Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që ka nisur më 5 prill. Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve, raporton Express.
Këtë herë, kanë qenë shtatë pyetësorë që duhet të plotësohen. Në këtë regjistrim, është shtuar edhe pyetësori për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkëatdhetarëve.
Mbledhjen e këtyre të dhënave, Agjencia e Statistikave e ka arsyetuar me rëndësinë për të bërë politika më të mira për vendin, për ta planifikuar buxhetin dhe investimet, për t’i përmirësuar kushtet e jetesës në vend dhe për investime të huaja.
Sipas ligjit, çdo banor i Republikës së Kosovës detyrohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta në pyetësorët e Regjistrimit të Popullsisë.
Pa përfshirë diasporën, Kosova pritet t’i ketë rreth 1.5 milion banorë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
“1.5 milionë banorë pritet t’i ketë Kosova pa përfshirë diasporën”, ka deklaruar Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të ASK’së, Avni Kastrati.
Krahasuar me vitin 2012, Kosova pritet të ketë 200 mijë banorë më pak, e që Kastrati e ka lidhur me emigrimin.
“Është edhe shtimi natyror, rreth 23.000 lindje në vit, 10.000 vdekje, ka pasur edhe emigrim të lartë nga Kosova…Ka pasur edhe sfida për ekipet, kryesisht në zonat kodrino-malore. S’kemi mundur t’i mbështesim të gjitha ekipet e regjistrimit, pagesa ka qenë e mirë, është përfshirë edhe kostoja e udhëtimit. E kemi edhe mbështetjen e komunave”, ka thënë ai.
Kastrati ka deklaruar se sipas statistikave dhe matjeve, deri në 2050-n Kosova mund t’i ketë rreth 700.000 banorë për shkak të uljes së shkallës së fertilitetit. Kjo sipas tij, është sfiduese për Kosovën, por edhe për vendet e rajonit.