Nis rënia e çmimeve të naftës në Kosovë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nënshkroi vendimin që rregullon çmimet dhe vendos masa mbrojtëse për produktet e natës, të përdorshme në transport.

Në njoftimin e MINT-it u bë e ditur se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi të produkteve të naftës.

Reklama e sponzorizuar

Sipas këtij vendimi, përcaktohet marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në 2 eurocentë për litër, dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në 12  eurocentë për litër.

IndeksOnline raporton se tashmë ka nisur aplikimi i këtij vendimi, me shumë pompa që kanë zbritur lehtë çmimet e derivateve të naftës.

Çmimet e Dieselit luhaten mes 1.19 dhe 1.25 euro, ndërkaq ato të Benzinës mes 1.19 dhe 1.23 euro.

Këto çmime, megjithatë, nuk përkojnë me interesat e naftëtarëve.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, tha dje për IndeksOnline se vendimi i Ministrisë është i gabuar dhe po shkatërron bizneset.

“Vendimin të cilin e ka nxjerr MINT-i është shumë gabim dhe i paqëlluar. Ju e dini se unë kam qenë shumë transparent, kur ka pas vendime të sakta. Ky vendim është i paarsyeshëm dhe pa u konsultuar me Shoqatën e Naftëtarëve. Vendim i gabuar me ketë vendim i shkatërron bizneset. Kompanitë e mëdha mundet vetëm me i lodhë pak, por kompanitë e mesme dhe te vogla mundet apo është qëllimi me i bankrotu”, thotë Berjani.

Sa i përket uljes së çmimit të derivateve të naftës në nivel global pas vënies së tarifave nga Trumpi, Berjani deklaroi se rënia e çmimit të naftës për 4 centë në Kosovë, është si pasojë e uljeve të tarifave nga Trumpi, dhe jo nga vendimi i MINT-it.