Zyrtarë të KESCO-së kanë thënë për Buletinin Ekonomik se konsumi mesatar ditor gjatë janarit 2025, ka arritur në mbi 24 mijë MWh, ndësa në orët e pikut, që është kulmi i konsumit të energjisë elektrike, konsumi ka arritur deri në 130 MWh. Për ta kompenzuar mungesën e rrymës, zëdhënësja e KESCO-s ka thënë se janë importuar diku rreth 37 milionë euro energji elektrike vetëm gjatë janarit të sivjetshëm.
Buletini Ekonomik
Tashmë është bërë e ditur edhe për laikët se në periudhat me temperatura të ulëta dhe me ditë të acarta, praktikisht në çdo stinë të dimrit, Kosova nuk ka energji elektrike të mjaftueshme nga termocentralet ekzistuese të “mplakura” për të përmbushur nevojat në rritje të konsumit të vendit.
Kapacitetet e blloqeve të stërvjetëruara, por akoma, kushtimisht, aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dhe tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5, prej të cilave tash e një kohë të gjatë në prodhim vazhdimisht gjenden vetëm dy, ose A3 dhe A5, ose A4 dhe A5), janë diku rreth 780 megavatë-orë. Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavat/orë.
Në anën tjetër, Kosova A në dy-tre vjetët e fundit ka operuar me dy blloqe (në të shumtën me A3 dhe me A5, ose edhe A4 dhe A5, dhe A3 dhe A4 – njëri bllok i Kosovës A, pra, në të shumtën ka qenë jashtë prodhimit edhe kur ka qenë teknikisht i gatshëm për të prodhuar). Dy blloqet e aktivizuara të termocentraleve Kosova A, kanë kapacitet bashkarisht diku 260 megavatësh, ose secila nga 130. Këto, pak a shumë ishin kapacitetet në prodhim te termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në Kosovën B- të vjetëruar shumë. B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979.
Kësaj sasie të energjisë elektrike, duhet shtuar edhe dhjetëra megavatë po të ketë erë dhe ujë të mjaftueshëm – edhe dhjetëra megavat-orë të energjisë së rinovueshme. Sasia e energjisë së gjelbër në vendin tonë edhe në këtë dimër është prodhuar nga parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatë dhe në atë të Kitkës së Kamenicës (30-40 megavatë) dhe nga disa minihidrocentrale me kapacitete modeste, që janë në operim në vendin tonë. Në këtë mënyrë, Kosova edhe në fund të dhjetorit 2024, dhe sidomos gjatë janarit dhe në javën e parë të shkurtit (2025), në kushtet e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike (në ditë të caktuara gjatë pikut, konsumi ka arritur deri në 1300 megavatë-orë) pati mungesë të rrymës dhe kjo mungesë është kompenzuar me import të madh të rrymës për rrethanat financiare të Kosovës dhe me reduktime të ashpra, sidomos në shumë vendbanime rurale.
Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s ka thënë për Buletinin Ekonomik se konsumi mesatar ditor gjatë janarit 2025, ka arritur në mbi 24 mijë MWh, ndësa në orët e pikut, që është kulmi i konsumit të energjisë elektrike, konsumi ka arritur deri në 130 MWh. Për ta kompenzuar mungesën e rrymës, zëdhënësja e KESCO-s ka thënë se janë importuar gjatë janarit të sivjetshëm diku rreth 37 milionë euro energji elektrike.
Sipas Rashitit, edhe në javën e parë të shkurtit 202, konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, pak a shumë ka qenë si gjatë ditëve të janarit. Sipas zyrtares së KESCO-s, nga data 1 deri më 5 shkurt, konsumi mesatar ditor i rrymës në vend ka qenë saktësisht 22 mijë megavatë-orë, ndërsa në këto ditë (1-5 shkurt) është importuar rrymë 6,2 milionë euro.
Ndryshe, gjatë ditëve të para të shkurtit, konsumi i energjisë elektrike gjatë orëve të pikut ka arritur në 1200 MWh. /Buletini Ekonomik/