Faturat e ‘fryra” të dhjetorit 2023 janë rrjedhojë e shpenzimit të rrymës në ditët e ftohta të dhjetorit 2024, por edhe më shumë janë pasojë e çmimit enorm të rrymës te ne, pavarësisht zërave që vijnë nga zyrtarët e ZRRE-së dhe nga distributori dhe furnizuesi turk të konsumit të vendit me rrymë KEDS/KESCO “se në Kosovë çmimi i energjisë elektrike është ndër më i ulëti në rajon”. Arsyet pse çmimi i rrymës në Kosovë është shumë i lartë dhe si i tillë duhet të ulet, dhe asesi të ngritet? Sa euro e blenë KEDS/KESKO një megavat-orë nga KEK-u dhe sa u shitet kjo rrymë pastaj kosovarëve?
Mehmet GJATA
Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është i lartë, madje shumë i lartë dhe për shumë qytetarë tashmë është bërë vështirë i përballueshëm, madje për disa edhe i papërballueshëm fare.
Faturat e ‘fryra” të dhjetorit 2023 janë rrjedhojë e shpenzimit të rrymës në ditët e ftohta të dhjetorit 2024, por edhe më shumë janë pasojë e çmimit enorm të rrymës te ne, pavarësisht zërave që vijnë nga zyrtarët e ZRRE-së dhe nga distributori dhe furnizuesi turk i konsumit të vendit me rrymë KEDS/KESCO “se në Kosovë çmimi i energjisë elektrike është ndër më i ulëti në rajon”.
Ndërkohë, edhe analizat jo të pakta të ekspertëve, por edhe të vrojtuesve të shquar për shqyrtime detajiste, si dhe sipas vlerësimeve të njohësve të zhvillimeve energjetike, në Kosovë pas ngritjes enorme tre herë të çmimit të rrymës brenda periudhës kohore prej 1,5 vjetësh, (së pari më 2021 shumë mbi 100 për qind dhe 2 herë më 2022-në shkurt rreth 30 për qind dhe në prill diku te 15 përqindshi), nuk ka asnjë arsye të vetme, as bazë ligjore, por as logjikë ekonomike që të ketë çmime të reja të ngritura të rrymës te ne. Së pari, për shkak se çmimet e energjisë elektrike në botë, pas ngritjes së vrullshme të madhe, që ndodhi pas pandemisë COVID-19 dhe sidomos pas fillimit të luftës ruso ukrainase në nivel global, në vitin e kaluar, por edhe sivjet, kanë zënë të ulen ndjeshëm, madje, tani në periudha të ndryshme të vitit, çmimet e rrymës elektrike janë edhe 5-6 herë më të ulëta, se sa kur arritën kulmin, në kohën e krizës globale energjetike.
Te ne, megjithatë nuk ka pasur ulje çmimesh në asnjë rast.
Ndërkohë, që dihet, madje u pa edhe gjatë ditëve të javës së kaluar, kur për shkak të defektit teknik në bllokun B1 të termocentraleve Kosova B, kishte mungesë evidente të rrymës dhe Kosova ishte e detyruar të importojë një sasi të rrymës. Në bursën hungareze HUPX, ku zakonisht Kosova blen rrymë, një megavat-orë edhe këtyre ditëve të acarta, në të shumtën nuk ka tejkaluar çmimin 100 euro, madje edhe në orët e pikut, ndërsa dihet në dimrin e vjetshëm dhe të parvjetshëm Kosova ka importuar rrymë edhe me çmimin mbi 500 euro për një megavat.
Gjatë ditëve më të ngrohta, gjatë tërë vitit 2023, çmimi i rrymës në tregun hungarez ka qenë mesatarisht rreth 60-70 euro megavati, dhe në raste edhe nën 40-50 euro megavati. Së dyti, (se pse Kosova nuk ka arsye të ngritë çmimin e rrymës) është rikthimi i bllok-tarifave më 2021, që ishte praktikisht një ngritje shumë e madhe e çmimit e fshehtë, e padeklaruar dhe perfide nga ana e ZRRE-së.
Me bllok tarfifa u goditën direkt numri dërrmues i konsumatorëve kosovarë, për shkakun se shumica e tyre janë hargjues të mbi 800 kilovat-orë, dhe për të cilët konsumatorë, siç dihet, një kilovat-orë vazhdon ta ketë çmimin rreth 15 centë. Dhe ky çmim është enorm i lartë dhe thuaja në statosferë, që ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të varfëra kosovare dhe në mirëqenien e tyre.
Së treti, një arsye që fare nuk e përfillin as ZRRE-ja dhe as KESCO, është se Kosova sot e kësaj dite e paguan çmimin e energjisë elektrike me kosto shumë të lartë, si pasojë e rrezikimit të shëndetit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh, të sëmurë, të paaftësuar përjetësisht, por edhe viktima të shumta të ndotjes së madhe të ambientit nga gazrat dhe hiri që lënë pas termocentralet e “mplakura” të Kosovës.
Pasojat shëndetësore i vuajnë sidomos banorët që jetojnë rreth e përqark ambienteve të prodhimit të rrymës dhe minierave sipërfaqësore të qymyrit.
Të gjitha studimet e bëra deri më tash kanë dëshmuar se vdekjet numerikisht të shumta në fshatrat përrreth kompleksit energjetik të KEK-ut dhe sëmundjet e shumta kronike ndër këta banorë, janë kryekëput pasojë e ndotjes enorme të ajrit, ujit dhe tokës në këtë rajon.
Ajri në Prishtinë edhe sot (më 17 janar 2024), sikundër ditë me radhë gjatë këtij janari, rezulton të jetë tepër i rëndë dhe i rrezikshëm për shëndetin e qindra-mijëra kosovarëve. Insituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje që personat e ndjeshëm të mos i ekspozohen këtij ajri duke mos dalë në vende me ajër të ndotur në mëngjes dhe mbrëmje, dhe të mos i ajrosin shtëpitë e tyre kur ajri është kaq i ndotur.
“Kujdes pēr personat e ndjeshēm! Ajri jo i shēndoshẽ!” është mbishkrimi që ky institut ia ka vënë postimit në Facebook ku ka ndarë disa këshilla dhe udhëzime rreth të mbrojturit nga ajri i ndotur.
Dhe dihet, se kjo ndotje, diku mbi 60-70 për qind është pasojë e djegjes së linjitit në afërsi të drejtpërdrejtë me shumë vendbanime dhe me kryeqytetin e Kosovës. Dhe, ç’është më keq, për këtë vuajtje të kosovarëve, as që e kthejnë kokën ndonjëherë KEDS-KESCO dhe ZRRE-ja, por edhe KEK-u nuk është se shquhet me ndonjë masë për të zbutur pasojat shëndetësorë që prodhojnë ndotjet e vazhdueshme të kompleksit të sistemit elektroenergjetik të vendit.
Ndërsa, pas publikimit të disa teksteve më analitike rreth çmimit të energjisë elektrike në Buletinin Ekonomik këtyre ditëve, një thirrje në telefonin e redaksisë nga një inxhinier me shumë përvojë dhe njohës i dëshmuar i ecurive të punës në mbarë zinxhirin prodhues të KEK-ut, imponueshëm nga të dhënat e paraqitura, bëri që të shtohet edhe arsyeja tjetër e radhës, shumë e fortë, pse në Kosovë nuk duhet të ngritet çmimi i rrymës.
Sipas inxhinierit veteran, të gjitha faktet e paraqitura në tekstet e Buletinit Ekonomik që flasin për çmime enorme të larta të rrymës qëndrojnë, por, sipas tij, një fakt shumë i rëndësishëm po harrohet vazhdimisht kur bëhet fjalë për çmimet stratosferike të rrymës te ne.
Është fjala për shitblerjen e energjisë KEK-KEDS/KESCO, respektivisht për marrëveshjen me të cilëm KEK-u obligohet t’ia shesë KESCO-s energjinë elektrike të prodhuar nga termocentralet dhe thëngjilli i vendit me 29 euro megavat-orën, të cilën pastaj KESCO ua faturon konsumatorëve kosovarë për shumë herë më shtrenjtë.
Ky çmim i tregtimit të rrymës KEK-KESCO është nënçmues dhe përbuzës për të gjithë punonjësit e sistemit elektrooenergjetik të Kosovës dhe vë në vështirësi të mëdha KEK-un për shkak të tregtimit me çmim kaq të ulët, duke ia bërë të pamundshme KEK-ut investimet e synuara kapitale dhe të mirëmbajtjes me efektive të stabilimenteve prodhuese. Në anën tjetër, e favorizon, sipas inxhinierit, pafundësisht tregtarin turk të rrymës, i cili për shumëfish u shet këtë rrymë kosovarëve, të cilën e blenë me çmim qesharak të ulët po nga kosovarët.
Kjo është kostoja e rrymës në Kosovë. Dhe, edhe një herë po them çmimi real i energjisë elektrike është shumë i lartë, i kushtueshëm dhe me ndikim të drejtpërdrejt në ç’ekilibrimin e ndjeshëm të mirëqenies së numrit më të madh të kosovarëve. Prandaj, nuk ka arsye dhe nuk duhet në asnjë mëyrë të lejohet ngritja e sërishme e rrymës, sado që zyrtarisht, ende nuk ka ndonjë paralajmërim për tarifa të reja të kostos së energjisë elektrike në Kosovë (as nga ZRRE-ja, dhe as nga kompania turke për furnizimin me rrymë të Kosovës, KESCO).
Rëndom te ne tarifat e reja janë përcaktuar në krye të çdo motmoti. Që i bie se nëse kërkohet ndonjë çmim i ri për energjinë elektrike, kjo kërkesë për tarifa të reja eventuale, nuk mund të bëhet por as të shqyrtohet para prillit të këtij viti. Sepse, në prill të 2022-tës për herë të fundit janë aplikuar tarifat e reja me çmime të ngritura (diku rreth 15 për qind). Mirëpo, kërkesat e vazhdueshme dhe të pandërprera nga kompania turke për ngritje çmimesh dhe ca sinjale, të cilat tërthorazi i lëshon kompania turke, si “Kosova ka çmimin më të ulët në rajon të rrymës”, “KESCO po shpenzon nga 1 milionë euro në ditë për të importuar rrymën që mungon” etj., megjithatë, ngjajnë goxha në shantazhet e mëhershme të KESCO-s për të patur sërish çmime te reja të ngritura të energjisë elektrike.
Por, efektin thuaja të kundërt dhe tërësisht në favor të KESCO-s po e kanë edhe masat e Qeverisë së Kosovës , siç është kjo e fundit fare, kur qeveria ka ndarë 16 milionë euro për zbatimit e masave 1 dhe 4 të planit të veprimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike, gjersa prej tyre 11 milionë i shkojnë Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në mënyrë që të bëhet mbulimi i pagesës për familjet e cënueshme dhe 5 milionë shkojnë për Ministrinë e Ekonomisë.
Dhe ndaj këtyre masave, pa humbur kohë, ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Ai në në një postim në Facebook ka shkruar këto ditë se “Qeveria në vend se të ndërmarrë masa për parandalimin e rritjes së faturave të energjisë elektrike për familjet, siç ndodhi në dhjetor kur për shumë familje faturat u frynë tepër shumë, Qeveria ndan 11 milionë euro për familjet për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike.
“Kjo nuk është politikë. Këto mjete nuk qëndrojnë tek familjet. Me këtë veprim, paratë transferohen nga buxheti i shtetit tek KEDS-i dhe bizneset e tjera përmes familjeve. Ulja e çmimit të energjisë elektrike do ishte veprimi i duhur në këtë rast, pasi çmimi i energjisë në tregje ndërkombëtare ka rënë dukshëm krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë ai.
Ndërkohë, lidhur me çmimet për energjinë elektrike, edhe Kuvendi i Kosovës sesionin pranveror do ta nisë të enjten me seancë të jashtëzakonshme. Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Me mbështetjen e 40 deputetëve nga partitë tjera opozitare, si Grup Parlamentar i PDK-së kemi thirrë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar çështjen e çmimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Konsiderojmë se sot nuk ka gjë më të rëndësishme që sesioni parlamentar mund të fillojë sesa me diskutimin për çmimin e energjisë”, tha Tahiri.
Ai shtoi se kanë propozuar gjithashtu një rezolutë për uljen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok-tarifave. Mbetet për të parë se si do të zhvillohen rrjedhat institucionale rreth çmimeve të energjisë elektrike. Por më 2022, as ZRRE-ja as kompanitë turke nuk kanë respektuar, madje as vendimet e Gjykatës Themelore, e më pas as të asaj të Apelit të Kosovës, të cilat patën vendosur si masë të përkohshme ndaj vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të rrymës, dhe pavarësisht deklarimeve edhe publike nga ZRRE-ja se do të respektohen vendimet e gjykatave, faturat e muajve në vazhdim, siç është e ditur, janë dorëzuar vazhdimisht me çmimet e ngritura.
Të përkujtojmë se ZRRE-ja ka marrë vendimin për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike më 9 shkurt të 2022-tës. Ndërsa, pas këtij vendimi të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kanë pasuar reagimet e shumta nga qytetarët duke e kontestuar ngritjen e çmimit të rrymës dhe duke e vlerësuar atë si tepër të lartë. Pastaj, pa vonuar PDK-ja ka paditur ZRRE-në në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila më 8 prill 2022 mori vendimin për pezullim të përkohshëm të vendimit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga instancat gjyqësore për shtrenjtimin e çmimit të rrymës.
Në muajin prill, më saktësisht me 9 prill, edhe Gjykata e Apelit, siç dihet kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së, përkatësisht për pezullimin e tarifave të reja me çmime të ngritura të rrymës. Pas vendimit të Apelit, ZRRE-ja fillimisht u deklarua se do të zbatojë vendimin e gjykatës. Mirëpo, në ndërkohë pasoi një heshtje institucionale rreth zhvillimeve pas vendimeve të dy instancave gjyqësore. Dhe, përkundër deklarimit të ZRRE-së se do të respektojë vendimin e gjykatave, asnjëherë nuk janë respektuar vendimet e të dy gjykatave. Thënë shkurt,” ranë në ujë premtimet e ZRRE-së se do të zbatohen vendimet e instancave gjyqësore.
“Ranë në ujë” dhe u shpërfillën totalisht edhe premtimet e opozitarëve të Kosovës, veçmas të PDK-së, partia që nisi procesin gjyqësor ndaj ZRRE-së, e cila, pa vonuar, që në ditën e publikimit të vendimit të Apelit, në një konferencë shtypi deklaroi se tash e tutje “qytetarët do ta paguajnë rrymën me tarifat e vjetra, para se ato të rriteshin pas krizës energjetike”. Pas të enjtes, seancës të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet çështja e çmimit të energjisë elektrike në vendin tonë, mbetet të shihet se a do të ketë ndonjë epilog iniciativa e deputetëve të PDK-së, apo do të përfundojë, siç ndodhi me vendimet e gjykatave më 2022. /Buletini Ekonomik/