Imazhi i Kosovës në panaire ndërkombëtare iu besua një kompanie fiktive

“Mirt Interijer” dhe “Kan-Construct Fair” – dy kompanitë kryesore që përkujdesen për imazhin e Kosovës në panaire ndërkombëtare, kanë përfituar në mënyrë të dyshimtë nga KIESA rreth 3 milionë euro gjatë viteve 2018-2023. Hulumtimi zbulon se ato pranuan pagesa të majme nga Agjencia që operon nën MINT, duke u kamufluar si kompani konkurrente të njëra-tjetrës.

Mirjeta Shabani & Agon Sinanaj

“Kan-Construct Fair” ishte regjistruar si biznes në Kroaci në fund të vitit 2018. Tre muaj më vonë, pa asnjë përvojë të vërejtshme në organizimin e panaireve, kjo kompani u “angazhua” nga institucionet e Kosovës për ndërtimin e shtandeve për bizneset kosovare në panairet ndërkombëtare.

Reklama e sponzorizuar

Nga gjithsej 24 panaire ndërkombëtare të mbajtura në qytete të ndryshme evropiane gjatë periudhës 2022-2023, kompanisë Kan-Construct Fair i është besuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA, ndërtimi i shtandeve të Kosovës në tetë prej tyre. KIESA është agjenci shtetërore e cila funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, (MINT), dhe që misioni i saj është të promovojë e mbështesë investimet, eksportin, turizmin, NVM-të dhe Zonat Ekonomike në Republikën e Kosovës.

Për Kan-Construct Fair, e cila tek autoritetet kroate është prezantuar se ushtron veprimtari për organizim të panaireve, nuk mund të gjendet asnjë informacion publik lidhur me përvojën e saj.

Hulumtimi zbulon se Kan-Construct Fair, në fakt, është vetëm shtojcë e një kompanie tjetër që ka përfituar gati 2 milionë euro në periudhën e njëjtë nga KIESA.

Bëhet fjalë për kompaninë “Mirt Interijer”, po ashtu kompani kroate, por ndryshe nga Kan-Construct Fair, kjo me përvojë në fushën e panaireve dhe që operon si biznes që nga viti 1993.

Prej 24 panaireve gjatë periudhës 2022-2023 që i ka hulumtuar Buletini Ekonomik, kompanitë Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair së bashku janë përzgjedhur në 19 prej tyre për ndërtimin e shtandeve për bizneset e Kosovës. Mirt Interijer qëndron prapa organizimit në 11 panaire, ndërsa Kan-Construct Fair në 8 prej tyre.

Sipas të dhënave të siguruara nga KIESA, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, të dyja së bashku vetëm brenda periudhës 2022-2023, përfituan nga buxheti i Kosovës rreth 1.4 milion euro. Prej tyre, 815 mijë e 978 euro iu transferuan Mirt Interijer dhe 550 mijë e 546 euro tjera kompanisë Kan-Construct Fair. Por nëse analizohen pagesat nga vitit 2018 deri me 2023, këto “dy” kompani kanë pranuar në total rreth 3 milionë euro pagesa nga KIESA.

Skema e lidhjes mes Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair

Konkurrencë e rreme?

Anipse as Mirt Interijer dhe as Kan-Construct Fair nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Buletinit Ekonomik, agjencia shtetërore KIESA i ka prezantuar ato si kompani “konkurrente” në komunikimet përmes email-ave të kësaj agjencie me stafin e Buletinit Ekonomik.

Mirëpo, nga të gjitha të dhënat publike të hulumtuara, del se në fakt, punët për Kosovën i kreu vetëm njëra kompani, edhe atëherë kur nga KIESA “angazhohej” edhe kompania tjetër.

Hulumtimi zbulon se Mirt Interijer është kompania kryesore prapa imazhit të Kosovës në panaire ndërkombëtare.

Mirt Interijer është kompani e themeluar në vitin 1993, dhe nga të gjitha të dhënat publike rezulton si kompani me përvojë në fushën e organizimit të panaireve.

Por, e njëjta nuk mund të thuhet për kompaninë tjetër, Kan-Construct Fair. Kjo kompani është themeluar në fund të vitit 2018, mirëpo asnjë e dhënë tjetër sa i përket punës së saj – nuk është publike.

Kan-Construct Fair u angazhua nga KIESA për ndërtimin e shtandeve të Kosovës në dhjetëra panaire gjatë viteve 2018-2023, vetëm tre muaj pasi ishte regjistruar si biznes në Kroaci.

Dy në një?

Nga të dhënat publike të siguruara tek autoritetet kroate për regjistrim të bizneseve, rezulton se Mirt Interijer qëndron edhe prapa kompanisë Kan-Construct Fair.

Të dyja janë kompani kroate dhe kanë adresë të njëjtë të biznesit, por një lidhje tjetër i rritë edhe më shumë dyshimet për kamuflim të konkurrencës.

Të dyja i lidhë një emër: Ana Kanižić.

uebfaqen e Mirt Interijer, Ana Kanižić figuron aty si menaxhere e projekteve, kurse në biznesin Kan-Construct Fair ajo figuron si themeluese e kompanisë. Kjo nuk është lidhja e vetme mes tyre që ngre dyshime për prezantim të rrejshëm si kompani konkurrente nga KIESA. Të dyja e kanë të përbashkët edhe adresën e biznesit me të cilën janë regjistruar si biznese tek autoritetet kroate.

Në muajin mars të vitit 2018, Mirt Interijer e kishte filluar angazhimin e parë me KIESA-n për ndërtim të shtandeve për Kosovën në panaire ndërkombëtare. Po atë vit, saktësisht me 28 nëntor 2018, menaxherja e projekteve në Mirt Interijer, Ana Kanižić, e themeloi në Kroaci kompaninë Kan-Construct Fair. Tre muaj më vonë edhe kjo u angazhua nga KIESA.

Ana Kanizic – menaxhere e projekteve në Mirt Interijer
Data e regjistrimit si biznes në Kroaci e Kan-Construct Fair

Baza e të dyjave është në Rakitje, një fshat i cili ndodhet në perëndim të  Zagrebit.

Të dyja kompanitë së bashku kanë deklaruar tek autoritetet kroate gjithsej 4 punëtorë, prej tyre 3 nga Mirt Interijer, kurse vetëm 1 nga Kan-Construct Fair.

Pronar në Mirt Interijer është Tomislav Mirt. Ky i fundit është kontaktuar dhjetëra herë nga Buletini Ekonomik, në telefonin zyrtar të biznesit dhe email-at zyrtar, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Thirrjeve telefonike dhe pyetjeve në email-at zyrtar nuk u është përgjigjur as Ana Kanižić, gjatë periudhës së hulumtimit.

Ana Kanizic, pronare në Kan-Construct Fair. Dëshmia nga Agjencia kroate për Regjistrim të Bizneseve.

Pyetjet pa përgjigje

Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje tek kompanitë për të kuptuar më shumë rreth dyshimeve për pronësi të përbashkët mes Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair. Po ashtu, se si kanë rënë në kontakt me zyrtarët e KIESA-s rreth angazhimit të tyre në ndërtimin e shtandeve për Kosovën në panairet ndërkombëtare.

Përkundër insistimit disamujor, Buletini Ekonomik nuk ka arritur të marrë një përgjigje definitive as nga KIESA se pse e kanë angazhuar për ndërtim të shtandeve një kompani që është regjistruar vetëm së fundmi si biznes dhe pa ndonjë përvojë të vërejtshme.

KIESA iu ka shmangur pyetjeve edhe sa i përket mënyrës së angazhimit të kompanisë Kan-Construt Fair dhe nëse për angazhimin e kësaj kompanie ishte ndjekur ndonjë procedurë.

Në pyetjen e Buletinit Ekonomik se: “A mund të na ofroni dëshmi se cila është përvoja në fushën e organizimit të panaireve e kompanisë Kan-Construct Fair, të cilën e keni kontraktuar në disa raste gjatë periudhës referuese 2022-2023, nga KIESA janë përgjigjur:

“Siç u sqarua edhe më lartë, përvojën e punës dhe kushtet e tjera i vlerëson organizatori kryesor i panairit i cili na dërgon kompanitë e licencuara, me përvojë dhe që i plotëson kushtet e organizatorit dhe të shtetit duke pasur parasysh edhe lejen e punës, të sigurisë etj. për të realizuar aktivitetin. Gjithashtu, përderisa të gjitha punët janë përfunduar në afat, pa vërejtje dhe në mënyrë profesionale ka qenë në rregull dhe pa vërejtje edhe për organizatorin kryesor”.

Megjithatë, nga të gjithë njohësit e panaireve me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik, kjo nuk rezulton të jetë e vërtetë. Panairet ofrojnë për shtetet pjesëmarrëse vetëm hapësirën, ndërsa angazhimin e kompanisë për rregullimin e shtandeve duhet ta kryejnë vetë institucionet nga shtetet pjesëmarrëse.

Buletini Ekonomik ka arritur që pohimet e tilla t’i përgënjeshtrojë edhe nga organizatorë të panaireve me renome evropiane.

Për të verifikuar pohimin e agjencisë shtetërore KIESA se “panairet vetë ua përcaktojnë shteteve listën e kompanive për ndërtim të shtandeve”, Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje në së paku dy panaire ndërkombëtare ku ka marrë pjesë Kosova gjatë kësaj periudhe.

Të dy këto panaire kanë mohuar “pretendimet” e KIESA-s.

“Në rast se vendosni të merrni hapësirë të parregulluar, për rregullimin e stendës mund ta kontraktoni një kompani që vendosni ju, ose me dëshirën tuaj, ne mund të projektojmë dhe ndërtojmë stendën tuaj”, është përgjigja nga panairi “Food Expo”, i cili mbahet në Athinë.

Aty Kosova ishte prezantuar në mars të vitit 2022. Përgjigje të ngjashme kanë dhënë edhe nga panairi “Anuga Fair”, i cili mbahet në Gjermani. KIESA ishte prezantuar atje në tetor të vitit 2021.

Pas këtyre qëndrimeve, Buletini Ekonomik ka provuar të kërkojë sqarime shtesë nga KIESA, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

I dyshimtë mbetet edhe fakti se si është e mundur që në 19 panaire ndërkombëtare, ku kanë ndërtuar shtande këto dy kompani gjatë periudhës 2022-2023, panairet t’i referojnë vetëm dy kompani të njëjta. Këtë nuk e kanë sqaruar nga KIESA as me shkrim e as përmes thirrjeve telefonike, të realizuara në vazhdimësi gjatë periudhës së hulumtimit.

Nga panairet e hulumtuara, po ashtu ka panaire ku gjeografikisht janë më afër me Kosovën se sa me Kroacinë. Një pyetje tjetër që ka mbetur pa përgjigje është se “pse nuk është përzgjedhur ndonjë kompani e Kosovës për ndërtim të shtandeve në ato panaire ku vendi i mbajtjes së panairit ka qenë më afër me Kosovën se sa me Kroacinë?”

Edhe në këtë rast, përgjigja nga KIESA është e njëjtë.

“Si përfundim, KIESA zbaton UA ekzistues, por vlen të theksohet se nuk kemi informacione nëse kompanitë vendore kanë interesim për të bashkëpunuar apo kanë komunikuar me organizatorët ndërkombëtarë për organizim të panaireve botërore. Gjithsesi se KIESA me shumë dëshirë dhe më parë do të kishte bashkëpunuar me kompanitë vendore që janë bashkëpunëtorë të organizatorëve”.

Dy kompani — imazh identik

Kompanitë Kan-Construct Fair dhe Mirt Interijer nuk e kanë të përbashkët vetëm adresën e biznesit në Kroaci dhe lidhjen mes të dyjave me menaxheren Ana Kanižić.

Një detaj tjetër që bie në sy kur analizohet puna e tyre në ndërtimin e shtandeve, është se imazhet e punuara për Kosovën në panaire ndërkombëtare, nga të dyja këto kompani, duken krejt identike.

Ta zëmë, në dy panaire që ishin mbajtur në muajin mars të vitit 2022, shtandet kanë pamje krejtësisht të njëjtë.

Panairi i parë “Food Expo 2022” është mbajtur në Athinë. Për dizajnin dhe ndërtimin e shtandit këtu, ka qenë përgjegjëse kompania Kan-Construct Fair.

Shtandi i “ndërtuar” nga Kan-Construct Fair në panairin “Food Expo” 2022, Athinë

Ky panair, shtetit të Kosovës i ka kushtuar 111,358.12 euro, prej të cilave për pagesën e hapësirës organizatori është paguar 16 mijë e 571 euro, kurse kompania Kan-Construct Fair është paguar 94 mijë e 787 euro për ndërtimin dhe dizajnin e shtandit.

Në të njëjtin muaj, Kosova është prezantuar edhe në panairin “IFE London 2022” i mbajtur në Londër. Përgjegjëse këtu për dizajnim dhe ndërtim të shtandeve është kompania Mirt Interijer. Ky panair shtetit të Kosovës i ka kushtuar 144,748.71 euro, prej të cilave 45 mijë e 328 euro është paguar organizatori për hapësirën, kurse Mirt  Interijer është paguar 99 mijë e 420 euro për ndërtimin e shtandit.

Shtandi i ndërtuar nga Mirt Interijer në panairin IFE London 2022.

Imazhet duken krejt identike nëse krahasohen me dy panaire të tjera të mbajtura gjatë muajve shtator dhe korrik të vitit 2022.

Për panairin “Biofach 2022” i mbajtur në Nuremberg të Gjermanisë, përgjegjëse për shtandet ka qenë kompania Mirt Interijer. Organizimi i këtij panairi në total shtetit të Kosovës i ka kushtuar 60 mijë e 460 euro. Prej tyre 45 mijë e 780 euro kanë shkuar në konton e Mirt Interijer për ndërtimin e shtandit.

Shtandi i ndërtuar nga Mirt Interijer në panairin Biofach 2022, Nuremberg.

Por, një shtand krejt i ngjashëm shihet edhe në panairin “Dmexco2022”, të mbajtur në Koln të Gjermanisë më 21-22 shtator. Dallimi është se përgjegjëse për ndërtimin e shtandit këtu ka qenë kompania Kan Construct Fair, e cila për këtë panair është paguar 81 mijë e 490 euro.

Shtandi i ndërtuar nga Kan-Construct Fair në panairin Dmexco 2022, Koln

Ngjashmëritë në imazhe vërehen edhe në dy panaire tjera të hulumtuara.

Shtandi i Kosovës duket krejt i njëjtë në panairin “Sial 2022”, i mbajtur në Francë me 15-19 tetor, me panairin “Enoexpo 2022”, të mbajtur në Krakovë të Polonisë më 16-18 nëntor. Në të parin, shtandin e Kosovës e ka ndërtuar Mirt Interijer, në të dytin kompania Kan-Construct Fair.

Shtandi i ndërtuar nga Mirt Interijer në panairin “Sial 2022”, Paris

Në përgjithësi, gjendje e njëjtë sa i përket ngjashmërisë në imazhe prezantohet në të gjitha panairet ku kanë qenë përgjegjëse këto “dy” kompani.

Shtandi i ndërtuar nga Kan-Construct Fair në panairin “Enoexpo 2022”, Poloni.

KIESA nuk ka sqaruar se çfarë verifikimi u është bërë nga shteti këtyre “dy” kompanive që janë paguar nga buxheti i Kosovës si “dy” kompani për të promovuar imazhin e Kosovës në panairet ndërkombëtare.

Buletini Ekonomik

Shënim:

Në artikullin e radhës mund të lexoni: “Si u trashën çmimet për ndërtimin e shtandeve të Kosovës në panaire ndërkombëtare?”