Profesori që e akuzoi rëndë ZRRE-në “shpërblehet” me licencë për tregti me energji

Kompania e një profesori të ekonomisë dhe një kritiku të zëshëm të ZRRE-së është licencuar për tregti me rrymë nga organi publik rregullator disa javë para liberalizimit të tregut të energjisë. Bajra, i cili hodhi akuza të rënda në drejtim të ZRRE-së në mars të këtij viti, është shpërblyer me licencë pak javë më vonë.

Regjistrit të furnizuesve të licencuar për furnizim dhe tregti me energji elektrike i është shtuar edhe një kompani, me aksionar një profesor të Universitetit të Prishtinës.

Reklama e sponzorizuar

VOLTKOS Sh.p.k., e licencuar nga ZRRE-ja për furnizim dhe tregti me energji elektrike të martën e javës së kaluar më 27 maj, është në bashkëpronësi të Ujkan Bajrës, profesorit të ekonomisë.

Brenda disa javësh, Bajra është shndërruar nga kritik i ashpër i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në të shpërblyer me licencë nga organi publik, rregullator i energjisë.

Në prag të vendimit të ZRRE-së për rritjen e çmimit të rrymës në fund të muajit mars, Bajra e kritikoi ashpër ZRRE-në. Në një paraqitje publike në televizionin KTV më 28 mars, ai drejtoi akuza të rënda ndaj organit rregullor të energjisë.

Bajra e akuzoi Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për njëanshmëri në favor të operatorëve privatë të energjisë dhe në dëm të interesave të qytetarëve dhe Korporatës Energjetike të Kosovës.

“ZRRE-ja ka marrë parasysh vetëm kërkesat e operatorëve ekonomikë, jo të qytetarëve. Kur e shohim se mirëqenia e tyre është përkeqësuar dhe po propozohet rritja e çmimit të energjisë, atëherë është e qartë që ky institucion po vepron në mënyrë të njëanshme”, tha Bajra në “Interaktiv” të KTV-së më 28 mars.

Javët në vijim Bajra nuk do të ekspozohej fort, ose fare, në publik. Do të regjistronte një kompani për tregti të energjisë dhe do t’i duhej miratimi i ZRRE-së për t’u licencuar për kryerje të shërbimeve në këtë fushë.

VoltKos Sh.p.k. figuron të jetë regjistruar si biznes më 18 prill, 2025

Kompania VOLTKOS Sh.p.k., në bashkëpronësi të Ujkan Bajrës dhe Flamur Ajvazit, u regjistrua si biznes në ARBK më 18 prill, rreth tri javë pas akuzave të rënda ndaj ZRRE-së për “favorizim të operatorëve ekonomikë”.

Kapitali i këtij biznesi, sipas të dhënave të ARBK-së, është 20 mijë euro. Si pronarë ose aksionarë janë regjistruar Ujkan Bajra dhe Flamur Ajvazi. Të dy kanë regjistruar kapital nga 10 mijë euro ose 50 për qind.

Pa bllokada dhe me ritëm të shpejtë, VOLTKOS-i i Bajrës hyri në proces të licencimit nga ZRRE-ja më 28 prill, dhjetë ditë pas regjistrimit si biznes, tregonte regjistri i furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja në fund të muajit prill.

VOLTKOS Sh.p.k. ishte në proces të licencimit nga ZRRE-ja nga 28 prilli i këtij viti

Në mbledhjen e ZRRE-së të mbajtur më 27 maj, VoltKos Shp.k. përmbylli me sukses procesin e marrjes së licencës për tregti me energji.

ZRRE-ja, në një njoftim për media më 30 maj, tha se vendimi për dhënie të licencës për VoltKos-in është marrë në kuadër të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili hyri në fuqi më 1 qershor.

“Në këtë mbledhje, Bordi i ZRRE-së ka vendosur të lëshojë licencën për furnizim me energji elektrike për ndërmarrjen VOLTKOS S Sh.p.k., një hap ky që kontribuon drejtpërdrejt në zgjerimin e ofertës dhe rritjen e konkurrencës në tregun e furnizimit me energji elektrike në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Regjistri i bizneseve të licencuar nga ZRRE-ja për furnizim dhe tregti me energji elektrike

Në intervistën në “Interaktiv” të KTV-së, Bajra që mori licencën nga ZRrE-ja, e kundërshtoi ashpër edhe vendosjen e tarifave të reja të energjisë elektrike, një vendim që rezultoi me rritjen për 16.1 për qind të çmimit për konsumatorët familjarë dhe bizneseve të vogla.

Gjatë kësaj interviste, ai tha se propozimet e ZRrE-së, si ai për ngritje të çmimit të rrymës prej 15 për qind, janë të pabazuara në të dhëna transparente dhe se rëndojnë mbi qytetarët, të cilët, sipas tij, po përballen me kosto të larta të jetesës.

Ai gjithashtu tha se operatorët privatë, si KEDS dhe KESCO, nuk kanë publikuar pasqyrat financiare që nga viti 2019, ndonëse kjo është një kërkesë ligjore.

“Prej vitit 2020 e deri më sot, operatorët nuk kanë bërë asnjë prezantim të pasqyrave financiare. Kjo mungesë transparence nuk është e drejtë ndaj konsumatorëve. Nuk duhet që barrën e rritjes së çmimit ta mbajnë qytetarët”, kishte thënë ai.

Ai akuzoi ZRrE-në për favorizim të KEDS-it.

“Në vitin 2024, KEK-u kërkoi që çmimi për megavat të rritej nga 29.5 në 36 euro për KEDS-in, por ZRRE-ja nuk e aprovoi. Ndërkohë, më 2023, e ka lejuar rritjen e tarifave me 15% për konsumatorët. Kjo tregon qartë favorizim të KEDS-it”, tha profesori.

Profesori i ekonomisë gjithashtu e quajti të vonuar dhe të motivuar politikisht propozimin e Presidencës për heqjen e TVSH-së prej 8 për qind për energjinë elektrike, duke argumentuar se kjo masë nuk do të ndikonte në fitimet e operatorëve.

Bajra, që para se të licencohej ishte aktiv me komente rreth debateve publike, sidomos atyre të ndërlidhura me fushën e energjisë, i ka mbyllur rrugët e komunikimit me masën. Pas 27 majit, kompania e profesorit të kthyer në tregtar të energjisë, listohet në mesin e 21 kompanive të licencuara në Kosovë për furnizim dhe tregti me rrymë. /Paparaci/