Kompania Regjionale e Mbeturinave për rajonin e Prishtinës, “Pastrimi”, të mërkurën ka paralajmëruar se të gjithë klientët e amvisërisë, bizneseve dhe institucioneve, përfshirë ato publike, që kanë borxhe në faturat e mbeturinave do të procedohen te përmbaruesi privat nëse nuk fshijnë detyrimet deri më 6 shtator (e premte).
Në një njoftim për media, “Pastrimi” ka thënë se ka bërë njoftime të vazhdueshme në media që faturat për heqjen e bërllokut të paguhen. Kompania ka bërë të ditur gjithashtu se borxhi mund të paguhet me këste deri në 12 muaj.
“Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A, pas njoftimeve të vazhdueshme ne media, rrjete sociale si dhe njoftimeve përmes vërejtjeve për pagesë të mbeturinave, njofton që do të bëjë procedimin e borxheve në procedurën përmbarimore tek Përmbaruesve Privat. Procedimi i borxheve do të bëhët për klientët e amvisërisë, bizneseve dhe institucioneve pëefshirë edhe institucionet publike të cilatt kanë borxhe për faturat e mbeturinave. Afati kohor i përmbushjes së obligimeve të klientëve për pagesë të fatures së mbeturinave është deri me dt. 06 Shtator 2024 ora 16:00. Po ashtu, njoftojmë gjithë klientët që Kompania “Pastrimi”, ofron mundësinë e marrëveshjes për riprogramim të borxheve me këste deri 12 muaj. Ju bëjmë thirrje gjithë klientëve të Kompanisë “Pastrimi”, SH.A që të përmbushin obligimet e tyre që kanë ndaj kompanisë sonë sepse në rast të mospagesës së obligimeve (borxheve), ju njoftojmë që borxhet e pa paguara pas datës 06 Shtator 2024 do të procedohen tek Përmbaruesit Privat”, thuhet në njoftimin e tyre.