MSH diskriminon 13 specializantë – i lë që katër muaj pa paga

Që katër muaj, prej kur nënshkruan kontratën me MSH-në për specializim, 13 prej tyre ende nuk kanë marrë asnjë pagë. Ata po shprehën të indinjuar dhe të anashkaluar nga ministria, ndërkohë që po vazhdojnë të punojnë.

Specializantët nga Qendra Kombëtare e Mjekësisë së punës nga Gjakova, sot kanë protestuar para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë.

Ata e kanë fituar specializimin në konkursin e rregullt të MSH-së, por kontrata e tyre nuk po respektohet.

Reklama e sponzorizuar

Arianit Zajmi, i cili është specializant i Neurologjisë, tha se po diskriminohen, për shkak se ka pasur të tillë të cilët janë paguar.

“Ajo çfarë po kërkojmë është që të kemi një trajtim të barabartë, ashtu si të gjithë specializantët e tjerë. E them kështu sepse ne jemi 15 specializantë, të cilët i kemi nënshkruar të njëjtat kontrata me të njëjtin financim. 15 prej neve, vetëm dy marrim pagë të rregullt, ndërsa, 13 prej neve jemi të diskriminuar. Ata të cilët marrin pagë të rregullt bëjnë përjashtim. Ndërsa, njëri është edhe djali i zëvendësministrit të Shëndetësisë”, tha Zajmi.

Për këtë rast, sipas tij askush nuk po merr përgjegjësi.

“Ne prej muajit nëntor kur i kemi nënshkruar kontratat, ne vetëm endemi. Dhe mund të them që nga titulli specializant, e kemi fituar titullin edhe mjek shëtitës. Për shkak se ‘shëtisim’ nga njëri institut në tjetrin, ku asnjëri nuk e merr përgjegjësinë që të tregojnë se pse ne jemi sot pa pagesë. E kemi drejtorin e ShSKUK-së i cili na ka thënë që financimi jonë është i jashtëligjshëm, ministri thjesht na ka lënë të presim qe katër muaj prej nëntorit”, ka thënë ai.

Zajmi ka treguar se që nga nëntori janë duke punuar pa pagesë dhe vështirë po ia dalin.

“Barrën për financimin tonë po e bartin familjet tona. Për shkak se ne nuk kemi nga 2-3 milionë si liderët tanë. Krejt financimi jonë është kjo kontratë e cila nuk po respektohet”, tha Zajmi.

Specializantët, të cilët kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë, kanë bërë të ditur se do të shfrytëzojnë të gjitha format për trajtim të barabartë dhe të respektohet kontrata e tyre.