Sipas të dhënave të INSTAT për origjinën e vizitorëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë si destinacion gjatë muajit nëntor 2024, është evidentuar një prirje dominuese nga disa shtete specifike. Kosova zë vendin e parë, duke regjistruar 230,673 vizitorë që vizituan vendin tonë gjatë këtij muaji.
Italia renditet e dyta me 73,472 vizitorë, ndërsa Gjermania pozicionohet në vendin e tretë me 11,017 vizitorë. Këto shifra pasohen nga Franca me 5,926 vizitorë dhe Kina me 2,308 vizitorë, duke reflektuar diversitetin në origjinën e të huajve që zgjodhën të vizitojnë Shqipërinë.
Zvicra, gjithashtu, ka regjistruar 1,938 hyrje, ndërsa Mali i Zi, një nga fqinjët tanë më të afërt, solli 63,783 vizitorë. Ndërsa, Greqia dhe Maqedonia e Veriut kontribuan me përkatësisht 49,745 dhe 54,831 vizitorë.
Belgjika, edhe pse me një numër më modest, ka regjistruar 3,337 vizitorë, duke shënuar një interes të shtuar krahasuar me disa periudha të mëparshme.
Nëse krahasojmë shifrat e nëntorit 2024 me ato të një viti më parë, rezulton se Franca ka pasur rritjen më të madhe me 41%, e ndjekur nga Gjermania me një rritje prej 28.9%. Greqia dhe Italia regjistruan rritje prej 15.3% dhe 22.7%, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut patënj një rritje përkatësisht prej 12.3% dhe 31%. Nga ana tjetër, Kosova është i vetmi shtet me një ulje të lehtë prej -1.9%.
Edhe shifrat për vizitorët e huaj gjatë 11-mujorit tregojnë se mbizotërojnë hyrjet nga Kosova, ndjekur nga vendet e Bashkimit Evropian, si Italia, Gjermania dhe Franca.
Konkretisht gjatë periudhës janar -nëntor të vitit aktual ishin rreth 4.2 milionë turistë nga Kosova, 1.16 milionë turistë nga Italia, 356,079 vizitorë nga Gjermania dhe 212,019 vizitorë nga Franca. Ndërkohë, Spanja renditet e pesta me 105,969 vizitorë në 11 muaj. Po ashtu kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e turizmit edhe shtetet si Zvicra, Austria, Kroacia, Kanadaja dhe Kina, që sollën rreth 265 mijë vizitorë gjithsej. /Scan tv/