Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave Bedri Hamza gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar një vizitë në Doganën e Kosovës ku u njoftuan për të arriturat e institucioni.
I pari i PDK-së, Kadri Veseli, konsideron se Dogana e Kosovës është institucioni më vital dhe profesional i cili falë njerëzve të pa korruptuar ka arritur ta rrisë buxhetin e Kosovës.
Sipas tij, falë sukseseve të Doganës është arritur rritja e pagave në shumë sektore.
Veseli u shpreh se drejtimi i Kosovës duhet të jetë me njerëz të pa korruptuar dhe që janë të vendosur ta mbrojnë ligjin.
“Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit, krimit të organizuar është jo vetëm e drejtë, por është edhe e vlefshme. Ne po flasim vetëm duke iu referuar kësaj që tha ministri i Financave se cili ka qenë efekte i një ministri të pa korruptuar edhe një drejtor i Doganave i pa korruptuar, 700 milionë euro për buxhetin e Republikës së Kosovës me të cilin e kemi ruajtur stabilitetin makroekonomik, edhe pse janë rritur investimet kapitale kemi ruajtur deficitin buxhetor, i cili është 17.1 për qind” ,tha ai.
Në anën tjetër, ministri i Financave, Bedri Hamza deklaroi se nga Dogana e Kosovës në vitin 2019 është rritur buxheti i Kosovës për 700 milionë euro.
Hamza tha se falë punës së Doganës së Kosovës, Kosova e ka përforcuar pozitën e qëndrueshmërisë e stabilitetit makrofiskal.
“Nëse i shikojmë të dhënat dhe i referohemi statistikave del se buxheti i Kosovës në raport me vitin 2017, pjesën e ekzekutimit të vitit 2017 dhe pjesën e planifikimit të vitit aktual kemi një rritje prej 700 milionëve. Këto janë arritur me lirime që kryesisht kanë shkuar në drejtim të ndërmarrjeve prodhuese dhe të eksportuesve. Prandaj, kjo është rritje e formalitetit është luftim i dukurive negative, dogana është një institucion jashtëzakonisht mirë i ndërtuar dhe është model edhe për vendet tjera dhe unë jam i sigurt që përkrahja e institucioneve do jetë e vazhdueshme”, theksoi Hamza.
Drejtoi i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se gjatë këtij takimi ish-kryetarin e Kuvendit dhe ministrin në detyrë të Financave e ka njoftuar për kapacitetet e Doganës së Kosovës dhe disa nga të arriturat e këtij institucioni.
“Jemi në një javë të rëndësishme të Doganës së Kosovës ku po festojmë 20 vjetorin e themelimit të Doganës së Kosovës. Treguam për të gjitha sukseset të cilat i kemi pasur gjatë gjithë këtyre viteve. E gjithë kjo punë dhe gjithë këto suksese të Doganës janë arritur falë përkrahjes që kemi nga institucionet e Republikës së Kosovës, nga parlamenti fillimisht sepse fillimisht duhet të krijohet baza ligjore për operim të institucioneve, por edhe për përkrahje , por gjithashtu edhe në aspektin e ministrisë së Financave në baza ditore të cilat kemi përkrahje në misionin ditor në arritjen e objektivave tona” ,tha Berisha./KSP/