Ministria e Ekonomisë lanson ankandin elektronik për projektin e parë solar prej 100 MW

Panele solare dhe turbinat me erë

Ministria e Ekonomisë do të mbajë ankandin elektronik për projektin e parë solar prej 100 MW. Në lansimin e këtij ankandi, po marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, dhe ushtruesja e detyrës së Misionit USAID Kerry Monaghan Hogler.

Në maj, Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me USAID-in, ka organizuar Konferencën e Para-Ofertimit për ankandin solar 100 MW në Kosovë, i cili solli së bashku me mbi 200 pjesëmarrës u transmetua në kohë reale për audiencën globale.

Në këtë lansim u tha se Kosova e ka caktuar si prioritet modernizimin dhe përmirësimin e sektorit energjetik të vendit dhe po bashkëpunon ngushtë me partnerët për zhvillim, duke përfshirë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID-in, Komisionin Evropian, Bankën gjermane për investime dhe zhvillim – KfW-në, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZh-in dhe Korporatën Financiare Ndërkombëtare – IFC-të, si dhe donatorët e tjerë ndërkombëtarë dhe sektorin privat, për t’i arritur këto objektiva të rëndësishme.

Reklama e sponzorizuar

“Pesë kompani nga Franca, Turqia, Egjipti, Gjermania, Zvicra e Kosova do të ofertojnë në këtë ankand. Përgjatë më shumë se një viti institucionet të udhëhequra nga Ministria e Ekonomisë kanë punuar me mund për të zhvilluar një proces transparent. Ne synojmë një sektor energjetik që është i sigurt e që ecë në hap me zhvillimet botërore. Ankandi është pasqyrim i këtyre synimeve. Po i shtojmë 100 MW në prodhimin tonë të energjisë. Kompania që do të del fituese sot do të investojë 70 milionë euro. Ndonëse sot vetëm njëra kompani do të del fituese, ju bëj ftesë kompanive që të qëndrojnë bashkë dhe të realizojmë bashkë projekte tjera të ngjashme”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes këtij projekti dhe projekteve tjera po synohet një sektor më i sigurt energjetik.

“Që nga fillimi i mandatit kemi konfirmuar se investimi në kapacitete të reja gjeneruese në burimet e ripërtëritshme  do të jetë prioritet. Ankandi diellor që po përmbyllim sot është i pari proces i tillë konkurrues në Kosovë. Ne insistuam që ankandi të bëhej në tokë publike që të sigurohemi se shfrytëzimi i pronave të jetë sa më efikas. Pas shumë analizave kem përzgjedhur lokacionin të komunën e Rahovecit. Për investitorët kemi ofruar shumë avantazhe”, shtoi ajo.

“Qeveria e Kosovës së fundi ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në sektorin e energjisë elektrike, me qëllim të liberalizimit dhe zhvillimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë”, u tha tutje në këtë prezentim të ankandit.

Përmes Strategjisë së re të Energjisë 2022-2031 dhe Projektligjit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë, Kosova është në proces të krijimit të një baze ligjore të re për rritjen e investimeve të sektorit privat në burimet e ripërtërishme.