Letrat me vlerë janë instrumente financiare të këmbyeshme dhe të tregtueshme që përdoren për të rritur kapitalin në tregjet publike dhe private. Shoqëritë tregtare ose kompanitë siç njihen në zhargon përdorin instrumentet financiare për rritjen e kapitalit me qëllime investive.
Sipas legjislacionit kosovar ekzistojnë tre lloje të letrave me vlerë: aksionet, që mbajtësve u siguron të drejtat e pronësisë në shoqërinë tregtare, bondet ose huamarrja dhe bondet e konvertueshme në aksione.
Shitblerja e letrave me vlerë mund të bëhet sipas një procesi publik ose privat.
Çka janë aksionet dhe pse emetohen ato?
Aksionet janë instrumente financiare, të cilat përfaqësojnë pronësinë e një pjese të korporatës ose të kompanisë që i ka emetuar ose shitur ato. Ato i sigurojnë pronarit pjesëmarrje proporcionale në të gjithë pronën e kompanisë, e cila përcaktohet nga numri i aksioneve që i ka blerë nga totali i aksioneve të shitura, përgjatë gjithë periudhës.
Korporatat ose kompanitë emetojnë apo shesin aksione për të rritur kapitalin në mënyrë që më pastaj të investojnë në produkte a shërbime të reja ose të zgjerojnë biznesin e tyre.
Ekzistojnë dy lloje kryesore të aksioneve: të zakonshme apo të thjeshta dhe preferenciale apo të privilegjuara.
Të drejtat dhe përfitimet e aksionarëve përcaktohen varësisht nga lloji i aksioneve që ai posedon dhe statuti i kompanisë. Zakonisht emetohen aksione të privilegjuara, të cilat kanë përparësi në dividendë në raport me aksionet e thjeshta. Të drejtë emetimi apo shitje të aksioneve kanë edhe kompanitë e sapo themeluara apo siç njihen ndryshe, si start-up’e.
Për të gjitha llojet e kompanive bëhet vlerësimi i kompanive para emetimit, respektivisht para shit-blerjes së aksioneve.
Cilat janë përparësitë dhe rreziqet e investimit në aksione?
Përparësitë e investimit në aksione janë se investitori nuk ka nevojë të merret me procese të hershme e të mundimshme të themelimit të kompanisë, veçanërisht atëherë kur rreziku nga dështimi është më i madh. Përparësi tjetër është se aksionari i një kompanie jo domosdoshmërisht duhet të punojë në kompaninë ku ka investuar. Mund të jetë aksionar/e, të mos punojë as edhe një ditë në kompaninë ku ka investuar, por të gëzojë neto fitimin vjetor në proporcion me sasinë e aksioneve që mban.
Ndryshe këto të hyra njihen edhe si të ardhura pasive.
Përveç të hyrave nga dividenda ose fitimi vjetor i kompanisë, pronari i aksioneve gëzon të hyra edhe në momentin e shitjes së tyre. Një investitor që ka fonde dhe i investon ato në një biznes mund të fitojë më shumë sesa mund të fitojë nga depozitimi i tyre në një bankë tradicionale. Krahas mundësive për realizimin e fitimeve, nëse biznesi në të cilin ka investuar aksionari, nëse afarizmi nuk rezulton me sukses, biznesi mund të mos gjenerojë fitime apo edhe mund të krijojë humbje financiare. Ne raste të tilla investimet mund edhe të humbasin ose vlera e aksioneve mund të bie.
Nga këndvështrimi i emetuesit ose shitësit të aksioneve, përparësia e emetimit të tyre është se paratë nuk kanë nevojë të kthehen, sikurse me rastin e marrjes së kredive apo huave tjera. Shitësi i aksioneve shkëmben një pjesë të pronësisë së tij me shumën e parasë që merr në emër të aksioneve. Krejt kjo, sipas vlerës së biznesit që mban.
Por, nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që biznesi t’i përmbahet planit të investimit me qëllim që të mos i ekspozohet rreziqeve të dështimit të biznesit, me ç’rast do të pësojnë të gjithë aksionarët. Këtu luan rol shumë të rëndësishëm këshillimi dhe mbikëqyrja e investimeve, që zakonisht ofrohet nga këshilltari i investimeve.
Çka janë bondet (hua-marrja) apo obligacionet dhe pse kompanitë emetojnë obligacione?
Emetimi i obligacioneve është një mënyrë me të cilën kompanitë mund të rrisin kapitalin. Një obligacion (borxh) funksionon si një hua midis një investitori dhe një kompanie. Investitori (i cili mund të jetë individ ose biznes) pranon t’i japë kompanisë një shumë të caktuar parash për një periudhë të caktuar kohore. Në këmbim, investitori merr pagesa periodike interesi. Kur obligacioni arrin datën e maturimit, kompania rikthen principalin ose shumën e borxhit fillestar. Investitori mund të kërkojë garanci nga huamarrësi aq sa ai ose një vlerësues i pavarur e cilëson të barasvlershëm me pasurinë që e investon dhe ta mbajë atë deri në ditën e kthimit, ose ta shes atë në rast të mos kthimit të borxhit. Një investitor që ka fonde dhe i jep hua ato një biznesi në këmbim të një garancie të vlefshme pre-supozohet të fitojë më shumë sesa fiton nga depozitimi i fondeve në një bankë tradicionale.
Cilat janë përparësitë e obligacioneve kundrejt metodave tjera për rritje të kapitalit?
Në shumicën e rasteve, huamarrja nga një bankë është mendimi i parë për ata që kanë nevojë për para. Shtrohet pyetja: “Pse një kompani do të emetonte obligacione (hua nga letrat me vlerë) në vend që të merrte kredi nga një bankë?”
Emetimi i obligacioneve është shpesh më i favorshëm se huamarrja nga bankat, sepse norma e interesit që kompanitë u paguajnë investitorëve të obligacioneve është zakonisht më e vogël se norma e interesit që ofrojnë bankat dhe mundësia e kthimit të kryegjësë (principalit) në maturim mundëson që mjetet të mbahen në qarkullim gjatë gjithë periudhës. Kompanitë mund të vazhdojnë të emetojnë obligacione të reja për aq kohë sa mund të gjejnë investitorë të gatshëm, duke mos ndikuar në pronësinë e kompanisë ose mënyrën se si ajo funksionon. Një gjë e tillë i bën obligacionet më të favorshme kundrejt aksioneve.
Çka janë Obligacionet e konvertueshme në aksione dhe cilat janë përparësitë e tyre?
Këto obligacione fillojnë njëjtë si obligacionet e tjera, por u ofrojnë investitorëve mundësinë e konvertimit të obligacionit në një numër të paracaktuar aksionesh. Shndërrimi nga obligacioni në aksion mund të bëhet në periudha të caktuara gjatë jetës së obligacionit dhe zakonisht është në diskrecionin e mbajtësit të obligacionit. Obligacionet e konvertueshme janë një opsion fleksibil financimi për kompanitë. Kompanitë përfitojnë, pasi ato mund të emetojnë obligacione me norma interesi më të ulëta se nga ofertat tradicionale të obligacioneve. Nga ana tjetër, konvertimet e tilla u mundësojnë investitorëve të përfitojnë nga rritja e çmimeve të aksioneve.