Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që roli i OSBE-së në ditën e zgjedhjeve të jetë këshillëdhënës, ashtu siç ishte edhe më herët, ndërsa nesër pritet të nënshkruhet marrëveshja për misionin vëzhgues të BE-së.
Në mbledhjen e mbajtur sot, anëtarët e KQZ-së mbështetën rolin e OSBE-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u shpreh se kanë kontaktuar me misionin e OSBE-së dhe se ata janë të gatshëm të japin mbështetjen e tyre në të njëjtin format sikurse në zgjedhjet e kaluara.
“Ata (OSBE) janë të gatshëm që në të njëjtin format, ashtu sikurse që ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara të na japin përkrahje. Do të jetë këshillëdhënës për KKZ-të dhe KVV-të në ditën e zgjedhjeve dhe natyrisht se informimi për KQZ-në nga ana e tyre do të bëhet në të njëjtin format sikurse deri tash”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur se nesër do të nënshkruhet edhe marrëveshja me Komisionin Vëzhgues të BE-së, i cili do të fillojë të vijë këtë të mërkurë.
“Pritet që gjatë ditës të nesërme, nëse pajtoheni, të nënshkruhet marrëveshja me Komisionin Vëzhgues, me përfaqësuesit e BE-së këtu në Prishtinë, për misionin vëzhgues të BE-së, i cili do të fillojë ardhjen që nga dita e mërkurë”, u shpreh ajo.
Kryetari i Këshillit për Buxhet dhe Financa, Ilir Gashi, bëri të ditur se këtë vit, do të jenë 895 qendra votimi, 4 më pak nga zgjedhjet e fundit.
“Ne në Këshill i kemi trajtuar propozimet që kanë ardhur, që kanë rrjedhë edhe prej KKZ-ve dhe nga zyra këtu, të listës së qendrave të votimit. Nga e kaluara, kemi 4 qendra votimi më pak, kështu që kemi diku 895 qendra votimi gjithsej”, sqaroi ai.