Çmimi i qepëve në Kosovë, ka muaj që është standardizuar te 50-60 centëshi për një kilogram dhe ky çmim është ndjeshëm më i ulët se ai para një viti (saktësisht në muajt e pranverës së vitit të kaluar), kur një kilogram qepë në tregjet e Prishtinës tregtohej me 1,6 euro deri në dy euro (nëpër minimarkete, markete të mesme dhe supermarkete) dhe 1,3 deri në 1,5, 1,6, 1,7 euro në tregjet e gjelbra. Edhe preshi këtyre ditëve imponohet me çmim të pranueshëm.
Buletini Ekonomik
Në vjeshtën e sivjetshme, të karakterizuar me furnizim mbresëlënës të tregjeve kosovare me produkte bujqësore, sidomos me perime dhe pemë dhe si rëndom në këto vitet e fundit me çmime të shtrenjta, bien në sy megjithatë dy-tri produkte bujqësore që kanë çmime të pranueshme dhe të kapshme edhe për qytetarin e rëndomtë, ata me gjendje financiare jo të kënaqshme.
Sivjet, çmimi i qepëve në Kosovë ka muaj që është standardizuar te 50-60 centëshi për një kilogram dhe ky çmim është ndjeshëm më i ulët se ai para një viti (saktësisht në muajt e pranverës së vitit të kaluar), kur një kilogram qepë në tregjet e Prishtinës tregtohej me 1,6 euro deri në dy euro (nëpër minimarkete, markete të mesme dhe supermarkete) dhe 1,3 deri në 1,5, 1,6, 1,7 euro në tregjet e gjelbra.
Një thes i vogël me qepë, që rëndom me vite iu është ofruar konsumatorëve kosovarë nga shitësit e këtij produkti, qoftë në markete, qoftë në tregjet e gjelbra, dhe që peshon pak a shumë 1,5 deri më së shumti 1, 8 kilogram, këto ditë shitet nga 1 euro (në tregjet e gjelbra) dhe nga 1,2 deri në 1,5 euro nëpër të gjitha llojet e marketeve dhe të shitoreve që tregtojnë edhe produkte bujqësore. Para një viti, një thes i të njëjtës madhësi tregtohej deri në 3 euro.
Në këtë mënyrë, qepët, si produkti ndër më i nevojshmi në familjet kosovare dhe në gastronominë e vendit, në këta muaj të vjeshtës, për shkak të çmimit të pranueshëm, janë kthyer në tryezat e kosovarëve si në vitet e mëhershme. Praktikisht, është bërë mall që mund të blehet edhe nga të varfërit, pra ta ketë secila familje kosovare.
Një shitës te Tregu kryesor i gjelbër (te ndërtesa e RTK-së), ka përgjigjen për çmimin e pranueshëm të sivjetshëm të qepëve: “Ka, njëherë përnjëherë shumë qepë në Kosovë. Edhe prodhimi vendor ka qenë me rendimente dhe cilësi të dallueshme sivjet”.
Sipas tij, këtyre ditëve, më saktësisht qëkur ka përfunduar sezoni i vjeljes së qepëve, në treg shumica e qepëve janë nga prodhuesit dhe fermerët vendorë. “Ata kanë madje edhe stoqe jo të pakta të këtij produkti” thotë tregtari prishtinas.
Edhe purrini (preshi) këtyre ditëve imponohet me çmim të pranueshëm. Në tregjet tona, një sasi preshi (tre copë të lidhur), që gjithsesi mund të peshojnë mbi një kilogram, vazhdon të tegtohet me 50 centë. Tregtarët e vjetër të pemëve dhe perimeve që me vite të tëra kanë shtandet e veta në Tregun e Gjelbër kryeqytetas, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se këtë çmim kaq të kapshëm të preshit, kaherë, ndoshta edhe me vite nuk ka ndodhur ta ketë ky perim.
Sivjet, preshi duket të jetë edhe cilësor, ndërsa tregtarët, nuk e kanë shumë të qartë se a është prodhim vendor, apo i importuar. Deri sivjet, preshi në sasi më të mëdha, për nevojat e tregjeve të Kosovës është importuar nga Shqipëria.
Këtyre ditëve, në tregjet tona bie në sy edhe çmimi i ulur disa herë krahasuar me muaj më parë – i spinaqit. Tani, një kilogram spinaq tregtohet me 80 centë dhe 1 euro, që është ulje drastike me çmimin e para dy tre muajsh, kur kilogrami i spinaqit kishte çmim stratosferik dhe tregtohej nga 5, 6 euro dhe përtej.
Çmimet e perimeve të tjera, sipas vlerësimit të qytetarëve, por edhe njohësve të ecurive të çmimeve të produkteve bujqësore, janë shumë të larta. Ndërsa, bie në sy, çmimi shumë i lartë i një kilogrami të lakrës, në këtë kohë kur është sezoni i këtij perimi. Edhe më tutje, një kilogram lakre kushton në tregjet tona 70 centë dhe në raste të rralla mund ta gjesh ndoshta edhe me 60 centë. Domatja, një nga perimet e konsumuara shumë, tani ka çmim të lartë, ndoshta më shumë se të dyfishuar në krahasim me çmimin e muajve të verës. Këto ditë, një kilogram domate kushton 1,5 euro deri në 2 euro. /Buletini Ekonomik/