“Ne do të vendosim sivjet matësit e erës, dhe do të kemi matje të besueshme të erës në shumë vende e burime potenciale të erës, pastaj do të bëhen edhe studime të tjera paraprake, që d.m.th do të zhvillojmë një numër të projekteve, të cilat në të ardhmen do të shfrytëzohen për të lansuar ankande ose për të ndërtuar kapacitete në pronësi publike ose në fund të partneritetit publiko-privat”, ka paralajmëruar ministrja Rizvanolli.
Buletini Ekonomik
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të martën (27 shkurt 2024), gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovës, lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planet e ministrisë për vitin 2024, ka paralajmëruar se këtë vit në shumë vende dhe rajone të Kosovës do të vendosin edhe matësit e erës.
“Ne do të vendosim sivjet matësit e erës, dhe do të kemi matje të besueshme të erës në shumë vende e burime potenciale të erës, pastaj do të bëhen edhe studime të tjera paraprake, që d.m.th do të zhvillojmë një numër të projekteve, të cilat ën të ardhmen do të shfrytëzohen për të lansuar ankande ose për të ndërtuar kapacitete në pronësi publike ose në fund të partneritetit publiko-privat”, ka thënë ministrja Rizvanolli, duke aluduar në sigurimin e informatave të nevojshme dhe të mjaftueshme për investitorët e ndryshëm potencial në projekte të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme, respektivisht të kapaciteteve energjetike në bazë të erës.
Ajo ka shtuar se “për dallim të së kaluarës, kur këto matje nuk janë bërë në mënyrë sistematike dhe qeveria, shteti nuk i ka pasur kurrë këto informata, sepse tokat vetëm janë dhënë me qira dhe pastaj investitorët e ndryshëm potencial i kanë bërë matjet, mirëpo nuk i kanë bërë edhe këto siç duhet, dhe kjo na ka lënë pak mbrapa në këtë aspekt”.
“Tani i kemi projektet e qarta përpara, që kur prezantojmë para investitorëve të huaj, mund të prezantojmë në mënyrë të detajuar dhe profesionale, gjë që rrit gjasat dhe transparencën e proceseve, diçka për të cilën kemi marrë përgëzime përgjatë ankandit të parë”, ka thënë Rizvanolli.
Duhet theksuar se tashmë dihet se Kosova ka goxha shumë potencial dhe mundësi për të pasur më shumë energji të rinovueshme nga ndërtimi i turbinave me erë. Tashmë janë ndërtuar dy kapacitete që ia vlen të përmenden-ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 MW. Pas analizave dhe matjeve të shumta, vlerësohet se pos dy kapaciteteve të energjisë me erë, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Qyqavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës.
Vlerësohet se deri tash në të gjitha këto vende të identifikuara për mundësi ndërtimi të turbinave me erë dhe të vendeve të paidentifikuara saktësisht, por që japin sinjale të bollshme dhe bindëse për mundësinë e instalimit të turbinave me erë, mund të arrihen diku rreth një mijë megavatë energji elektrika nga era. Gjithsesi, vendosja e matësve të erës do të ndihmonte shumë për të identifikuar më shpejtë dhe më saktë vendet potenciale për vendosjen e turbinave të reja të pritshme në bazë të erës. /Buletini Ekonomik/