Sa do të kushtojë kalimi në autostradën Thumanë-Kashar?

Autostrada më e re në Shqipëri, ajo e aksit Thumanë-Kashar, e cila është lëshuar për qarkullim të automjeteve më 30 qershor, pritet t’i gjenerojë të hyra të majme shtetit shqiptar.

Për të gjitha automjetet që përshkojnë këtë rrugë, pagesa për shfrytëzimin e autostradës në një drejtim do të jetë 2.69 euro apo 270 lekë, përcjell Buletini Ekonomik. Ndërsa në të dy drejtimet, pra shkuarje dhe kthim, qytetarët që e frekuentojnë këtë rrugë, do të duhet të paguajnë 5.38 euro gjithsej.

Edhe qytetarët e Kosovës që vizitojnë Shqipërinë, janë të obliguar të paguajnë këtë taksë rrugore gjatë shfrytëzimit të autostradës, përveç taksës tjetër obligative në hyrje të Shqipërisë, e që kushton hiq më pak se 5 euro për secilin automjet në njërin drejtim.

Reklama e sponzorizuar
Foto: Fatura e taksës rrugore në autostradën Thumanë-Kashar, dërguar nga një lexues

Ndryshe, autostrada Thumanë-Kashar është aks i kategorisë A të rrugëve, ku shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 kilometra në orë.

Sipas krerëve të shtetit shqiptar, hapja e këtij aksi për qarkullimin e automjeteve, do ta lehtësojë ndjeshëm fluksin e trafikut në këtë zonë.

Gjithashtu, sipas njoftimeve të Ministrisë së Infrastrukturës së Shqipërisë, drejtuesit e automjeteve me rastin e kalimit nga kjo anë – do të kenë të drejtë të zgjedhin rrugët e shpejtësisë mbi 130 kilometra në orë me pagesë të autostradës, apo edhe rrugët dytësore në këtë anë, e të cilat do të jenë të disponueshme pa asnjë lloj pagese.

Aksi Thumanë-Kashar është njëkohësisht edhe loti i parë i Korridorit Blu, i njohur ndryshe si korridori Adriatiko-Jonian, që pritet të përshkojë Shqipërinë nga veriu në jug – si një rrugë e vetme që nuk do t’i përkasë vetëm Shqipërisë, por edhe Bashkimit Europian, në lidhjen që do të bëjë në Europën Qendrore me atë Juglindore në Greqi.

Ky projekt i madh investiv, i cili pritet të kushtojë mbi 1.1 miliardë euro, është parashikuar të përfundojë brenda pesë viteve të ardhshme.  /Buletini Ekonomik/