithmonë duke iu referuar raportit të MBPZHR-së./Buletini Ekonomik/