Çmimet në tavan në prag të festave të fundvitit

Fotografi ilustruese

Me ngrohtësinë e festave të fundvitit, vijnë edhe obligimet familjare për të shtruar tryezat festive. Mirëpo, çmimet e larta të produkteve në treg, duket se zbehin këtë magji për shumë qytetarë.

Disa prej tyre madje mendojnë se zakonisht festat shfrytëzohen për manipulim me çmimet.

Reklama e sponzorizuar

Se qytetarët po bartin barrën e çmimeve të larta e deklaron edhe Selatin Kaçaniku nga Shoqata e Konsumatorëve. Sipas tij, tregtarët po luajnë me çmime, duke bërë kinse ka zbritje për festa.

“…në prag të festave këto kulmojnë sepse tregtarët e shfrytëzojnë dhe i keqpërdorin festat e fundvitit. Duhen cmime korrekte spo them të ulëta por po abuzohet, po lozin me cmime…”, tha Kaçaniku për rtv21

Frika se nuk mund të sigurohen produktet bazë për jetesë si pasojë e çmimeve të larta, tek qytetarët shkakton çrregullime emocionale, deklaron sociologu Vehbi Mujku.

“…pamundësia e blerjes së produkteve si shkak i cmimeve të larta shkakton ndjesi të thyer emocionale edhe tek prindërit edhe tek fëmijët të cilët ndihen keq për shkak se fundviti ka shpenzime. Krijohet pasiguri e madhe emocionale. Kjo mund të reflektohet edhe në aspekte të ndryshme sic janë konfliktet…”, tha Mujku

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit për muajin nëntor janë më të larta për 0.7%, sesa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.