Dyshime për dërgimin e KRM “Pastrimi”në falimentim, në komunën e Prishtinës mbahet dëgjimi publik

Në komunën e Prishtinës po mbahet dëgjimi publik për KRM “Pastrimi”. Ky dëgjim është iniciuar nga Kuvendi i kryeqytetit.

Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Pastrimi” Petrit Reçica, ka reaguar dje ndaj kryetarit Përparim Rama dhe drejtorit të shërbimeve Publike Bekim Brestovci, të cilët sipas tij janë duke e dërguar këtë ndërmarrje në falimentim.

Ai në “Facebook” ka shkruar se komuna po kontrakton kompani private për mbledhjen e mbeturinave, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e KRM “Pastrimi”.

Reklama e sponzorizuar

Reçica, tha se janë 900 punëtorë që rrezikojnë të mbesin pa paga.

“Me publikimin për kontraktimin e kompanive private për mbledhjen e mbeturinave në 6 llote për vlerën 16.5 milionë euro Komuna e Prishtinës po bën një hap të qartë drejt margjinalizimit të Ndërmarrjes Publike Rajonale KRM “Pastrimi,” duke rrezikuar drejtpërdrejt qëndrueshmërinë e saj. Kjo ndërmarrje, me 900 punëtorë në nivel rajonal, prej të cilëve 300 në Prishtinë, është një shtyllë e rëndësishme e shërbimeve publike për qytetarët. Me këtë veprim po tentohet të shpenzohen 16.5 milionë euro vetëm në shërbim me 0 investime kapitale, çka nënkuptohet që Kryeqyteti pas skadimit të kontratës do të kthehej në pikën zero sa i përket trajtimit të mbeturinave“, thuhet në reagim.

Ai ka kërkuar që kryetari Rama të ndalojë me këto veprime.

“Vendimet e Komunës duket se synojnë falimentimin e KRM Pastrimi dhe privatizimin e shërbimeve thelbësore për qytetarët, duke minuar parimet e menaxhimit transparent dhe efektiv të mbeturinave. I bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës Përparim Rama, që të ndalojë këto veprime të papërgjegjshme që rrezikojnë qindra vende pune dhe të rikthejë fokusin te mbrojtja e interesit publik. Gjithashtu, kërkojmë një qasje të drejtë për mbështetjen e KRM “Pastrimi”, si një ndërmarrje publike rajonale me më shumë se 67 vite ekzistencë dhe e cila ka shërbyer me përkushtim për vite me radhë“, tha ai.