Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Doganën kanë parandaluar një rast të kontrabandimit të mallrave në vlerë prej 30 mijë euro, raporton Express.
Sipas njoftimit të lëshuar, sot në brezin kufitar Maqedoni e Veriut- Kosovë, Policia ka ndaluar një të dyshuar mashkull i cili po e drejtonte një kombi/furgon me targa vendore pa patentë shofer, ku gjatë kontrollit të realizuar është vërejtur se personi i dyshuar kishte të ngarkuar disa pako me mallra: sirup ‘Takovo’ rreth 900 litra, filtera Grande rreth 70000 copë, filterë Gentelmen rreth 450000 copë, kavanoza të qelqit me mjaltë në sasi prej rreth 1200 kg, 28 palë këpucë, 2 karrige luhatëse me pajisje përcjellëse dhe 2 pasqyra.
“Mallrat e lartcekura që dyshohet si të kontrabanduara sipas vlerës së tregut arrijnë shifrën rreth 30.000 €. Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorinë, ku me urdhër të prokurorit personi i dyshuar dërgohet në qendër të ndalimit për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohen në terminalin doganor përkatës”, thuhet në njoftim.