Tri OJQ që merren me mbrojtjen e ambientit, kanë ngritur padi kundër ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) në lidhje me dhënien e Lejes Ujore për hidrocentralin “Lumbardhi I” në Deçan.
“Pishtarët”, “Gjethi” dhe “EcoZ” thonë se padia konteston vendimin e MMPHI-së të datës 17 gusht 2022, ku aprovohet kërkesa për Leje Ujore të “Kelkos Energy” SHPK, duke argumentuar shkelje të rëndësishme ligjore në procedurat e dhënies së lejes dhe mungesë të përfshirjes së publikut në vendimmarrje, raporton Klankosova.
Në veçanti, OJQ-të thonë se ky vendim është marrë pa respektuar dispozitat ligjore për mbrojtjen e resurseve ujore dhe të mjedisit, si dhe pa ndjekur procedurat e duhura administrative dhe mjedisore, duke shkaktuar dëm të pariparueshëm mjedisit dhe komunitetit lokal të zonës së Deçanit.
“Ne jemi thellësisht të zhgënjyer me ministrin Liburn Aliu, i cili përkundër evidencave dhe dëshmive, premtimeve të tij para ardhjes në pushtet dhe historisë famëkeqe që ka kompania ‘Kelkos’ në tharjen e ‘Lumbardhit’, tash edhe i ka larguar kësaj kompanie çdo përgjegjësi ligjore dhe mundësi që një ditë të arrijmë në shpëtim të atyre resurseve ujore që kanë mbet, pasi ‘Kelkos’-it jo vetëm që i është lejuar të operojë pa përmbushje të kritereve ligjore, por as nuk iu është dhënë ndonjë afat i caktuar që të plotësohen këto kushte”.
“Këto veprime janë tërësisht të kundërligjshme, degradojnë mandatin e MMPHI-së, dhe ndikojnë bindshëm në humbjen e resurseve ujore nëntokësore”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e këtyre OJQ-ve.