Italia përgjysmon parashikimin e rritjes ekonomike për vitin 2025 për shkak të frikës nga tarifat

Qeveria italiane po përgatitet të ulë parashikimin e saj të rritjes ekonomike për këtë vit nga 1.2 në 0.6 për qind mes shqetësimeve për tarifat e SHBA-së, tha një burim qeveritar për AFP.

Ky parashikim është përfshirë në udhërrëfyesin ekonomik për vitet e ardhshme, i cili pritet të miratohet nga kabineti i kryeministres Giorgia Meloni të mërkurën më vonë.

Italia, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, është eksportuesi i katërt më i madh në botë dhe rrezikon të goditet rëndë nga tarifat e reja.

Reklama e sponzorizuar

AFP vuri në dukje se rreth 10 për qind e eksporteve të Italisë shkojnë në Shtetet e Bashkuara dhe vitin e kaluar Roma pati një suficit tregtar me Uashingtonin prej 38.9 miliardë euro, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Meloni ka kritikuar tarifat e presidentit amerikan Donald Trump, duke përfshirë tarifat prej 20 për qind për importet nga Bashkimi Europian dhe u ka kërkuar të dyja palëve të arrijnë një marrëveshje.

Udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë “Brothers of Italy” njoftoi të martën se do të vizitonte Uashingtonin më 17 prill për të biseduar drejtpërdrejt me Trumpin.