2 eurot false – policia njofton se në një bankë në Pejë ishin deponuar 657 bankënota në vlerë 1 mijë e 314 euro

Paratë e falsifikuara që po qarkullojnë në tregun e Kosovës janë kthyer në shqetësim kohëve të fundit.

Qytetarët por edhe bizneset më së shumti kanë hasur monedhat false prej 2 euro.

Lidhur me këtë dukuri, policia ka njoftuar në raportin 24 orësh se në një bankë në qytetin e Pejës, janë deponuar 1 mijë e 314 euro nga 2 euro të falsifikuara.

Reklama e sponzorizuar

“Ankuesja femër kosovare, zyrtare në një bankë ka njoftuar se pas kontrollimit të gjitha degëve i kanë klasifikuar 657 bankënota nga dy (2) € gjithsej 1314 €, që dyshohet se janë pranuar më herët dhe janë të falsifikuara”, thuhet në raportin e policisë.

Bankënotat e dyshuara janë sekuestruar nga njësia e krim teknikes. Rasti është duke u hetuar.

Kujtojmë se ditë më parë nga Prokuroria Speciale është identifikuar grupi që fuste 2 eurot false në Kosovë, ku 6 persona janë kapur në flagrancë.

Tre nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe tre të tjerë shtetas të Kosovës.

Nga ky operacion ishin sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se ishin të falsifikuara