Çka po ndodhë me ankandin e parë solar në Kosovë?

Bota, vizionet dhe projektet premtuese të zyrtarëve dhe vendimmarrësve të Kosovës për kapacitetet solare, tashmë, praktikisht po i realizon brenda 24 orëve, apo shumë – shumë brenda javësh dhe muajsh, ndërsa këtu pasja e një projekti solar po stërgjatet me vite e vite, pashpjegueshëm dhe pakuptueshëm. Pse po heshtet për fatin e ankandit të parë solar në Kosovë?

Mehmet GJATA

Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, energjinë solare në botë e bënë revolucionare, në radhë të parë, ritmi i rritjes, i shtimit marramendës dhe të shpejtë të numrit të kapaciteteve energjetike në bazë të diellit. Një analizë e botuar në prestigjiozen “The Economist” sjell të dhëna interesante për ritmin e hovshëm që ka marrë në botë zhvillimi energjetik solar, karshi kosovarëve indolentë dhe të vonuar sa s’bënë përtej në ndërtimin e impianteve diellore energjetike.

Reklama e sponzorizuar

Por, për të parë përmasat kolosale të zhvillimit të sektorit solar në botë, po i përsërisim të dhënat impozante të përfshira në tekstin e The Economist: Në vitin 2004, botës iu desh një vit i tërë për të instaluar një kapacitet prej një gigavat në energji diellore (1 GW është i barabartë me një miliard vat, ose një e mijta e një teravati); në vitin 2010, u desh një muaj; në vitin 2016, u desh vetëm një javë”.

Ndërkohë analistët në grupin e të dhënave BloombergNEF, parashikojnë se gjatë vitit 2024 (këtij viti pra) do të arrihet të instalohet një kapacitet prej 520-655 GW: pra, në një ditë të vetme, sa dyfishi i kapacitetit të prodhuar në gjithë vitin 2004. Dhe, sipas kësaj analize, kjo rritje e jashtëzakonshme ka ardhur nga ndërveprimi i tre faktorëve të thjeshtë. Një, kur industritë prodhojnë më shumë nga diçka, ato e bëjnë atë më të lirë; tjetri, kur gjërat bëhen më të lira, kërkesa për to rritet, dhe kur kërkesa rritet, prodhohet më shumë.

Në rastin e energjisë diellore, për një kohë të gjatë në fillim të këtij shekulli, kërkesa u krijua dhe u mbështet nga subvencionet shtetërore, më pas rënia e çmimeve u bë e dukshme dhe e parashikueshme. Përgjigjet pozitive që nxisin rritjen eksponenciale të kërkesës, u rritën në shkallë globale. Dhe nuk ka shenja ndalimi apo ngadalësimi. Blerja dhe instalimi i paneleve diellore tani është kategoria më e madhe e investimit në prodhimin e energjisë elektrike, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), një “think-tank” ndërqeveritar: në këtë industri priten të investohen 500 miliardë dollarë këtë vit, e ngjashme me shumën që do të investohet në naftë dhe gaz. Kapaciteti i instaluar dyfishohet çdo tre vjet.

Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Energjisë Diellore, energjia diellore pritet të prodhojë më shumë energji elektrike se të gjitha termocentralet bërthamore të botës në vitin 2026, më shumë sesa turbinat me erë në vitin 2027, sesa digat e hidrocentraleve në vitin 2028, sesa termocentralet me gaz në vitin 2030 dhe ato me qymyr në vitin 2032. Sipas agjencisë IEA, nëse arrihet eliminimi i emetimit të dioksidit të karbonit nga mesi i shekullit, energjia diellore do të bëhet burimi më i madh i njerëzimit për energji parësore, deri në vitet 2040. Me konkretisht, energjia diellore po kthehet në faktor kyç dhe determinues i zhvillimit në të ardhmen në mbarë botën.

Ndërkaq, në Kosovë, ndër autoritetet vendimmarrëse dhe zyrtarët kompetentë, këto të dhëna dhe shifra konkrete të rritjes kolosale të ndërtimeve të kapaciteteve solare janë thuaja imagjinare, të pakuptueshme fare. Kosova akoma është tepër larg ndërtimit të një impianti të vetëm solar më serioz dhe të një kapaciteti më imponues të prodhimit të rrymës nga dielli në këtë vend (hiq dhjetëra, qoftë edhe qindra panele solare të vendosura nëpër disa nga shtëpitë e kosovarëve për nevoja familjare). Kosova, pra, po vonohet tmerrësisht shumë dhe pashpjegueshëm për ta pasur një kapacitet prodhues 100 megavatësh, që në suaza të kapaciteteteve të instaluara në botë, vlerësohet te kapacitetet e vogla, ose shumë-shumë te ato mesatare. Kosova, thënë më së buti, në këto vite, qëkur është miratuar Strategjia energjetike 2022-2031 dhe qëkur është proklamuar zyrtarisht tranzicioni elektroenergjetik në këtë vend (zëvendësimi i qymyrit si burim energjetik dominues, me burime të energjisë së rinovueshme), pati shumë fjalë, shumë premtime dhe jo pak promovime spektakulare të projekteve të energjisë solare, por nuk pati rezultate të arritura (asnjë të vetëm) në këto vitet e fundit në ndërtimin e kapaciteteve të energjisë diellore, si një burim ndër më të rëndësishmit të parashikuar dhe të vijëzuar si vizion për tejkalimin sa më të shpejtë të tranzicionit elektroenergjetik, të premtuar edhe nga Qeveria aktuale.

Është trishtuese dhe e pakuptueshme fare që Kosova në këto dy tre vjetët e fundit, të mos jetë në gjendje të ketë një kapacitet të vetëm solar të finalizuar, përkundër premtimeve të shumta rreth ndërtimit të kapaciteteve solare në Kosovë, përkundër prezantimeve dhe promovimeve “mbresëlënëse” dhe vizioneve goxha imponuese nga përfaqësues të shtetit. Në këtë periudhë pra, Kosova nuk ka asnjë kapacitet të finalizuar solar, dhe ka vonesa të theksueshme të realizimit të fare pak projekteve të nisura tashmë, ndërkohë që bota ka bërë revolucion kuptimplotë në arritjen e instalimit të kapaciteteteve solare, siç shihet më sipër në këtë tekst.

Sot e kësaj dite, së paku për publikun në vend, ka paqartësi të shumta rreth fatit të ndërtimit të të gjitha impianteve të premtuara nga zyrtarët. Tani për tani, nuk dihet shumë as për fatin e ndërtimit të impiantit fotovoltaik diellor me kapacitet rreth 100 megavatësh, për çka Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane për Investime (EIB), që më 18 mars 2024 kanë nënshkruar një marrëveshje investimi 33 milionë euroshe. Opinioni nuk është i informuar një herë të vetme pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, që siç u tha më 18 mars “Është projekti i parë solar në KEK…Është projekt shumë i rëndësishëm për shkak se ndihmon tranzicionin e KEK-ut dhe rajonit të Prishtinës dhe Obiliqit në rrugën drejt dekarbonizimit.

Me fjalë të tjera, tani, kur vetëm pak ditë na ndajnë nga muaji tetor, ose kur nga 18 marsi kanë kaluar mbi 5-6 muaj të plotë, askush në Kosovë, së paku në opinionin e këtij vendi nuk di se në ç’fazë gjendet tani ky projekt. Sikur që nuk ka shumë informacione se si është duke ecur dinamika e realizimit të projektit të madh solar (kapacitet energjetik në bazë të diellit me fuqi të instaluar prej 70 megavatësh), me emërtimin “Solar4Kosova”.

Në fazën e paranisjes së këtij projekti, nga autoritetet e vendit thuhej se bëhej fjalë për një kapacitet solar në përmasa të mëdha diellore dhe që do të jetë jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK), dhe që do të ketë gjithanshëm të mirat e veta.

Ishte thënë nga zyrtarët se “Solar4Kosovo” do ta reduktojë edhe emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë në vit. Ishte sqaruar gjithashtu se projekti pritet të kushtojë 64 milionë euro dhe pritet të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH, dhe kaq dihet.

Buletini Ekonomik ka trajtuar detajisht dhe në jo pak raste vonesat në finalizimin e këtyre projekteve shumë të rëndësishme për të ardhmen energjetike të vendit. Ndërsa, ankandi i parë solar, që për shkak të vonesave shumë mujore deri në lansimin e tij, u bë historik dhe shumë i përfolur jo vetëm në qarqet energjetike të vendit, dhe, pas 12 majit 2023, kur Qeveria e Kosovës, më në fund, pas shumë vonesave, kishte lansuar ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavatësh në vlerë 75 milionë euro, prap ka paqartësi rreth implementimit të tij, realizimit, apo nisjes së punëve për ndërtimin e këtij kapaciteti. Lansimi i këtij ankandi ç’është e vërteta, ishte paraparë të bëhet që në fund të vitit 2022, por u shty pa shpjegime të bindshme nga zyrtarët disa herë. Dhe ky ankand solar dhe i nisur më në fund, me të drejtë konsiderohej si pikënisje për një epokë të re të zhvillimit të Kosovës në burimet e ripërtëritshme.

“Shpalljen e këtij ankandi tonë të parë po e bëjmë në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, kur po marrim një ndër hapat kryesor drejt tranzicionit tonë të gjelbër dhe investimeve më të mëdha në sektorin tonë të energjisë, ndër dekada… Ky është hapi i parë, por shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, kushtet janë që të vijnë investitorët”, kishte thënë me këtë rast kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Por, as kryeministri e as ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe as zyrtarë të tjerë, nuk e thanë më pastaj, asnjë fjalë rreth realizimit të këtij projekti (ku ka arritur ndërtimi i tij, pse po vonohet kaq shumë dhe përtej ritmeve të ndërtimeve të ngjashme në botë). Ku janë shkaqet e vonesës? Pse konzorciumi fitues i ndërtimit të këtij kapaciteti solar një herë të vetme nuk doli në publik për të sqaruar për fatin e këtij projekti, që në botë, siç u citua më lart përvoja e botës, ky kapacitet tani ndërtohet sa çel e mbyllë sytë, brenda fare pak ditësh?

Fundja, edhe qeveria duhet të shpjegojë shkaqet e vonesës kaq të madhe, të sqarojë cilat janë shkaqet reale, a mos është fjala për ndonjë pengesë serioze për ta implemnetuar projektin nga konzorciumi fitues, mos është fjala për mungesë parash te fituesi, apo çka… Mos kanë “dorë” në këtë ngecje masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës?

Të shpjegohen qytetarët e këtij vendi, se pse ankandi solar ka ngecur. Dhe, në vend të këtyre sqarimeve, tashmë sikur është harruar edhe ky projekt, i promovuar jo një herë nga autoritetet për kontributin e tij të pritshëm edhe në Strategjinë e Kosovës, gjithsesi të guximshme të Energjisë për periudhën 2022-2031 për të arritur kapacitete të rëndësishme në energjinë diellore deri në vitin 2031. Siç dihet, objektivat kryesore të strategjisë energjetike të Kosovës përfshijnë reduktimin e emetimeve të gazeve serrë në sektorin e energjisë me një minimum prej 32% deri në vitin 2031, duke synuar të përmbushë së paku 35% të konsumit të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) deri në të njëjtin vit, dhe nxitja e zhvillimi i kapaciteteve të reja të BRE. Këto përfshijnë 600 megavatë energji të erës dhe 600 megavatë energji diellore fotovoltaike (PV).

Strategjia synon gjithashtu të arrijë një kapacitet total të instaluar të BRE prej 16,002 megavatësh deri në vitin 2031. Dhe, deri më 2031 kanë mbetur diku rreth 6 vjet e sa muaj, dhe, pa dyshim që tani është pikëpyetje e madhe si do të realizohen këto objektiva me këtë dinamikë të deritashme të ndërtimit të kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. /Buletini Ekonomik/