Kosova renditet e treta pas Shqipërisë për nivelin e transparencës buxhetore

Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Hapur (OBS) tregojnë se Kosova ka shënuar rezultat total prej 50 pikëve nga 100 në Indeksin e Transparencës së Buxhetit.

Në këtë aspekt, Kosova renditet e treta ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor për nivelin e transparencës buxhetore. Kështu thuhet në raportin rezultateve “Anketa e Buxhetit të Hapur 2023 për Kosovën” të publikuar nga Instituti GAP.

Sipas raportit Shqipëria tregon performancë ma të mirë kryesisht në përmbajtjen gjithëpërfshirëse të disa dokumenteve.

Reklama e sponzorizuar

Rrona Zhuri nga ky institut ka thënë se Kosova ka më shumë hapësirë për përmirësim në përfshirjen e hartimit të buxhetit dhe ekzekutimit, duke shtuar se duhet të ofrohen mundësi për më shumë komente.

Ajo tha se në këtë anketë, Kosova renditet e treta pas Shqipërisë dhe Serbisë.

Në prezantimin e kësaj ankete, drejtori i zyrës së Rritjes Ekonomike në USAID Kosovë, Alexander Albertine, ka theksuar nevojën e përmirësimit të nivelit të transparencës buxhetore.

Në anën tjetër, Drejtori i Departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Salvador Elmazi ka thënë se do të mundohen të jenë sa më afër realizimit të këtyre objektivave për transparencë buxhetore. /KP/