Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), mbi 53 milionë është vlera e investimeve në patundshmëri të qytetarëve të Kosovës në vendet e rajonit, kryesisht në Shqipëri, gjatë periudhës të tremujorit të dytë të 2023-tës. Këto të dhëna tregojnë se investimet e kosovarëve në vendet e rajonit (nga këto para, thuaja të tërat janë investuar në Shqipëri, dhe thuaja e tërë kjo shumë në blerjen e banesave) kanë shënuar rritje për rreth 3 milionë euro, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Buletini Ekonomik
Ecuritë e investimeve të kosovarëve dhe të diasporës kosovare, nga viti në vit, tash e sa kohë, praktikisht janë thuaja identike, ose me fare pak ndryshime. Kosovarët pra, qofshin ata rezidentë, qofshin në mërgatë, ka shumë vite që investimet në vendin e tyre, në të shumtën e rasteve, i kanë bërë në paluajtshmëri, respektivisht në blerjen e banesave në të gjitha qendra e Kosovës, por më së shumti në kryeqytet.
Buletini Ekonomik në shumë raste e ka trajtuar çështjen e investimeve në Kosovë, edhe të diasporës sonë dhe në shumë tekste të botuara janë theksuar, pak a shumë shkaqet reale, që kanë motivuar dhe kanë shtyrë kosovarët dhe mërgatën tonë që të orientojnë investimet e tyre kryesisht në paluajtshmëri dhe në dominim gjithnjë absolut të blerjes së banesave.
Kosovarët, dhe diaspora e Kosovës, sado që me një ritëm më të ulët, po vazhdojnë të blejnë banesa në Kosovë, tani goxha shumë në qendrat komunale në afërsi të kryeqytetit, por edhe në ato që kanë lidhshmëri të mirë të udhëve me Prishtinën, njëkohësisht, po vazhdojnë të investojnë edhe më shumë në Shqipëri, duke dominuar edhe në këto investime te sektori i paluajtshmërive, ose më konkretisht blerja e banesave në qytetet e ndryshme bregdetare të “vendit të shqipeve”.
Pra, edhe në investimet e deritashme të kosovarëve në Shqipëri, edhe ato të sivjetshmet, sipas të dhënave zyrtare, dominojnë thuaja qind për qind investimet në blerjen e banesave, dhe siç u tha, në të shumtën e rasteve në bregdetin shqiptar.
Tashmë, blerja e banesave në Shqipëri nga kosovarët është bërë trend evident, madje me ndikim edhe financiar në ecuritë e tregtimit të paluajtshmërive. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), mbi 53 milionë është vlera e investimeve në patundshmëri të qytetarëve të Kosovës në vendet e rajonit, kryesisht në Shqipëri, gjatë periudhës të tremujorit të dytë të 2023-tës. Këto të dhëna tregojnë se investimet e kosovarëve në vendet e rajonit (nga këto para, thuaja të tërat janë investuar në Shqipëri, dhe thuaja e tërë kjo shumë në blerjen e banesave) kanë shënuar rritje për rreth 3 milionë euro, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Investimet e huaja direkte të rezidenteve nga Kosova në vendet tjera kanë shënuar rritje në periudhën prill-qershor 2023, duke arritur vlerën prej 53.1 milionë euro (50.7 milionë euro në prill-qershor 2022), investime të destinuara në vendet e rajonit e të orientuara kryesisht në sektorin e patundshmërisë”, kanë konstatuar të dhënat e BQK-së.
Duhet theksuar se kosovarët deri vonë më shumë kanë qenë të përcaktuar në blerjen e banesave në Rivierën e Durrësit, të Shëngjinit dhe në disa pjesë të bregdetit verior të Shqipërisë. Ky përcaktim është bërë për shkak të çmimit më të ulët të banesave në bregdetin e sipërpërmendur, krahasuar me Jugun e Shqipërisë, por edhe për shkak të afërsisë dhe kilometrave më të paktë që duhet bërë për të shkuar nga Kosova në detin shqiptar dhe anasjelltas.
Mirëpo, në dy-tre vjetët e fundit, edhe sivjet, pavarësisht çmimit të ngritur përtej çdo parashikimi dhe përtej çdo pritshmërie edhe të njohësve të tregut të paluajtshmërive në Shqipëri, kosovarët kanë zënë të blejnë banesa edhe në bregdetin jugor, sidomos në Vlorë dhe në rrethinat e saj dhe në qytetin e Sarandës.
Sipas disa të dhënave jozyrtare, në Sarandë tani ka së paku diku rreth 500 banesa të kosovarëve, të cilat shfrytëzohën kryesisht gjatë sezonit veror të pushimeve. Para dy tre vjetëve, vlerësohej nga njohësit e rrethanave, se në Sarandë kishte rreth 200 banesa të blera nga kosovarët. Nuk ka statistika të sakta rreth numrit të banesave që tashmë janë në pronësi të kosovarëve dhe të mërgatës sonë, por, është evidente se numri i tyre është rritur pakrahasimisht shumë, sidomos në rivierën e Shëngjinit kohëve të fundit, dhe në disa vendpushime të tjera në bregdetin verior shqiptar. Por, dihet, poashtu ‘invazioni’ i mëhershëm i kosovarëve në Rivierën e Durrësit.
Tani, janë rritur ndjeshëm numrat e blerjeve të banesave nga kosovarët edhe në Vlorë, Sarandë dhe në disa vende joshëse të bregdetit në jugun shqiptar.
Megjithatë, derisa investimet e kosovarëve në sektorin e patundshmërisë në Shqipëri kanë shënuar rritje, investimet e diasporës në sektorin e patundshmërisë në Kosovë në të njëjtën periudhë kanë shënuar rënie.
“Rënia IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, ndërtimtarisë dhe sektorin e xehetarisë përfshirë guroret”.
Sektori i patundshmërisë mbulon 60.0 për qind të IHD-ve të përgjithshme apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023.
Banka Qendrore ka treguar se investimet më të mëdha në patundshmëri bëhen nga remitencat e mërgimtarëve, të cilat deri në shtator, kanë tejkaluar vlerën e 1 miliardë eurosh. Këto janë shumë para. Dhe remitencat gjithnjë kanë qenë imponuese.
Por, Kosova ende nuk e ka gjetur çelësin për të investuar në kapacitetet gjeneruese të preferueshme dhe më të kërkuara ekonomike – nga paratë nga remitencat e shumta të mërgatës sonë.
Edhe Shqipëria nuk është së ka ndjekur ndonjë rrugë më të mirë për investimin e kapitalit të diasporës. Kryesisht deri tani në Kosovë, paratë e shumta të diasporës janë investuar në paluajtshmëri, më konkretisht, në blerjen e banesave në ndërtesat shumëkatëshe që pas luftës mbinë në Kosovë, por edhe në Shqipëri si “kërpudhat”. Ndërsa këto para të investuara në ambiente banimi, ose edhe te ndonjë hapësirë për zhvillimin e ndonjë tregtie të vogël, siç dihet nuk kanë shumë dorë, pra nuk e kanë ndikimin e efektshëm në zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm të dy shteteve shqiptare, e sidomos të Kosovës.
Pa tendencë për t’ua ulur në asnjë mënyrë rëndësinë dhe vlerën që e kanë për mirëqenien dhe zbutjen e ç’ekuilibrimit social – remitencat e rritura ndjeshëm, dhe për mbajtjen e gjendjes disi stabile, sidomos të tregut të ndërtimeve dhe të paluajtshmërive të tjera, këto para, qofshin edhe të rritura kështu si janë, nuk ndikojnë efektshëm në zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm të Kosovës, në rritjen e vendeve të punës dhe në proceset e tjera zhvillimore aq të nevojshme për Kosovën.
Në njëfarë mënyre, përafërsisht ngjashëm tek IHD-të është gjendja edhe në Shqipëri, gjegjësisht ndryshojnë vetëm shifrat e këtyre investimeve, të cilat tek shqiptarët janë gati dyfish më të mëdha, sado që në Shqipëri investimet e diasporës rangohen pas investimeve në industrinë e nxjerrjes së naftës. /Buletini Ekonomik/











