Në ç’kohë dhe në ç’orë në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës?

Në Kosovë, koha kur llogaritet shpenzimi me të lirë i energjisë elektrike, ose kur aplikohet tarifa e ulët e rrymës, është nga data 1 tetor deri më 31 mars dhe është prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Buletini Ekonomik

Pas faturave “të fryra” të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023, të cilat patën ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetet familjare të shumë kosovarëve, sidomos të atyre me gjendje financiare jo të mirë, dhe pas dështimit të së enjtes (18 janar 2024) të Kuvendit të Kosovës për të vendosur për uljen e çmimit të paralajmëruar të energjisë elektrike, nuk kanë mbetur shumë alternativa për një kategori jo të paktë numerikisht të konsumatorëve për t’i zbutur pasojat financiare të diktuara nga kostoja që dikton shpenzimi i rrymës për nevojat e shtëpive të tyre.

Reklama e sponzorizuar

Siç dihet, qëkur janë rikthyer dhe kanë nisur të aplikohen bllok – tarifat, me çmim të lartë, madje në stratosferë për rrethanat kosovare (rreth 15 centë kilovat-ora), më shumë preken konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj. Prandaj, në rrethanat aktuale, alternativë e vetme për kosovarët që shpenzojnë mbi 800 kilovat/orë energji elektrike për ta ruajtur xhepin e tyre, mbetet shfrytëzimi sa më racional i rrymës, ose më konkretisht kursimi, gjithkund ku është e mundshme.

Dhe, mundësi ka. Në radhë të parë duhet racionalizuar përdorimi i mjeteve që shpenzojnë ndjeshëm më shumë energji elektrike, për të cilat tashmë Buletini Ekonomik në disa raste ka shkruar detajisht dhe që janë bojleri, shporeti elektrik, lavatriçja dhe enëlarësja, frigoriferi, hekuri për hekurosje etj. Këto mjete elektrike të domosdoshme për një familje, duhet shfrytëzuar sa më racionalisht, dhe domosdo në shumicën absolute të rasteve gjatë orëve të natës, kur energjia elektrike është goxha më lirë edhe pas çmimeve të reja të ngritura.

Sipas njoftimeve zyrtare, në Kosovë, koha kur është në fuqi furnizimi me të lirë të energjisë elektrike, ose kur aplikohet tarifa e ulët e rrymës, nga data 1 tetor deri më 31 mars, është prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00. Gjatë këtyre orëve, çmimi i energjisë eketrike është ndjeshëm më i ulët dhe nëse kosumatorët kosovarë i përmbahen këtij orari të përdorimit më të shpeshtë të pajisjeve të sipërpërmendura, gjithsesi, në fund të muajit do të paguajnë goxha më pak para për rrymën e shpenzuar. /Buletini Ekonomik/