Me regjistrimin e veturave, qytetarët janë të obliguar që të paguajnë edhe taksë ekologjike, e cila është menduar të përdoret për projekte mjedisore. Megjithatë, nga hulumtimet që janë bërë nga Instituti “Atllas”, është konstatuar se këto fonde të, cilat shkojnë në buxhetin shtetëror, po përdoren për qëllime që nuk kanë lidhje me ruajtjen e ambientit.
Qytetarët e Kosovës, me regjistrimin e veturave të tyre, detyrohen të paguajnë edhe një taksë ekologjike. Sipas Ligjit për Taksën Rrugore dhe Ekologjike të Automjeteve, qytetarët janë të obliguar që të paguajnë 10 euro për automjetet pesha e të cilëve është nën 3.5 tonë, dhe 30 euro për automjetet, pesha e të cilëve është mbi 3.5 tonë. Këto mjete të grumbulluara, do të duhej të shërbenin për projekte mjedisore.
Por, sipas të dhënave të Institutit “Atllas”, nga 287 milionë euro të këtyre taksave, në vitin 2019 vetëm 23.7 milionë euro janë investuar në mbrojtje të mjedisit.
Agron Demi, nga Instituti “Atllas”, tha për Radio Kosovën se të gjitha këto mjete shkojnë në buxhet të shtetit dhe pastaj përdoren për gjëra që s’kanë të bëjnë me ambientin dhe për atë se për çfarë destinohen këto mjete.
“Taksa mjedisore është edhe te veprimtaritë e organizatave energjetike apo institucioneve që prodhojnë energji dhe veprimtari të bizneseve që ndotin ambientin. Mirëpo, e tërë kjo grumbullohet dhe nuk shpenzohet për mjedis dhe prandaj ne i kemi gjitha këto probleme mjedisore për faktin se ndikimi në mjedis është shumë i madh por shpenzimet për mbrojtje të mjedisit janë tepër të vogla”, thotë Demi.
Demi thekson se nëse do të kishte investime reale nga kjo shumë e taksave ekologjike, gjendja në mjedis do të përmirësohej.
Edhe Liri Kuçi, nga “Ballkan Green Foundation”, potencon se ndonëse qytetarët paguajnë taksë ekologjike për një mjedis të pastër, këto fonde shpesh nuk dihet se si përdoren apo nëse ato destinohen sipas asaj që e parasheh ligji.
“Taksa ekologjike synon të financojë përmirësimin e mjedisit, në anën tjetër kemi të bëjmë me mungesë transparence dhe dedikimit specifik të këtyre fondeve të projekte mjedisore. Ka pasur kritika se fondet e mbledhura nuk janë përdorur për projekte mjedisore që vijnë nga kjo taksë ekologjike. Gjithashtu, një hulumtim I vitit 2022, ka vërtetuar se paratë e mbledhura nga taksa ekologjike për automjete nuk shkojnë për qëllimet e parashikuara”, thekson Kuçi.
Sipas saj, organizatat e mjedisit janë bërë bashkë për të ngritur zërin për ajrin e ndotur në Kosovë, që do të duhet të jetë emergjencë për shëndetin publik.
“Sipas të gjitha monitorimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përgjatë muajve të dimrit, ajri në Kosovë ka tejkaluar të gjitha nivelet e të qenit ajër I shëndetshëm. Pra, ka shkuar mbi 122 grimca pm e të cilat janë grimca që shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme në shëndetin e njeriut”, deklaron Kuçi.
Në Kosovë, llogaritet që çdo vit regjistrohen mbi 400 mijë vetura. Çdo automjet që regjistrohet në Republikën e Kosovës si dhe automjetet e huaja që hyjnë në Kosovë, janë të detyruar të paguajnë taksa ekologjike, që sipas ligjit në fuqi, ka për qëllim ngritjen e cilësisë së mbrojtjes së ambientit.