Duke pasur parasysh se centralet solare (tashmë janë futur në përdorim edhe në gjuhën shqipe disa emërtime për këto kapacitetete të prodhimit të energjisë elektrike, si panele solare, impiante solare, kapacitetete prodhuese në bazë të diellit, centrale me diell …), gjegjësisht stabilimentet më të rëndësishme të tyre, që janë panelet solare, instalohen në natyre (në sipërfaqe të tokës) dhe përballë rrezeve të shumta të diellit, ose të shtrira në mënyrat për të absorbuar sa më shumë diell të mundshëm, është e natyrshme se i nënshtrohen domosdo edhe ndikimit jo të paktë të kushteve atmosferike.
Në këtë mënyrë, siç pohojnë ekspertët e këtij sektori, nuk janë erërat e forta të vetmet që kanë ndikim të keq në punën e centraleve solare, kur dihet se bëhet fjalë për një infrastrukturë e cila ditë dhe natë është e ekzpozuar kundrejt kushteve atmosferike.
Sipas ekspertëve, kur qielli mbulohet nga retë, prodhimi i energjisë elektrike në impiantet në bazë të diellit ulet përafërsisht nga 10 deri në 30 për qind, varësisht nga sasia dhe dendësia e reve. Ndërkohë, të reshurat, siç është shiu dhe bora, mund të kenë efekte të ndryshme në punën e paneleve solare. Shiu në raste të shpeshta mund të jetë edhe i dobishëm, sepse ndihmon në mirëmbajtjen e pastërtisë të paneleve.
Me fjalë të tjera, pluhrat dhe ndotësit e tjerë të cilët shtresohen mbi panele, nëse nuk pastrohen, kanë ndikim në prodhimin te centralet solare, për shkak se bllokojnë dritën nga dielli. Ndërsa shiu rëndom pastron këto shtresime ndotësish dhe në këtë mënyrë ndihmon që të mbahet efektshmëria maksimale e paneleve.
Në anën tjetër, gjatë periudhave të dimrit, bora ka mundësi që përkohësisht të ndërpresë prodhimin, sidomos në rastet kur tërësisht mbulon panelet. Por, dihet, shumica absolute e paneleve solare vendosen pjerrtas, duke respektuar këndin e nevojshëm që mundëson rrëshqitjen më të shpejtë të borës nga sipërfaqja e paneleve solare. Dhe, sado që mbulesa e borës mund të ulë prodhimin, për shkak se nuk qëndron gjatë kohë mbi panele, rrallë herë ka ndonjë ndikim të madh në punën e centraleve me diell. Po kështu, sipas ekspertëve të kësaj fushe, të ftohit mund të ketë efekte pozitive në punën e cetraleve solare. Qelitë solare, konstatojnë inxhinierët, punojnë më mirë në temperatura të ulëta, ngase temperaturat e larta ulin ritmin në të cilin normalisht punojnë panelet solare. Kështu, nëse orët me diell mbeten të njëjta edhe në ditët e ftohta, panelet solare, mund të jenë, madje, edhe 20 për qind më të efektshme. /Buletini Ekonomik/









