Sipas të dhënave të bëra publike sa e sa herë nga zyrtarë të institucioneve të ndryshme që merren me bujqësinë, por asnjëherë të verifikuara saktësisht, në Kosovë gjatë një viti, që nga paslufta, shkatërrohen rreth 1.000 hektarë tokë buke (ara dhe kopshtije) dhe kjo i bie, që nga viti 2000, Kosova të ketë humbur rreth 24 mijë hektarë ara. Mirëpo, njohësit e rrethanave dhe ekspertët mendojnë se Kosova në vitet e pasluftës, ka humbur shumë më shumë tokë të punueshme.
Buletini Ekonomik
Në Kosovë po “humbet’ çdo vit e më shumë sipërfaqja e tokës së bukës, arave e kopshtijeve, alarmojnë ekspertët e bujqësisë. Me këtë trend të shkatërrimit të tokave të bukës, Kosova, praktikisht, rrezikon të mbetet pa ara dhe pa kopshtije, dhe në këtë mënyrë, nuk do të ketë sipërfaqe as përafërsisht të mjaftueshme për të mbjellë drithërat as ato të domosdoshmet, as pemë dhe perime.
Sipas të dhënave të bëra publike, sa e sa herë edhe nga zyrtarë të institucioneve të ndryshme që merren me bujqësinë, por asnjëherë të verifikuara saktësisht, në Kosovë gjatë një viti, që nga paslufta, shkatërrohen rreth 1.000 hekatrë tokë buke (ara dhe kopshtije) dhe kjo i bie se që nga viti 2000, Kosova ka humbur rreth 24 mijë hektarë me ara.
Që nga paslufta, në Kosovë, praktikisht qindra e mijëra hektarë të tokave bujqësore, kryesisht rreth magjistraleve në të gjitha komunat e Kosovës, janë përdorur për qëllime jobujqësore. Poashtu, edhe pse mungojnë të dhënat e sakta zyrtare, qindra e mijëra hektarëve të tokës së bukës i është ndërruar destinimi. Sipas të dhënave të Sindikatave të Bujqëve, kjo sipërfaqe arrin deri në 1000 hektarë. Mirëpo, njohësit e rrethanave dhe ekspertët, mendojnë se Kosova në vitet e pasluftës ka humbur shumë më shumë tokë të punueshme.
Profesor Halim Gjergjizi, ligjërues shumëvjeçar i politikave agrare në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë, ka thënë për Buletinin Ekonomik se “Kosova po mbetet pa toka të bukës. Trendi i shkatërrimit të tokave është i vrullshëm dhe nuk po ndalet”.
Sipas tij, Kosova ka pasur gjithsej diku rreth 600 mijë hektarë tokë (ara, kopshtije dhe livadhe), nga kjo sipërfaqe – diku rreth 440 mijë hektarë kanë qenë tokë e bukës (ara dhe kopshtije). Mirëpo, nga shkatërrimi i pamëshirshëm dhe i vazhdueshëm, sipas tij, tani “nuk kanë mbetur më shumë se 200 mijë hektarë ara dhe kopshtije”.
“Kjo është e dhimbshme”, thotë profesor Gjergjizi, duke shtuar se “kanë dështuar politikat dhe ndonjë masë e ndërmarrë nga shteti për të parandaluar asgjësimin e tokave të bukës”.
Ndërkohë, sipas të dhënave nga Raporti i treguesve mjedisor për kategoritë e mbulueshmërisë së tokave në Kosovë në vitet 2000-2018, të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, në vitin 2000, Kosova ka pasur saktësisht 444,320.72 hektarë zonë bujqësore, ndërkaq në vitin 2018, kjo tokë është “tkurrur” në 416,168.22 hektarë zonë bujqësore. Sipas përllogaritjes i bie që në Kosovë në këto vite, ka pasur rënie të zonave me tokë bujqësore për 28,152.5 hektarë më pak.
Sipas vrojtuesve, por edhe konstatimeve zyrtare, humbja e madhe e tokës në Kosovë shkaktohet nga ndërrimi i destinimit, nga fragmentimi i tokës bujqësore në ngastra më të vogla, nga ndotja industriale, degradimi, erozioni, gërryerjet e lumenjve, deponitë e kontrolluara apo të pa kontrolluara që janë të vendosura në tokat bujqësore dhe nga shfrytëzimi jo i qëndrueshëm i tokës bujqësore.
Humbje e madhe e tokave të punueshme në këto vite ka ndodhur edhe nga privatizimi i tokave të ish-kooperativave bujqësore, të cilat në të shumtën e rasteve, pas shitblerjes së tyre, nga pronarët e rinj janë përdorur kryekëput për ndërtime të ndryshme.
Në këto vite pra, shkaktari kryesor i asgjësimit të tokave bujqësore, është ndërtimi i madh në to, pavarësisht se Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili kishte për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore, i cili në gjithë këto vitet e pasluftës thuajse nuk është respektuar fare.
Sipas këtij ligji, pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që tokën bujqësore ta shfrytëzojë në mënyrën e cila u përshtatet vetive natyrore të tokës, duke mos e zvogëluar vlerën e saj dhe duke përdorur masat agroteknike përkatëse. Ky ligj parasheh edhe dënime për personat fizikë apo juridikë, të cilët ndërrojnë destinimin e tokës bujqësore apo e shfrytëzojnë për qëllime jobujqësore. Dënimi, sipas ligjit, parasheh një shumë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro.
Mirëpo, ky ligj, në këto vitet e pasluftës deri tani, thuajse se nuk është respektuar fare. Prandaj, respektimi i këtij ligji në fuksion të stopimit të degradimit të mëtejshëm të tokave bujqësore dhe ndaljes njëherë e përgjithmonë të ndërtimeve të paplanifikuara urbane në tokat më pjellore të vendit, është misioni i Task-Forcës të sapokrijuar nga Qeveria e Kosovës.
Nuk bëri shumë efekte në parandalimin e asgjësimit të tokës së bukës as krijimi i Task-Forcës më 2021, me mision të vetëm për ta ruajtur sado pak degradimin e mëtejshëm të tokave bujqësore dhe pyjeve të Kosovës. Në muajin korrik të këtij viti, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka formuar Task-Forcën për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve në Kosovë. Kjo Task-Forcë është formuar me Vendim të Qeverisë së Kosovës -Nr.21/19 të datës 14.07.2021, ndërsa nga MBPZhR-ja, siç theksonin, kjo Task-Forcë është krijuar me një qëllim: “të mbrohen dhe të bëhet i mundshëm shfrytëzimi i ligjshëm i pyjeve dhe po ashtu të mbrohet toka bujqësore në Republikën e Kosovës”.
Por, tokat e bukës nuk u mbrojtën.
Ndërtimet e pakontrolluara vazhduan edhe më vrullshëm, dhe sipërfaqja e tokës bujqësore në Kosovë nga viti në vit është “tkurrur”. Tokat bujqësore janë shndërruar në zona kinse industriale, por ku dominojnë depo për mallra ekskluzivisht tregtimi, objekte afariste, komerciale dhe banesa kolektive. Dhe, edhe po të ekzistonin tani rreth 400 mijë hektarë, sa bëhen përllogaritjet në institucionet kompetente të vendit, nëse kjo sipërfaqe tokë bujqësore llogaritet për kokë banori, sipas ekspertëve, është shumë e ulët dhe nën mesataren e standardit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së (FAO).
Në fakt, sipas standardeve të FAO-së, limiti i tokës bujqësore për kokë banori është rreth 17 ari, për të siguruar të mirat materiale për një zhvillim të qëndrueshëm të njerizimit, derisa po të kishim 400 mijë hektar, ne përafërsisht do të kishim vetëm 15 ari tokë bujqësore për kokë banori dhe jemi nën limitin ekzistencial.
Ndërkohë, vrojtuesit, siç u tha më lartë në këtë tekst, alarmojnë për sipërfaqe shumë-shumë më të pakta të tokës së mbetur të bukës në Kosovë. Ata shtrojnë pyetjen alarmuese se çka do të bëhet në vitet e ardhshme nëse vazhdon ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore, përkatësisht vazhdimi i betonizimit të arave tona me këtë vrull të këtyre viteve dhe sa tokë buke do të ketë Kosova, edhe ashtu e vogël dhe pak toka bujqësore… /Buletini Ekonomik/